2011-04-29 17:30:34

Mediat e mbarë botës, gati për Lumturimin e Papës Vojtila; më 1 maj, priten 87 delegacione.


(29.04.2011 RV)Jo vetëm Kisha, por mbarë bota, përgatitet për të ndjekur, me emocione të thella, Lumturimin e Gjon Palit II, të dielën e ardhshme: 2300, gazetarët e akredituar për të përfaqësuar 101 kombe; 87, delegacionet zyrtare të vendeve të ndryshme, ndërmjet të cilave, edhe delegacionet e rangut të lartë, që do të përfaqësojnë Shqipërinë e Kosovën. Do të jenë të pranishëm 19 presidentë dhe përfaqësuesit e 5 shtëpive mbretërore. Lidhur me përgatitjen e kësaj ngjarjeje të madhe, u mbajt sot paradite një takim në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë.
Nga çastet e lutjes, tek dëshmitë personale; nga Rruzarja, tek social network: Kisha, e posaçërisht dioqeza e Romës, përgatitet për kremtimin koral: Lumturimin e Gjon Palit II. Një festë, që do të vijojë tri ditë. Imzot Marko Frizina, drejtor i zyrës Liturgjike të Vikariatit të Romës, foli kryesisht për kremtimin e parë, organizuar nga dioqeza e Romës, që e kishte Papën Vojtila ipeshkëv, për natën përgatitore e lutjes, nesër mbrëma, në Cirkun romak Massimo. Kremtimin do ta kryesojë kardinali Agostino Valini. Pjesa e parë do të jetë kremtim i Kujtimit, me dëshmitë e atyre, që e njohën nga afër Papën Vojtila:
“Dëshmia e parë do të jetë ajo e doktor Navarro –Valls, pas të cilit do të flasin Motra Maria Simon Pierre, e cila u shërua mrekullisht, përmes lutjeve drejtuar Papës, mrekulli, që bëri të mundur edhe Lumturimin; pastaj do të flasë kardinali Dxhivish. Janë dëshmitë e dy bashkëpunëtorëve më të afërt të Atit të Shenjtë e të një dëshmitareje të jashtëzakonshme, që provoi në trupin e në shpirtin e saj, afërsinë e Gjon Palit II, duke u shëruar plotësisht e mrekullisht, nga sëmundja e Parkinsonit”.
Kardinali Agostino Valini, Mëkëmbës i përgjithshëm i Shenjtërisë së Tij për dioqezën e Romës, do të flasë përmbledhtas për personalitetin shpirtëror e baritor të të Lumturit. Çast kulmor i natës pa gjumë, do të jetë ai, kur besimtarët do të thonë Rruzaren Shenjte, së cilës do t’i prijnë Misteret e Dritës, që iu shtuan mistereve të tjera pikërisht nga Papa Vojtila. Rruzaja do të thuhet në lidhje me 5 shenjtëroret më të njohura mariane nëpër botë: me atë të Zojës së Libanit, Zojës së Fatimës, të Guadalupes, të Bugandos në Tanazani e atë Çestokovës, në Poloni. Don Valter Insero, drejtor i Zyrës së Komunikimeve Shoqërore të Vikariatit të Romës, theksoi se 8 kishat kryesore, në qendër të Romës, nga Cirku Massimo, tek Bazilika e Shën Pjetrit, do të jenë të hapura gjithë natën, duke u krijuar, kështu, besimtarëve, mundësinë të luten e të reflektojnë:
“Roma do të jetojë, për herë të parë “natën e bardhë të lutjes”. Nuk do të hapen dyqanet e as muzetë: do të jenë të hapura vetëm dyert e Kishave të qendrës, e jo vetëm ndërtesat me gurë, por mbi të gjitha, ato me gurë të gjallë, grupet e të rinjve. Një Kishë, kjo e Romës, do të jetë ditë-natë zgjuar, për t’i pritur shtegtarët e për t’i shoqëruar! Natë pritjeje, natë lutjesh!”.
U vu theksi edhe mbi mbulimin multimedial të ngjarjes, nga Twiter, tek face book e tek Youtube, falë projektit “Rojet dixhitale” koordinuar nga nga Këshilli Papnor i Komunikimeve Shoqërore e nga Qendra Televizive e Vatikanit që, së bashku me Radio Vatikanin, ka bërë punë të madhe në këtë sektor.
Drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit, atë Federiko Lombardi, saktësoi se që nga ora 3.00 e ditës së nesërme, zona e Sheshit të Shën Pjetrit dhe Rruga e Pajtimit do të jenë të mbyllura:
“Të shtunën pasdite, natën e deri në orën 5 të mëngjesit, nuk mund të hyhet në Rrugën e Pajtimit, as në Sheshin e Shën Pjetrit. Hapësirat, që lejojnë hyrjen në Shesh, do të hapen pikërisht në orën 5”.
Më pas u kujtua se Papa Gjon Pali II lumturohet më 1 maj, nën shenjën e Mëshirës Hyjnore, që Karol Vojtila e kishte aq për zemër.
Ngjarja do të ndiqet nga 1300 testata televizive, 230 fotografë, 700 radio e gazeta të 101 kombeve. Do të bashkëkremtojnë me Papën, të gjithë kardinajtë e pranishëm në Romë. Me ta, do të bashkohet edhe imzot Miesislav Mokricki, nga 1995 deri më 2005, sekretar i dytë i Papës Vojtila.
Atë Lombardi shpjegoi se kelku, që do të përdoret gjatë kremtimit, është ai që përdorte Papa Vojtila në vitet e fundit të papnisë. Përveç një relikuari, në formën e degëve të ullirit, në treme të bazilikës, do të ekspozohet edhe ampula me gjakun e Gjon Palit II. Do të ketë shumë blerim, nga qeparisat, që të kujtojnë jetën e amshuar, tek blerimi i harlisur i ditës së parë të muajit të luleve, majit, që të kujton mrekullinë e Krijesës!
Fotografia e të Lumturit të ri, një portret i vitit 1995, punuar me teknikën e sixhadesë, vendosur në fasadën e Bazilikës, do të zbulohet pas Lumturimit. Në përfundim të Meshës, Papa do të shkojë për të nderuar reliken e Gjon Palit II në Bazilikë. Pas tij, turma e besimtarëve. Nderimi i relikeve të të Lumit të ri nga ana e besimtarëve do të vijojë deri sa të gjunjëzohet besimtari i fundmë.
Të hënën, pastaj, në orën 10.30, në Sheshin e Shën Pjetrit, Mesha e falënderimit, kryesuar nga kardinali Tarçizio Bertone, sekretar i Shtetit të Shenjtërisë së Tij.
Së fundi, trupi i të Lumit të ri do të vendoset, në formë private, në Bazilikën e Vatikanit, pranë kapelës së Shën Sebastianit.
E për herë të parë, Kisha mund t’i lutet për ndërmjetësim, të Lumturit Karol Vojtila.







All the contents on this site are copyrighted ©.