Nxënësit e Emausit takohen me Krishtin e ngjallur: ata nuk e dinë kush është ky “Shtegtar
misterioz”, e megjithatë fjalët e tija ua ngrohin zemrat aq, sa t’i luten: “Rri me
ne”. E njohin më pas në të thyer të bukës. “Fjala e Zotit e Buka e Eukaristisë
– mister e dhuratë e Pashkëve, mbeten në shekuj kujtim i përhershëm i mundimeve, i
vdekjes dhe i ngjalljes së Krishtit!” E edhe ne, sot, në ditën e Pashkëve të ngjalljes,
së bashku me të gjithë të krishterët e botës përsërisim: Jezus i kryqëzuar e i
ngjallur, rri me ne!” “Rri me ne, mik besnik e mbështetje e sigurt e njerëzimit
në shtegtim nëpër rrugët e botës! Ti, Fjalë e gjallë e Atit, jepu shpresë e
besim atyre që e kërkojnë kuptimin e vërtetë të jetës së tyre. Ti, Bukë e jetës
së pasosur, ushqeje njeriun e uritur për vërtetësi, për liri, për drejtësi, për
paqe. Rri me ne, Fjalë e gjallë e Atit, mësona fjalë e gjeste paqeje: paqe
për tokën e shuguruar nga gjaku yt; paqe për Vendet e Lindjes së Mesme e të Afrikës, ku
vijon të rrjedhë gjaku rrëké: paqe për mbarë njerëzimin, mbi të cilin varet përherë rreziku
i luftërave vëllavrasëse. Edhe ne, burrat e gratë e mijëvjeçarit të tretë, kemi
nevojë për ty, o Zot i ngjallur! Rri me ne deri në fund të kohëve. Bëj që progresi
material i popujve të mos i errësojë kurrë vlerat shpirtërore që janë shpirti
i qytetërimeve të tyre. Na ndihmo, të lutemi, në shtegtimin tonë. Besojmë në
Ty, në Ty shpresojmë, sepse vetëm ti ke fjalët jete të pasosur…