Papa: Ngjallja e Krishtit na tregon udhën e jetës së vërtetë
“Krishti ngjallur prej së vdekurish është themeli i fesë sonë “– tha Papa gjatë audiencës
së përgjithshme – duke folur mbi festën e Pashkëve. “Prej Pashkëve rrezaton, si prej
një qendre të shndritur, plot dritë, të shkëlqyeshme, tërë liturgjia e Kishës, duke
nxjerr prej saj përmbajtjen dhe domethënien. Kremtimi liturgjik i vdekjes e ngjalljes
së Krishtit nuk është thjeshtë përkujtim i kësaj ngjarjeje, por është aktualizimi
i saj në mister, për jetën e çdo të krishteri e të çdo bashkësie kishtare, për jetën
tonë”, tha Papa e bëri thirrje të përtërihemi, të rilindemi në Dritën e Ngjalljes
së Krishtit, duke luftuar çdo mëkat që na largon nga kjo Dritë e domosdoshme, që është
Jezusi. “Lakmia është rrënjë e çdo mëkati”. Benedikti XVI ka cituar këto fjalë
të shën Palit në Audiencën e Përgjithshme mbajtur sot paradite në sheshin e shën Pjetrit
në Vatikan. “Lypet – u tha afër 35 mijë besimtarëve të pranishëm në katekizmin e së
mërkurës në Vatikan – të jetojmë misterin e Pashkëve në jetën tonë të përditshme.
T’u shmangemi sendeve tokësore”, të cilat Papa teolog gjithnjë duke cituar Apostullin
e paganëve i numëroi: “papastërtia, dëshirat e këqija, epshet, idhujtaria dhe lakmia,
që është dëshira e tepruar e të mirave materiale”. Duhet ta shuajmë, madje ta asgjësojmë
në ne dashurinë e pangopur të të mirave materiale, egoizmin, rrënjën e çdo mëkati.
E pra, kur Apostulli i fton të krishterët të shkëputen me vendosmëri prej £sendeve
tokësore”, dëshiron në mënyrë të qartë të bënë të kuptohet atë që i përket “njeriut
të vjetër”, prej të cilit i krishteri duhet të zhvishet, për t’u veshur me Krishtin”.
Pashkët, me kremtimin e ngjalljes së Krishtit, na tregojnë “jo vetëm udhën për
të ndryshuar, shndërruar vetveten tonë, por të shndërruar botën, për t’i dhënë qytetit
tokësor një fytyrë të re që favorizon zhvillimin e njeriut e të shoqërisë sipas logjikës
së solidaritetit, të mirësisë, në respekt të thellë të dinjitetit të çdonjërit”. Kështu
pohoi mes tjerash Benedikti XVI në katekizmin e audiencës së përgjithshme, kushtuar
Pashkëve, “zemrës së misterit të krishterë”.