2011-04-27 15:41:18

Pranë Radio Vatikanit, fillojnë punimet e Asamblesë së Bashkimit Evropian të Radio-Televizionit


(27.04.2011 RV)Me ftesën e Radio Vatikanit, që sivjet kremton 80-vjetorin e themelimit, Bashkimi Evropian i Radio-Televizionit (Uer-Ebu), shoqatë që grupon emitentet radiotelevizive të shërbimit publik, të cilat veprojnë në Evropë e në pellgun Mesdhetar, do të mbajë pranë Radio Vatikanit, nesër e pasnesër, Asamblenë e vet të 17-të. Punimet do t’i hapë kryeipeshkvi Klaudio Maria Çeli, kryetar i Këshillit Papnor të Komunikimeve Shoqërore. Për këtë takim, kaq të rëndësishëm, në prag të Lumnimit të Gjon Palit II, intervistuam drejtorin e zyrës për marrëdhëniet ndërkombëtare të Radio Vatikanit, Xhakomo Gizani:

Përgjigje: - Radio Vatikani shpreh kënaqësinë për këtë takim, në të cilin do të marrin pjesë radiot, që punojnë në Evropë e në Afrikën e Veriut e që i përkasin kësaj shoqate profesionale, sektori më i vlerësuar, që ushtron ndikimin më të madh në nivel botëror.

Pyetje: - Cilat janë temat, në qendër të vëmendjes së takimit?

Përgjigje: - Asambleja e Radiove do të prekë temat më të rëndësishme, që kanë të bëjnë me punën e emitenteve, posaçërisht temat e shërbimit publik, në një kohë kur vetë shërbimi publik duhet t’i bëjë mirë llogaritë me disa problematika të vështira, siç janë, për shembull, pakësimi i burimeve materiale, që vihen në dispozicion nga qeveritë e nga shtetet; konkurrenca me radiot e me shërbimet tregtare, me një optikë të ndryshme, nga ai i shërbimit publik, e edhe shërbimi, që këto emitente duhet t’i bëjnë shoqërive përkatëse, për t’iu përgjigjur realisht misionit të tyre. E misioni është të zhvillojnë modele dialogu, ballafaqimi të hapur, pluralistik, në atmosferën e lirisë së informacionit.

Pyetje: - Lidhur me misionin, cili është kontributi i veçantë, që mund të japë Radio Vatikani?

Përgjigje: - Kontributi i parë, natyrisht, është ai i një emitenteje, që bën dialog e ballafaqim të veçantë. Ky dialog e ky ballafaqim, në rastin tonë, është në shërbim të fesë së krishterë. Qëllimi kryesor është edukimi i njerëzve me vlerat e idealet, që duhet të frymëzojnë çdo bashkësi. E ky kontribut vlerësohet. Për këto probleme do të flasë përfaqësuesi i Radio Vatikanit, duke theksuar se radioja ndiqet me interes të sinqertë, për origjinalitetin e kontributeve që jep ditë për ditë. E nuk duhet harruar se Radio Vatikani është ndërmjet themeluesve të Ebu (European Broadcasting Union).







All the contents on this site are copyrighted ©.