2011-04-29 16:56:01

Fjalët e Gjon Palit II: “Krishti fle në barkën tënde. Në se je i tronditur, zgjoje. Ai nuk të braktis”.


Më 2 prill të vitit 2005, kur u përhap lajmi i zi i vdekjes së Gjon Palit II, bota mbarë u rrënqeth nga emocioni. Turmat në Sheshin e Shën Pjetrit e turmat para ekraneve televizive, u bënë një gjë e vetme, të bashkuar nga lutjet e nga lotët për Papën e dashur e të respektuar edhe nga shumë njerëz, që nuk besonin në Zotin. Siç ndodh gjithnjë, vdekja e një njeriu të dashur të kujton fjalët e gjestet e tij, kur ishte në jetë. Janë kujtime, që e ngushëllojnë sadopak njeriun, për humbjen e të dashurit. Të shumta janë fjalët, që Gjon Pali II i skaliti në zemrat e atyre, të cilët patën fatin ta dëgjojnë e që, sigurisht, vijojnë të kujtohen, duke nisur nga 2 prilli, gjashtë vjet më parë....

Rikujtojmë se Gjon Pali II ndërroi jetë, më 2 prill 2005, në orën 21. 37. Në dhomën e tij, ku në orën 20, kishte filluar kremtimi i Meshës Shenjte për festën e Mëshirës Hyjnore e, gjatë Meshës, pasi mori Kungimin – shujtën për udhëtimin e mbram dhe Vojimin e të sëmurëve - dha shpirt.
Tre minuta mbasi dha frymën e fundit, u publikua komunikata zyrtare e drejtorit të Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Navarro-Valls, ndërsa mijëra besimtarët, ndërmjet të cilëve edhe përfaqësues të bashkësisë katolike shqiptare në Romë, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, i njoftonte për lajmin e hidhur, Imzot Sandri:
“Fort të dashur vëllezër e motra, në orën 21. 37, i shumdashuri Ati ynë i Shenjtë Gjon Pali II u kthye në shtëpinë e Atit”.
Dhjetra e dhjetra mijëra njerëzit në Sheshin e Shën Pjetrit, iu përgjigjen me një heshtje të jashtzakonshme, nësa të gjitha këmbanat e Romës, përfshirë edhe këmbanën e madhe të Bazilikës së Shën Pjetrit, që bie vetëm për ngjarje të mëdha, nisën kumbimin e tyre të përmortshëm.
Ndërkaq kardinali Sodano intonoi De Profundis:
“Nga thellësia e shpirtit drejt teje çoj zërin, o Zot! O Zot, Zot, dëgjoje zërin tim!".
Pastaj nata pa gjumë vijoi me lutje të thëna e të kënduara të shumë familjeve, shumë të huajve e shumë romakëve, ndërprerë nga çaste emocioni, shprehje tronditjeje, lot, reflektime të të moshuarve e këngë të të rinjve, të cilët shoqëronin me kitarrë notat e paharrueshme të Himneve, që kujtonin Ditët Botërore të Rinisë.
Këto çaste ishin në qëndër të vëmendjes në mjetet e komunikimit. Shumë folën për një heshtje irreale. Ndoshta sepse kjo heshtje nuk ishte e ngarkuar me dëshprim, por me forcën për të pranuar se misioni tokësor i Gjon Palit II përfundoi, ndonëse ndër zemra ndjehej zbraztësia që la ai, të cilin u mësuam ta quajmë Atë; ai, i cili na mësoi të gjithëve t’ia hapim në dy kapakët portat Krishtit!
Vlejnë të kujtohen dy shenja të forta: Papa i Totus Tuus dha shpirt në të shtunën e parë të mojit, ditë kushtuar Zonjës së Fatimës, Zonjës Rruzare, me të cilën Gjon Pali II ishte posaçërisht i lidhur shpirtërisht. Së dyti, u kthye te shtëpia e Atit pikërisht kur Kisha kremtonte të Dielën e Mëshirës Hyjnore, themeluar nga ai vetë 5 vjet më parë, më 30 prill të vitit 2000, në përkim me kanonizimin e mistikes polake, motrës Faustina Kowalska, apostulle e Mëshirës Hyjnore.
Pastaj, përmes mekanizmit që e shyn jetën të ecë përpara, duke e sfiduar vdekjen, nga zemra e plasur prej dhimbjes, nisin të lulëzojnë kujtimet e ditëve më të bukura, e Papa, që nuk do të flasë më, që nuk mund të fliste më, nisi të na flasë përsëri, me zërin e thellë, të plotë, burrëror të dikurshëm. Me atë zë që, i dalë nga thellësia e shpirtit, arrin të fashitë luftën e t’i terë lotët:
