Atë Lombardi: Gjon Pali II, parë nga Benedikti XVI.
Në këtë ditë, kur sytë e mbarë njerëzimit janë drejtuar nga Sheshi i Shën Pjetrit
në Vatikan, prej nga Gjon Pali II vijon t’i flasë botës nga fotografitë dhe ekranet
vigane, e kur Benedikti XVI ngjitet në elter, për të Lumturuar Paraardhësin, atë
Federiko Lombardi nuk mund të mos e titullonte “Gjon Pali II, parë nga Benedikti
XVI”, editorialin e kësaj fundjave për Octava Dies, e përjavshme informative
e Qendrës Televizive të Vatikanit.
“Benedikti XVI është Papa i parë i kohëve
moderne, që shpall të Lumtur paraardhësin, përkrah të cilit, për më se dy dhjetvjeçarë,
punoi si njëri nga bashkëpunëtorët më të ngushtë. Ndërmjet zërave të ndryshme, që
këto ditë flasin për Gjon Palin II, është më se e arsyeshme të dëgjojmë posaçërisht
zërin e tij, duke kujtuar intervistën e bukur, që i pati dhënë televizionit polak
pak muaj para vdekjes së Papës Vojtila. “Përsa i përket botës, sot është
bërë shumë më e ndjeshme ndaj përmasës fetare të njeriut”, pati thënë Papa Benedikti.
“Të gjithë të krishterët, pavarësisht nga ndryshimet, e kanë pranuar se Ipeshkvi i
Romës ishte zëdhënës i krishtërimit, ndërsa fetë e tjera e shikonin si zëdhënës
të vlerave të mëdha të njerëzimit. E pastaj, diti ta entuziazmojë rininë për Krishtin.
Vetëm një personalitet me karizmën e tij, mund ta entuziamonte rininë për Krishtin
e për Kishën, madje edhe për të mbrojtur vlerat më të vështira. Vetëm ai mund t’ia
dilte mbanësh ta mobilizonte me atë zjarr rininë e botës për kauzën e Zotit e për
dashurinë e Krishtit. Së fundi, ishte njeri i Koncilit, na ndihmoi të jemi vërtet
Kishë e kohës sonë dhe e ardhmërisë”. Zoti, Jezu Krishti, bashkimi i të
krishterëve, dialogu ndërmjet feve, për të mirën e njeriut e të mbarë njerëzimit:
këto janë, që nga dita e parë e papnisë, përparësitë e Papës Benedikti. Është trashëgim,
që i la Paraardhësi. E jo vetëm si udhëzime për vijimin e punës, por si frymëzim shpirtëror
i fuqishëm, i ndikuar nga dëshmia e tij e nga prania e tij e vijueshme shpirtërore
në udhën e popullit të Zotit”.