2011-04-30 12:57:39

Don Lush Gjergji: Papa Gjon Pali II e shqiptarët


Papa Gjon Pali II ka qenë i jashtëzakonshëm jo vetëm për Kishën Universale por edhe për Kishën shqiptare, jo vetëm për njerëzimin e botës por edhe për shqiptarët në të gjitha trevat. Mbi figurën e Atit të Shenjtë Karol Vojtila e kosovarëve e shqiptarëve në përgjithësi ju propozojmë intervistën tonë me don Lush Gjergjin, meshtar kosovar, vikar i përgjithshëm i Kishës katolike në Kosovës, e më poshtë edhe një shkrim të tij mbi këtë argument, po ta dëgjojmë sëe pari intervistën............ RealAudioMP3
Pra kur flitet për frymëzimin dhe ndikimin e Papës Gjon Pali II e të Nënë Terezës për çështjen kombëtare shqiptare, si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, por edhe më gjerë, duhet thënë se ndikimi i tyre si në skenën botërore që ishte tejet i madhe e për shumëçka edhe vendimtar, po kështu qe edhe për botën shqiptare. Këtë më së miri do ta dëshmojë koha e rrëfejë historia. Po nuk mund të mos themi se që tani kemi shenja të risive dhe të rekordeve në nivel botëror, që s’do të shlyhen e harrohen lehtë, e ndoshta kurrë. Ja vetëm disa vështrime e krahasime mes këtyre dy personaliteteve:
Papa Gjon Pali II theu barrierat e paragjykimet e ndryshme fetare:
I pari Papë që pas 2000 vjetësh të krishterimit hyri në Sinagogën hebraike në Romë /1981/, u lutur së bashku me Rabin e besimtarët hebrenj dhe i cilësoi si “vëllezërit e mëdhenj apo të lashtë”.
Për herë të parë në historinë e feve, ftoi, organizoi dhe priu lutjen e përbashkët ndërfetare me të gjithë liderët e feve të ndryshme botërore në Asizi /1986/.
Si Papa i parë në vitin 2001 hyri në një Xhami duke u lutur së bashku me “vëllezërit myslimanë, bijtë e Abrahamit, monoteistë, së bashku me hebrenjtë dhe të krishterët” /2001/. Lista e gjesteve dhe veprave që bëri Papa Gjon Pali II do të ishte tepër e gjatë, po mjafton disa për të treguar guximin, largpamësinë e fuqinë vëllazërore që dëshmoi e tregoi para të gjithëve e kurdoherë.
Jeta dhe vepra e Nënës Terezë po ashtu është risi në historinë e Kishës Katolike, të krishterimit si dhe të mbarë njerëzimit.
Ajo veproi për ZOTIN – DASHURI dhe për VËLLAIN – NJERI, pa kurrfarë dallimi, përjashtimi, pretendimi, po vetëm“për t’ua dëshmuar të gjithëve, sidomos të varfërve dhe të vuajturve, dashurinë e Zotit”.
Të gjitha institucionet, shkollat, spitalet, strehimoret, qytetet e të gërbulurve…, me një fjalë e tërë jeta dhe vepra e së Lumes Terezë Bojaxhiu, si dhe e motrave misionare të saja, është për dashurinë e fenë në Krishtin dhe vëllain njeri të varfër, duke tejkaluar e tejkaluar në historinë e njerëzimit çdo dallim e paragjykim etnik, fetar, gjinor, fisnor, kastor, shoqëror etj. Kjo është dëshmia më e bukur që na la e Lumja Nënë Terezë, ikonë ungjillore Dashurisë së Zotit, dëshmi e fuqisë së fesë në Zotin dhe shembull frymëzimi e dashuria ndaj të varfërve e nevojtarëve.
Po të kthehemi se figura madhore e Papës Gjon Palit II kishte e njohu, nderoi, mbi të gjitha e deshi popullin shqiptar, kjo mund të themi edhe duke falënderuar Nënë Terezën e cila i tregonte Papës Vojtila për vuajtje e papërshkueshme që pësonte populli e vendi i saj.
Po përkujtoj vetëm disa gjeste konkrete:
Në vitin 1980 Gjon Pali II në Otranto të Italisë, pjesa më e afërt bregdetare me Shqipërinë, mbajti një fjalim të përmallshëm për Shqipërinë dhe Shqiptarët, duke nënvizuar vlerat dhe cilësitë e lashta dhe të larta dhe duke uruar ditë më të mira, paqe, liri dhe demokraci.
Në vitin 1984 Papa e vizitoi Barin e Italisë dhe ndër të tjera pati thënë: “Prej këtij qyteti mendimi im është drejtuar po ashtu kah vëllazëritë dhe motrat të Shqipërisë, të cilët s’kanë mundësi që botërisht ta tregojnë fenë e tyre, që është e drejta themelore e njeriut. Ndërsa u porosis të luteni për ta, dëshiroj t’iu them se ata janë posaçërisht të pranishëm në zemrën time…” /L’Osservatore Romano, 27-28. II. 1984, fq. 1/.
