2011-04-24 17:50:08

Patriku i Jeruzalemit: ta ndihmojmë rininë arabe në kërkim të drejtësisë e dinjitetit.


(24.04.2011 RV)“Të jemi dëshmitarë të ngjalljes para Varrit të zbrazët të Jezusit, siç qenë gratë e dishepujt: kjo ishte ftesa e patrikut të Jeruzalemit, imot Fuad Tual, në homelinë e Meshës pontifikale të së Dielës së Pashkëve, kremtuar sot në Bazilikën e Varrit të Shenjtë të Jeruzalemit. Në Kishën e Ngjalljes, siç e quajnë arabët e krishterë, përplot me besimtarë vendas e shtegtarë, ardhur nga të katër anët e botës, jehuan brohoritjet e këngët e gëzimit. Kisha e lashtë u tund nga Aleluja e besimtarëve, kënduar me atë emocion, që zgjon në mënyrë të natyrshme, prania në vendin ku ndodhi ngjarja më e pangjarë në historinë e njerëzimit.
Kulmi i kremtimit, shpallja e Ungjillit: këtu shpërtheu gëzimi, rreth varrit të zbrazët e elterit, të vendosur përball. E përball varrit të zbrazët, Patriku Tual, në homelinë e tij, i ftoi të gjithë besimtarët të jenë dëshmitarë të rinj të ngjalljes, ashtu si gratë, atë ditë të largët e të afërt, ashtu si dishepujt.
Por sot, si atëherë, vijoi patriku i Jeruzalemit, nuk mjafton ta kumtojmë Krishtin dhe ngjalljen e tij vetëm me fjalë. Duhet ta dëshmojmë me veprat tona, me unitetin tonë, këtu, në këtë Tokë, që u shenjtërua nga jeta, nga mundimet e nga ngjallja e Tij.
Ajo që pritet sot nga ne, pasardhës të Apostujve e të bashkësisë së parë të krishterë, tha akoma imzot Tual, është ta varrosim atë pjesë të shpirtit tonë, që i përket botës, t’i braktisim përçarjet, dhunën, pabesinë e frikën, për të nisur një jetë të re, jetë njerëzish të ringjallur.
Në vijim prelati kujtoi se një brezni e tërë e re, në kërkim të ringjalljes të popullit të vet, nuk ka mjet tjetër për ta ndryshuar gjendjen, përveç vullnetit e besimit në një ardhmëri më të mirë. Prej këndej, ftesa drejtuar besimtarëve: “T’i ndihmojmë prandaj, të rinjtë, me lutjen tonë, me inkurajimin tonë, me këshillat tona”.Liturgjia pranë Varrit të Shenjtë të Krishtit u mbyll me një këngë lavdërimi kushtuar të Ngjallurit. Patriku, françeskanët, priftërinjtë, ministrantët dhe të gjithë besimtarët, duke mbartur me procesion Ungjillin, u sollën tri herë rreth elterit, ku ruhet Varri i zbrazët i Krishtit si dhe rreth vendeve të Anastasis dhe shpallën katër Ungjijtë e Ngjalljes. Edhe një herë, shi atje ku u ngjall Zoti, jehoi lajmi i gëzuar i Pashkëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.