Më 27 prill kalendari Kishtar përkujton Shën Simeonin, ipeshkëv i Jerusalemit e martir.
Ipeshkvi Shenjt qe prijësi i dytë, pas Shën Jakut Apostull, i bashkësisë së parë të
krishterë, që u formua në Jerusalem e që jetoi në një frymë vëllazërim të plotë, sipas
urdhrit të dashurisë, predikuar nga Jezusi: "Duajeni njëri-tjetrin, ashtu si ju desha
unë". Shën Simeoni pati fatkeqësinë të shikonte rrënimin e Jerusalemit, parafolur
prej Jezusit. Bashkësia e vogël e krishterë, duke kujtuar këtë parafolje, u largua
me kohë dhe shpëtoi nga fati tragjik, që u takoi banorëve të tjerë të Qytetit Shenjt,
në të cilin romakët nuk lanë gur mbi gur. Si kaloi stuhia, bariu i mirë i priu
grigjës drejt shtëpive tashmë të shkatërruara dhe filloi, bashkë me besimtarët, rindërtimin
e Kishës, Nënë e të gjitha kishave, duke arritur t'i kthejë në fe të Krishtit shumë
hebrenj, që vërtetimi i profecisë së Jezusit i kishte shtyrë të meditonin mbi mesazhin
ungjillor, të cilin më parë nuk kishin dashur ta pranonin. Simeoni jetoi gjatë.
I udhëhoqi të krishterët e Jerusalemit për më se dyzet vjet e, kur dha dëshminë e
gjakut për Krishtin, gjatë periudhës së dytë të persekutimit të madh, që shpërtheu
në të gjithë perandorinë romake, e kishte kapërcyer pragun e njëqindtës. Pas persekutimit
të parë, që goditi vetëm bashkësinë e krishterë të Romës, të cilën Neroni e akuzoi
për djegien e qytetit në vitin 64, bashkësia katolike gëzoi një farë paqeje. Por
shumë shpejt, nën perandorin Domician, salvimi rifilloi me furi dhe çoi në vdekje
disa përfaqësues të shquar të aristokracisë romake, në gjirin e së cilës kishte nisur
të depërtonte feja e krishterë. Një persekutim tjetër, që shpërtheu nën Perandorin
Trajan, u shtri në të gjitha provincat e Perandorisë, ndonëse qëllimi i tij nuk ishte
aq t'i dënonte me vdekje të krishterët, sa t'i bënte të hiqnin dorë nga Krishti. Vendosmëria
e mahnitshme, me të cilën të krishterët refuzuan ta mohonin fenë, përbën një nga faqet
më të lavdishme të historisë së Kishës. E pikërisht në kohën e Trajanit, Simeoni,
ipeshkvi i Jerusalemit, "vëlla me Jezu Krishtin", i mbaroi ditët në kryq, si Zoti
i vet!