Më 27 prill 1986 Papa Gjon Pali II u takua me një grup besimtarësh shqiptarë katolikë që jetojnë në Romë. Me atë rast Papa i drejtoi atyre një fjalim të prekshëm dhe plot shpresë. Ja, fjala e Papës:
“Ky takim i pari në Romë me bashkësinë e Shqiptarëve, më prek thellë në zemër... Për çdo ditë, sidomos gjatë Meshës Shenjte, kërkoj të jetoj martirizimin e Popullit tuaj, të besimtarëve tuaj, të vëllezërve dhe motrave tuaja shqiptare, dhe lutëm për çdo ditë për Atdheun tuaj, për të gjithë besimtarët e feve të ndryshme si edhe për Kishën në Shqipëri, e cila është zhdukur sa i përket dukjes së jashtëm... S’mund të mbyetet njeriu që e ka fenë e gjallë... Kjo është shpresa jonë... Nëse në jetën e njeriut mbytet Zoti, mbytet edhe njeriu... /Drita, Ferizaj, 5-6/1986, fq. 1/
Më 6 maj 1988 Papa Gjon Pali II pati në audiencë një grup besimtarësh katolikë shqiptarë nga SHBA-ja dhe prej disa vendeve të Evropës. Ai në këtë rast ndër të tjera tha: “Këtë vend, gjeografikisht kaq afër, e kam posaçërisht në zemër... Si mos ta kemi dashurinë e veçantë ndaj një Populli, bashkësia katolike e të cilit i ka mbetur besnike Selisë Apostolike dhe në rrethana më të vështira e të dhunshme?...”/Drita, Ferizaj, 7-8/1988, fq. 1/.
Më 29 mars 1989, pas ngjarjeve të përgjakshme në Kosovë, Papa Gjon Pali II në audiencën e përgjithshme të së mërkurës, foli ndër të tjera edhe për gjendjen në Kosovë dhe tha: “U thërras të gjithë të pranishmit që në uratat tuaja ta kujtoni edhe një vend kaq të afërt,/ që është vendi i dashur jugosllav, /mendohet për Kosovën, vr. e redaksisë/, prej nga këto ditë na vijnë lajmet mbi konfliktet që shkaktuan pikëllim dhe vuajtje shumë familjeve…” /Drita, Ferizaj, 3-4/5-6/1989. fq. 1/.
Prej vitit 1981, sidomos pas vitit 1989 e deri në luftë /1999/, Papa Gjon Pali II personalisht, si dhe Shteti i Vatikanit, ka përcjell, përkrah dhe ndikuar te të gjitha institucionet ndërkombëtare për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Nëpërmjet Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit të gjitha Nunciaturat Apostolike të Selisë së Shenjtë /ambasadat e Vatikanit nëpër botë/, kanë qenë në shërbim të të drejtave njerëzore. /Lexo: Më gjerësisht lexo: Selia e Shenjtë dhe kriza në Kosovë, Prizren, 2003, fq. 1-148/.
Në vitin 1994 Gjon Pali II e emëroi dom Mikel Koliqin kardinal të Kishës Katolike, simbol i të gjitha martirizimeve të lashta dhe të afërta të Kishës dhe të popullit shqiptar, “për dëshmi të guximshme besnikërie ndaj Krishtit, duke përballuar vuajtjet e tmerrshme të shkaktuara nga persekutimi i ashpër që shpërtheu prej regjimit totalitar… Pas dimrit të ashpër të kundërshtimit të dhunshëm, Kisha shqiptare, së bashku me Ju mund të shohë sot me shpresë të ardhmen…”/ David Xhuxha, vep. e cit. fq. 120/.
Përmes Nënës Terezë dhe Papës Gjon Pali II çështja e Kosovës, si dhe ajo e shqiptarëve në përgjithësi, është ndërkombëtarizuar e sensibilizuar dukshëm, sidomos te Clintoni, por edhe te Kofi Anani, Bleri, D’Alema, Shiraku, Shroderi dhe shumë të tjerë, dhe kështu ajo u bë “pyetje e ndërgjegjes së njerëzimit”.
Dhe ndodhi mrekullia, ndërhyri bota për shpëtimin tonë. Kjo do t’ishte e pakuptueshme, e pashpjegueshme dhe e pamundshme pa ndikimin vendimtar të Nënës Terezë dhe të Papës Gjon Pali II.
Mos ta harrojmë edhe lumturimin e Nënës Terezë /19 tetor 2003/, nderin e Kishës dhe të popullit Shqiptar, bijën dhe motrën tonë, Nënën e mbarë njerëzimit, ku delegacioni dhe shtegtarët nga Kosova si ai nga Shqipëria, qenë afër Papës Gjon Palit II e para elterit në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan.
Me një fjalë, po të kishte qenë Gjon Pali II shqiptar, s’di çka do të kishte bërë më tepër për ne. Këtë duhet ta dimë të gjithë e mos ta harrojmë, sepse ia kemi borxh së pari të madhit Zotit, Papës Gjon Palit II, së Lumes Nënës Terezë, botës, si gjakut të bijve dhe të bijave tona. Don Lush Gjergji







All the contents on this site are copyrighted ©.