Emocione të papërshkrueshme sot në Kriptën e Vatikanit e në ekspozitën-homazh të Benediktit
XVI për Gjon Palin II.
Emocione të papërshkrueshme, sot, në Kriptën e Vatikanit. Klerikë, rregulltarë, rregulltare
e laikë rrethuan gjithë ditën arkën me trupin e Gjon Palit II, mbështjellë me një
çarçaf të qindisur me ar, vendosur në Kapelën pranë varrit, ku pushoi në paqe për
gjashtë vjet me radhë. Tani Gjon Pali II ka dalë nga varri, për t’u lartuar në elter,
si Papë i Lumtur. Varri, i zbrazët, i ngjet një Varri tjetër, që të kujton ringjalljen.
Njerëzit gjunjëzohen para këtij trupi, thonë me devocion të papërshkrueshëm Rruzaren
Shenjte, prirë nga Misteret e Dritës, flasin me Papën e paharruar e i besojnë ndjetet
më të fshehta të zemrave, duke iu lutur për ndërmjetësim. I afrohen, pastaj, në majë
të gishtrinjve, në heshtje të thellë, e puthin e mbështesin një ças mbi Të Rruzaret,
si të donin t’ua bekonte. Ndjesi të paprovuara ndonjëherë ua mbushin shpirtin, në
sa i pushton gëzimi i parrëfyeshëm i takimit, gati fizik, me një Njeri të Lumtur.
E, duke prekur arkën, që ndryn një të vdekur, ndjejnë mrekullisht sesi prej saj buron
jeta, bekimi, lumturia. Lapidari i madh prej mermeri, nën të cilin Karol Vojtila pushoi
në paqe gjashtë vjet me radhë, është vendosur në një anë tjetër të Kriptës së Vatikanit,
për t’u transportuar, më pas, në Krakovi, në një Kishë të re, kushtuar të Lumturit.
Guri i rëndë nuk e mbyll më varrin, që ka mbetur i zbrazët. Ndërsa besimtarët kërkojnë
copëzat prej mermeri, mbetur nga hapja e varrit, për t’i ruajtur, si relike. E,
dy hapa më tej, në Krahun e Karlit të Madh, me hyrje nga Sheshi i Vatikanit, takohemi
përsëri me Papën polak, në ekspozitën-homazh, kushtuar Karol Vojtilës, nga Jozef Racinger. Vizitori
përshkon pesë sektorët e ekspozitës, duke u njohur nga afër me fëmijërinë e Karol
Vojtilës. E shikon, pastaj të ri e të rritur: punëtor, poet, aktor, seminarist klandestin,
meshtar, ipeshkëv, kardinal, papë, shkrimtar e filozof. Ndalohet para vitrinave, ku
janë ekspozuar librat që ka shkruar. Vizitori, që ndoshta memëzi ka shkruar vetëm
pak radhë gjatë gjithë jetës, pyet veten: “Si mundi të realizonte një punë kaq titanike?”.
Sepse nuk ishte penda, misioni i tij kryesor. Penda ishte vetëm një mjet, në shërbim
të Krishtit, të cilit i kushtoi kremtime, shtegtime, enciklika, i shërbeu me lumturimet
e shenjtërimet në të katër anët e botës, me sinodet, koncistoret. Janë aty, të gjitha,
para syve të vizitorit. Mbi këtë hapësirë, zhytur në gjysëm errësirë, për të shijuar
më mirë pamjet që parakalojnë nga ekranet, sundon Motoja e gjithë jetës së Karol Vojtilës
“Totus tuus”, me të cilën ia kushtoi papninë Virgjërës Mari, e cila u bë nëna e atij,
që e humbi nënën ende i mitur. Pastaj, një Papë tjetër, pak i njohur, i jashtëzakonshëm:
Një papë që vozitë me kanoa, që rrëshqet me ski, që noton, që shkruan vargje… Hyjmë
në jetën e tij intime. Shikojmë pjatën e thjeshtë, ku hëngri bukë për ditë; pendën,
me të cilën shkroi e, sidomos, kanoe-n a sandallin, me të cilën voziti në Poloni e
në Itali, skitë, biçikletën e vjetër të markës polake, me të cilën përshkonte udhët
e Vadovices, të Krakovisë e të Varshavës, kur ishte prift i thjeshtë, këpucët sportive,
të ngrëna nga përdorimi… E pastaj, paramentet e ditëve të mëdha, ndërmjet të cilave,
Manteli i qindisur me ar, që i mbulonte supet, ditën kur ai, që ia hapi Lindjes portat
drejt perëndimit, hapi Portën e Shenjtë në Shën Pjetër e, me të edhe Jubileun e Madh
të Vitit dymijë. Hapte, kështu, edhe portën simbolike drejt një shekulli të ri, ashtu
si ia pati profetizuar kardinali Vishinski. Sektor pas sektori, vizituesi arrin,
i ngarkuar me emocione të thella, në faqen e fundme të historisë së kësaj jete të
jashtëzakonshme, të njeriut, që shpallet i Lumtur: Papa kthehet tek shtëpia e Atit
qiellor. Ndërsa vizitori del nga ekspozita i prekur thellë, në pritje të 1 majit,
kur do ta shikojë në balloren e Bazilikës, në atë lozhë, ku pati dalë kur u zgjodh
Papë, për ta ftuar mbarë njerëzimin t’ia hapë pa frikë portat Krishtit.