2011-04-30 16:44:40

Fytyra e Papës Gjon Palit II


Gjashtë vjet më parë, më 08. 04. 2005, trupi i Gjon Palit II vendosej në një arkivol me dru qeparisi, me veshjet liturgjike e mitrën në kokë, ashtu siç ishte kur priti besimtarët për herë të fundit. Para se të vendosej në arkë, Mjeshtri i Kremtimeve papnore dhe sekretari i posaçëm i Gjon Palit II shtrinë mbi fytyrën e Papës një vel të hollë mëndafshi të bardhë, gjest që u shoqërua me lutjen e Kardinalit Kamerleng, Martines Somalo:

“Po e mbulojmë fytyrën e tij me respekt e nderim,
e me shpresë të gjallë
se ai tani kundron fytyrën e Atit,
me të Lumen Virgjër Mari e të gjithë Shenjtorët.

O Perendi i gjithëpushtetshëm e i amshuar,
ti Zot i jetës e i vdekjes,
ne shpresojmë e besojmë
se jeta e Atit të Shenjtë
tani fshihet në Ty.
Fytyra tij,
së cilës i mungon drita e kësaj bote,
u ndriçoftë përgjithmonë e jetës nga drita e vërtetë
që në ty ka burimin e pashterrshëm.
Fytyra e tij,
që shqyrtoi udhët tuaja,
për t’ia treguar Kishës
paftë fytyrën tënde atërore.
Fytyra e tij
që sytë tanë më s’e shohin
kundroftë bukurinë tënde
e ta porositët grigjën e vet ty, o Bari i amshuar,
që jeton e mbretëron në shekuj të shekujve.

Më pas arkivoli u vendos në qendër të tremes së bazilikës vatikanase. Mbi arkivol, Ungjilli i hapur: sipas domethënies së liturgjisë, ishte era ajo, që e shfletoi. E era atë ditë fryu në një mënyrë, që mbeti në kujtesën e njerëzimit, duke hapur me vrull faqet e Ungjillit mbi arkën e përmortshme, si të donte që bota ta lexonte me një frymë.

Fytyra e tij, që sytë tonë më s’e shohin – ishin fjalët e fundit, që u shqiptuan gjashtë vjet më parë, kur mbi arkivolin e thjeshtë rëndoi fort kapaku.
Por sot, gjashtë vjet më pas, fytyrën e Gjon Palit II e shikojmë përsëri, sepse bën pjesë në listën e shkurtër të njerëzve, që kanë vetëm një datë: atë të lindjes E shikojmë në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, në fasadën e Bazilikës e në të katër anët e Romës, që e pati kryipeshkëv. E shikojmë me sytë e mendjes në dritaren e qiellit, mbi Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, duke bekuar qindra mijëra besimtarët në Lutjen më të jashtëzakonshme të Engjëllit të Tënzot, tani që është pranë Tij.
E shikojmë në të gjitha bazilikat, katedralet, kishat e kapelëzat e shpërndara deri në skajet më të humbura të botës. E shikojmë në ekranin e mondovizionit. E shikojmë e na shikon. Me sytë e tij depërtues, prej nga buron një shkëlqim i jashtëzakonshëm, një shkëlqim i mprehtë e i ngrohtë njëkohësisht. Në këto sy vijon të vezullojë dukshëm inteligjenca. Shikimi ynë, i ngulur në fytyrën e Tij, gjashtë vjet pas vdekjes, duke e soditur këtë portret të jashtëzakonshëm, zbret ngadalë e ndalet në buzët fine, as të trasha as të holla, të lakuara në një mënyrë, që të kujton diçka ndërmjet gazit të ëmbël e seriozitetit të hekurt. Gjithë inteligjenca, që shkreptinte e shkreptin prej syve të tij, delte nëpër ato buzë të lakuara me një hir krejt të veçantë. Inteligjenca bëhej fe e njeriu, Papë, që krijon, ndritë, sqaron, ndryshon njerëz, kohë, vende, histori.
Sot, gjashtë vjet pas vdekjes, fytyra e Papës na shikon deri në thellësi të ndërgjegjes e, duke i njohur mirë druajtjet tona, na përsërit: “Vëllezër e motra! Mos kini frikë, hapjani në të dy kapakët portat Krishtit. Krishti e njeh shpirtin e njeriut. Vetëm Ai e njeh deri në fund!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.