“Vëllezër e motra! Mos kini frikë, hapjani në të dy kapakët portat Krishtit. Krishti e njeh shpirtin e njeriut. Vetëm Ai e njeh deri në fund!” .
Ua drejtonte këto fjalë njerëzve të fuqishëm, të pushtetshëm të botës, të cilët kishin frikë se Krishti mund t’ua merrte një pjesë të pushtetit, në se do ta linin fenë të lirë. Po, Krishti do t’ua merrte një pjesë të pushtetit, në se do ta kishin lënë të hynte: do t’u kishte marrë sundimin e korrupsionit, të shkeljes së të drejtave, të arbirtrarizmit. Por nuk do ta kishte prekur fare atë që i përket lirisë së njeriut, dinjitetit të tij, ndërtimit të një shoqërie të drejtë. Papa i siguronte të rinjtë se kush ia hap portën Krishtit, nuk humbet asgjë, asgjë, absolutisht asnjë nga gjërat që e bëjnë jetën të lirë, të bukur, të madhe. Vetëm përmes një miqësie të tillë hapen portat e jetës, çlirohen aftësitë njerëzore. Mos kini frikë nga Krishti! Ai nuk merr asgjë e jep gjithçka. Kush i dhurohet atij , merr njëqind fish më tepër. Po, hapjani, dy kapakësh, portat Krishtit – e do të gjeni të vërtetën” – ishte thirrja e tij e fuqishme, që përshkonte kontinentet:
“Për të afruar deri ata, që i bëjnë më shumë rezistencë Zotit, ata që e kanë vështirë të besojnë në dashurinë; që e konsiderojnë botën si një poligon të madh, ku të gjithë luftojnë kundër të gjithëve. Për t’i afruar të gjithë - domethënë secilin, tek Biri i Tij, për t’u treguar se dashuria zë kryet e vendit në historinë e njeriut. Për të kumtuar fitoren përfundimtare të dashurisë”.
Tani kuadrati i dritares, ndriçuar nga dielli, të cilit turma ia kishte ngulur sytë, duke u lutur e duke qarë, nuk është më prelud i një drite, që po shuhet, sepse gjithçka u krye. Prej asaj dritareje jehon akoma zëri i Papës; një thirrje, që del nga fundi i shpirtit e që, ndoshta, arrin deri te Froni i Zotit:
“Drita ndriçon në terrina. Na duhet vetëm t’ia vemë mirë veshin Fjalës së Zotit. T’i afrohemi kësaj Drite. Duhet të shtrëngohemi fort rreth Krishtit, të bashkohemi me të, me gjithjë shpirtin, me gjithë jetën tonë”.
Duhet të shtrëngohemi rreth Krishtit! Papa e bëri këtë deri në fund të fundit, përgjithmonë. U kthye tek Zoti i vet, i shoqëruar nga Nëna Hyjnore. Por s’ka mik në botë, që niset e shkon, pa premtuar se do të kthehet përsëri. E atëherë kumbojnë rishtas në zemra fjalët e Karol Vojtilës, që duket sikur shprehin shumë më tepër, nga sa pati thënë, kur u rikthye në Atdhe. E ne na duket se dalin drejtpërdrejt nga goja e tij. Atë natë të 2 prillit 2005, atdheu i njeriut, që shtegtoi rreth botës, u bë qielli; e përshëndetja, që u drejtoi bashkatdhetarëve dikur, sot na duket sikur na flet pikërisht për këtë shtegtim të fundmë. Të duket si përshëndetja e njeriut, që ka pushuar së lotuari, përshëndetje – siç do të ndodhë më 1 maj, - që rikthehet, për t’iu drejtuar besimtarëve:
“Kam përshtypjen e gjallë se shtegtimi zhvillohet si të ishte ndërmjet dy atdheve e, si të ishte kontakt fizik, bëhet edhe më i ndjeshëm në zemrën time. Lë atdheun e zgjedhjes e kthehem në atdheun e lindjes: është rikthim që, pas pak kohe, do të pasohet nga një tjetër kthim. Me këto ndjenja e me këto mendime po bëhem gati të nisem. Marr me vete të gjitha fytyrat tuaja, ku pasqyrohet dashuria e thellë, për të cilën ju jam sinqerisht mirënjohës. Ashtu si ju shpreh mirënjohjen time, që erdhët përsëri për të më takuar, për të më përshëndetur”.“Ju shpreh mirënjohjen time, që erdhët për të më takuar: këto fjalë të duket sikur u drejtohen atyre që nesër, më 1 maj, do të jenë në Sheshin e Shën Pjertit, në atdheun tokësor të Gjon Palit II, për ta parë Papën të Lumturuar, në atdheun qiellor.







All the contents on this site are copyrighted ©.