Më 29 prill 1967 u arrestua Atë Pjetër Meshkalla, meshtar jezuit shembullor, dëshmitar
i patrembur i Krishtit dhe Ungjillit, pishtar i demokracisë, i cili u dënua me 10
vjet burg për "agjitacion e propagandë" nga regjimi komunist i Shqipërisë. Atë
Pjetër Meshkalla pra, është një nga figurat më të ndritura të klerit katolik shqiptar,
simbol i martirizimit të Kishës katolike shqiptare të periudhës së regjimit komunist,
dëshmitar e mbrojtës i paepur i fesë në Zotin dhe i të drejtave njerëzore. 26 shtator
1901 - 28 korrik 1988: ndërmjet këtyre dy datave shtrihet jeta e jashtëzakonshme e
jezuitit shqiptar Atë Pjetër Meshkallës, të cilit sot i përkujtojmë përvjetorin e
arrestimit të tij nga regjimi komunist e ateist i Shqipërisë. E ndërmjet dy datave
të shënuara lartë kemi një mori ngjarjesh që karakterizuan jetën e tij: fillimisht
studimet në Seminarin Papnor në Shkodër, për të vijuar pastaj studimet tjera në Linc
të Austrisë, në Goricë të Sllovenisë, në Napoli të Italisë e deri te shugurimi meshtarak
i Atë Pjetër Meshkallës në Shkodër më 1931. Veprimtaritë e panumërta pastaj të
Atë Meshkallës, që nga themelimi i Rrethit të Dom Boskos në Tiranë për edukimin e
rinisë më 1934, te rrethi i Shën Pjetrit, po në Tiranë më 1937, tek shërbimet e panumërta
e të pandërprera ungjillore e fetare, si takimi më i vërtetë e i gjallë me njerëz
në Sakramentin e Rrëfimit në rrëfyestore, ku Atë Meshkalla si meshtar, atë e mik pranonte
çdo besimtar pendestar duke ndihmuar kthimin e çdo personi në rrugën dhe dritën e
Zotit. Pastaj duhet përmendur bashkëpunimin e Atë Meshkallës me revistat e gazetat
më në zë e të rëndësishme të kohës, guximin për të mbrojtur haptazi bindjet fetare
e njerëzore, pa marrë parasysh rrezikun e jetës, arrestimi me 1946, burgjet, ku Atë
Pjetri bëhet mësues i shumëkujt, kampet e skëterrshme, ku çon dritën e qiellit, aq
sa të quhet “Engjëlli i birucave” deri te lirimi, më 1960 e te profecitë e shprehura
në letrat e famshme drejtuar kryeministrit komunist e shqiptuar në kulmin e reaksionit,
ballë për ballë persekutuesve të tij, në mes të turmave të popullit, të cilat në zërin
e tij prej meshtari e dëshmitari të së Vërtetës e Dashurisë, dëgjuan jehonën e apostullit
të lirisë: “Ju mund të më dënoni sa të doni, por unë prap se pra do të jem lirë.
Ndërsa ju keni hangër shoqi-shojin”. Rinia do të shohë se nuk ka me shkue gjatë e
edhe një herë kanë me u nderte Kishat e kumbonaret, bile shi prej këtyre qi po i prishni!”.
I burgosur dy herë nga regjimi komunist, Atë Meshkalla mbetet simboli i inteligjencës
të persekutuar katolike nga komunizmi. Ai vetë e cilësonte kështu klerin katolik shqiptar:
“Kleri katolik shqiptar asht kleri mâ heroik që ka me cilësue historia në rrugën dymijëvjeçare
të Krishtit, sepse mbas 500 vjetësh robnì, po të merret prej vitit 1912 deri në 1944,
janë vetëm 30 vjet me formue nji kler, e për 30 vjet kleri katolik shqiptar ka nxjerrë
aq heronj sa nuk ka nxjerrë asnji kler tjetër në botë". Në një moment tjetër,
Atë Meshkalla pati pohue: “Për me kalue ndonjë ujë, hidhen në te gurë të mëdha e të
vogjël, të parët, të dytët, të tretët...zhduken, zhyten, nuk shihen ma.... hidh e
hidh, tek e fundit nisin me nxjerrë krye disa aty-këtu; rrëshqasin, prapë hidhen të
tjerë...deri sa bahet kalimi, keq a mirë, por bahet. Ka me ardhë koha që do të bahet
ma mirë. Na jemi gurët, të mëdha o të vogjël, të hjedhun në fillim, të cilët zhduken
e nuk shihen ma, por janë në temel të parë... Qe ambicioni i temelit: Me u zhdukë
e mos me u pa ma! Prej të parëve pritëm nji Shqipni të lirë! Nipat presin prej nesh
nji Shqipni të lumturn!” Sot jemi të gjithë dëshmitarë të realizimit të kësaj profecie
e ata që gëzojnë të mirat e lirisë e të demokracisë që kanë për themel gjigantë si
Atë Pjetër Meshkalla. Edhe sot Atë Pjetër Meshkalla, i prin njeriut në rrugën e humanizmit
e të shenjtërisë. Si Nënë Tereza, ai ishte shembull i dashurisë në veprim