2011-04-27 14:53:54

Papa në audiencën e përgjithshme: të krishterët të impenjohen për ta shndërruar botën, në dritën e dashurisë së Krishti të ngjallur.


(27.04.2011 RV)Të jetojnë si të ringjallur, në mes të njerëzimit, për ta shndërruar botën në një vend më solidar; qytetet, në vende ku respektohet dinjiteti i të gjithë njerëzve. Kjo, theksoi Papa, është përvoja më e thellë, që mund të përjetojnë të krishterët për Pashkë. Benedikti XVI ia kushtoi katekizmin e audiencës së përgjithshme, mbajtur sot paradite në Sheshin e Shën Pjetrit, reflektimit për kohën e Pashkëve. Në përfundim, Papa u drejtoi një përshëndetje të përzemërt besimtarëve të Lampeduzës, duke e vlerësuar lart frymën e solidaritetit, me të cilën po i presin emigrantët.
Nuk mund të themi se i kremtuam Pashkët, në se gjithçka mbetet siç ishte më parë, brenda e për rreth të krishterit. Në se freskia e gëzimi nuk e shndërruan atë vetë e edhe vendet në të cilat jeton. Është kjo e vërteta e thjeshtë e misterit të madh të fesë, që Benedikti XVI ua shpjegoi edhe një herë besimtarëve. I krishteri, i ngjallur së bashku me Jezusin, është i thirrur të sillet, në një botë të errët, si bir i dritës:
“Ngjallja e Krishtit na çon drejt një jete, që nuk i nënshtrohet më paqëndrueshmërisë së kohës, një jete të zhytyr në amshimin e Zotit. Në ngjalljen e Krishtit nis një gjendje e re e të qenit njeri, gjendje që e ndriçon dhe e shndërron udhën tonë të përditshme, që hap një rrugë cilësisht të ndryshme, krejtësisht të re, për mbarë njerëzimin”.
Papa, pra, i porositi besimtarët t’i jetojnë Pashkët ditë për ditë, sepse vetëm kështu mund ta ndryshojnë edhe cilësinë e jetës së tyre. Me kusht që të krishterët të jetojnë si të ringjallur. Po si duhet vepruar, për t’i bërë Pashkët jetë? Papa i dha përgjigje kësaj pyetjeje, me fjalët e Shën Palit. Mbi të gjitha, tha, duhet menduar për sendet që janë në qiell, e jo për ato, që janë në tokë:
“Në vështrimin e parë, duke e lexuar këtë tekst, mund të duket se Apostulli kërkon që besimtarët t’i përbuzin realitetet tokësore, duke i ftuar ta harrojnë fare këtë botë, ku ka vetëm vuajtje, padrejtësi, mëkate, për ta jetuar, kështu, edhe mbi dhé, parajsën qiellore. Mendimi i qiellit, në këtë rast, do të ishte një lloj ftese për t’u larguar nga gjithçka tokësore”.
Sendet tokësore, pohoi Benedikti XVI, janë sidomos dëshira e pangopur për pasuri dhe egoizmi, rrënjë e të gjitha të këqijave. Zhveshja nga këto të këqija e riveshja me Krishtin, që domethënë me ndjenjat e dashurisë, të mirësisë, të butësisë, sipas përshkrimit të njohur të Shën Palit, e bëjnë të krishterin të aftë për të rrezatuar dritën e Krishtit në botë. Prandaj mund të themi se të jesh i krishterë, nuk do të thotë të mbyllesh brenda vetes, shumë larg kësaj bote:
Shën Pali nuk dëshiron t’i ftojë të krishterët, secilin nga ne, të ikin nga bota, ku na vendosi vetë Zoti. Është e vërtetë se ne jemi qytetarë të një ‘qyteti’ tjetër, ku ndodhet atdheu ynë i vërtetë, pa harruar se ecjen drejt këtij caku duhet ta bëjmë ditë për ditë, këtu, mbi tokë(…) E kjo është udha që na shndërron jo vetëm ne, por edhe botën, për t’i dhënë qytetit tokësor një fytyrë të re, e cila e ndihmon zhvillimin e njeriut e të shoqërisë, sipas logjikës së solidaritetit, të mirësisë, të respektit të thellë për dinjitetin e të gjithë njerëzve”.
Ja pra, këto janë Pashkët, kalim i thellë e i plotë, që, siguroi Benedikti XVI, krijon një harmoni të re në shpirtin tonë e në marrëdhëniet me të tjerët e me sendet:
“Çdo i krishterë, ashtu si dhe çdo bashkësi, në se e jeton përvojën e kalimit të ringjalljes, nuk mund të mos jetë tharm i ri në botë e të mos e dhurojë, pa kursim, vetveten për çështjet më urgjente e më të drejta, siç na dëshmon shembulli i shenjtorëve të çdo epoke e të çdo vendi (…). Është detyra jonë e misioni ynë: të ringjallim në zemrën e të afërmit shpresën, atje ku dërmon dëshprimi; gëzimin, atje ku mbretëson trishtimi, jetën, atje ku kërcënon vdekja”.
Në përfundim të audiencës së përgjithshme, Benedikti XVI u drejtoi një përshëndetje të posaçme diakonëve të Shoqërisë së Jezusit, përfaqësuesve të Shoqatës Kombëtare të Viktimave të Amiantit si dhe Vëzhguesit Kombëtar të Amiantit, duke i nxitur ta vijojnë veprimtarinë e tyre të rëndësishme në mbrojtje të mjedisit e të shëndetit publik.
U pritën me duartrokitje e stuhishme fjalët e Papës, drejtuar besimtarëve të ishullit të Lampeduzës, cak i përhershëm i arritjes së masave të emigrantëve, siç vijon të ndodhë edhe sot, me arritjen e një morie njerëzish, të trembur nga konfliktet, që dynden për ditë nga Afrika Veriore:
“Ju inkurajoj të vijoni impenjimin e çmuar të solidaritetit ndaj vëllezërve emigrantë, që gjejnë në ishullin tuaj, strehën e parë të mikpritjes: njëkohësisht uroj që organet kompetente të vijojnë veprimtarinë e domosdoshme të ruajtjes së rendit shoqëror, duke mbrojtur të drejtat e të gjithë qytetarëve”.







All the contents on this site are copyrighted ©.