2011-04-30 16:45:02

Papa Vojtila, armiku i madh i "Murit". Ishte vepër e Krishtit, roli i Papës polak në shembjen e regjimeve komuniste.


Më 16 tetor 1978, Kgb-ja dhe Shërbimet sekrete të Evropës Lindore u drodhën, kur kryeipeshkvi i Krakovisë u zgjodh papë. Gjenerali Vojiçek Jaruzelski, kujton se për Aleatët e Varshavës, kjo zgjedhje ishte “si një gjemb në sy”. Por, me gjithë parashikimet e tyre më ogurzeza, nuk munden as ta përfytyronin atë, që Papa Polak do të bënte për shembjen e regjimeve komuniste në Evropën Lindore.
Shenjat e para paralajmëruese do të dukeshin qartë në shtegtimin e Papës në Poloni, më 1979, e pastaj, në gushtin polak të 1980-tës, nga i cili lindi Solidarnosh, sindikata e parë e lirë në një vend evropiano-lindor. Gjenerali Jaruzelsi, kreu i shtetit, i cili më 1981 zbatoi në Poloni ligjet e kohës së luftës, tregon se qeveria e Varshavës, pasi u zgjodh Vojtila, vendosi të nisë në drejtim të Vatikanit një mori spiunësh: meshtarë polakë, që me një dorë i shërbenin Kishës, e me tjerën, sigurimit. Lexoja raportet e tyre dhe e dija se Papa po bënte çmos për të lehtësuar vuajtjet e popullit të vet e edhe të mbarë popujve, të cilët shkeleshin pa mëshirë nën thembrën e diktaturave më të egra, që ka parë njerëzimi.
Gjashtë vjet pas vdekjes e pak ditë para Lumturimit, koha po e tregon gjithnjë më qartë se roli i Karol Vojtilës në shembjen e komunizimit ishte i paparashikuar nga regjimet e “Gardhit të hekurt”. Është detyrë e historianëve të thellohen në studimin e rolit të Papës sllav. Po vetë Papa ç’mendonte për këtë rol? Kur e pyesnin, përgjigjej: “Nuk ishte Papa, po krishtërimi, ai që pati rolin vendimtar në shembjen e Murit e të regjimeve komuniste të Lindjes”. Kështu, në një intervistë dhënë gazetës italiane “La Stampa”, më 1993, Gjon Pali II pati theksuar se pas këtyre ngjarjeve, gati-gati të pabesueshme për ata, që vuanin prej një shekulli nën thundrën e hekurt, nuk mund të mos shikonte ndërhyrjen providenciale. Për shembjen e regjimit komunist Papa Vojtila flet edhe në testamentin e tij, ku shkruan: “Kohët, në të cilat jetojmë, janë të vështira e të shqeta. E vështirë dhe e shqetë është bërë edhe rruga e Kishës, si për besimtarët, ashtu edhe për barinjtë. Në disa vende Kisha ndodhet në një periudhë të tillë persekutimi, që ia kalon edhe persekutimit të shekujve të parë të krishterimit, përsa i përket mizorisë e urrejtjes, ndërsa shumë njerëz zhduken pa kurrnjë faj edhe në këtë vend ku jetojmë…
Por, vijon, që nga vjeshta e vitit 1989, kjo situatë ndryshoi. Dhjetvjeçari i fundmë i shekullit të kaluar, u çlirua nga tensionet e mëpërparshme, ndonëse solli me vete edhe probleme të reja e vështirësi të reja. Në mënyrë të posaçme i qoftë lumturi Provanisë Hyjnore për këtë cak, aq të dëshiruar, që i dha fund periudhës së Luftës së Ftohtë, që përfundoi pa konfliktin e dhunshëm, që peshonte, me gjithë barrën e vet të kobshme, mbi ardhmërinë e botës, e cila rrezikohej të zhdukej”.
Është e natyrshme që të rinjtë, të cilëve diktatura komuniste u kishte vrarë jo vetëm etërit, por edhe ëndrrat, nisën menjëherë ta shikonin Papën Vojtila si mikun më të madh. E edhe në Vatikan, shumë nga bashkëpunëtorët e Papës, duke përfshirë edhe kryeipeshkvin e sotëm të Krakovisë, për 40 vjet sekretar i Karol Vojtilës, kardinalin Stanislao Dxhivish, janë më se të bindur se ishin shërbimet sekrete të vendeve komuniste ata, që e armatosën dorën e Ali Agçait, i cili e plagosi për vdekje Papën, më 13 maj të vitit 1981, në Sheshin e Shën Pjetrit. E nuk mungoi as gishti i sigurimit shqiptar në Vatikan.
Gjon Pali II, pas këtij atentati, ka pohuar gjithnjë se atë ditë shpëtoi nga vdekja e sigurtë me ndërmjetësinë e Zojës së Bekuar.
Pakënaqësia, për të mos thënë tërbimi i qeverive komuniste, përshkruhet në jetëshkrimin e Papës Vojtila, që sapo është botuar nga Andrea Rikardi. Për Kremlinin e Kgb-në, shkruan historiani katolik, zgjedhja e Karol Vojtilës ishte një e papritur tejet e hidhur e, sipas tyre, fryt i veprimtarisë së koordinuar të dy polako-amerikanëve, kardinalit Krol dhe këshilltarit të Karterit, Brezhinski. Por sidomos, komenton Rikardi, qeveritë komuniste, që kontrollonin deri në skutat e shpirtit jetën fetare të besimtarëve, nuk e kishin përfytyruar kurrë se konklavi do të zgjidhte një Papë nga Lindja, një Papë, që i kishte mbi shpinë kthetrat e diktaturës ateiste. Nuk u shqetësuan aq shumë, prandaj, pas vdekjes së Papës Gjon Pali I, me bindjen se, sipas traditës së kahershme, edhe kësaj radhe do të zgjidhej një papë italian, që nuk e njihte nga afër regjimin komunist, Kgb-në, sigurimet e sheteteve satelite e mizoritë e tyre të papërshkrueshme. Nuk arritën, prandaj t’ bënin mirë llogaritë, duke vënë në lëvizje të gjitha forcat e spiunazhit. Për më tepër, duke kontrolluar kishat e heshtimit të vendeve të tyre, kishin krijuar edhe bindjen tërësisht të gabuar, se Kisha katolike nuk ishte më në gjendje t’i jepte një frymë të re jetës së saj. Pastaj duhet menduar edhe se ata vetë, si njerëz pa Zot, ishin krejt të paaftë për të pranuar se fenomeni fetar ka në vetvete një forcë të jashtëzakonshme përtëritjeje. Prandaj vijuan të përsërisin të njëjtat akuza kundër Kishës e njerëzve të saj, duke i quajtur reaksionarë, bashkëpunëtorë të kapitalizmit e spiunë të Vatikanit.
Por Karol Vojtila – pohon Rikardi - një t’u zgjedhur Papë, “zbuloi” karakterin globalizues të katolicizmit, duke bërë atë, që dukej e pamundur: kapërceu të ashtuquajturën “Perde të hekurt”, pas së cilës një turmë skllevërish, humbiste ditë për ditë ëndrrat më të bukura e shpesh, dhe vetë jetën e arriti t’i tregojë botës se të krishterët e Lindjes kishin me Romën lidhje të tilla, që komunizmi nuk do t’ia delte kurrë mbanësh t’i coptonte, siç kishte dëshiruar gjatë një shekulli të tërë, duke nisur nga Revolucioni bolshevik në Rusi.
Ndërmjet pamjeve-simbol të Papnisë së Vojtilës, mbetet, pa dyshim, më simbolikja, ajo e 23 qershorit 1996, kur Papa polak kapërceu Portën e Brandenburgut, që u rikthye në Portë të hapur drejt botës, pasi ishte shndërruar nga tiranët komunistë, komentoi Papa, në mur të pakapërcyeshëm, sepse kishin frikë nga era e lirisë, që kishte nisur të frynte edhe përmes papnisë së Vojtilës!







All the contents on this site are copyrighted ©.