2011-04-24 16:40:24

Pashkë 2011: Natyra mbarë merr pjesë, në koncertin vigan të jetës.


Pashkët, kulm i shpresave njerëzore për jetë, solemnitet me dritë-hije të theksuara, i vënë thekshëm në dukje kundërshtitë e shpirtit njerëzor: mjerim e madhështi; mëkat e përdëllim; errësirë e dritë, mbarim e ringjallje. Pashkët janë pikë kulmore, në të cilën shkëlqen modeli i madhështisë: Njeriu-Zot, që e siguron njeriun-njeri se mund të marrë pjesë, së bashku me Të, në krijimin e botës. Sepse lindi e jeton si njeri, por ka në shpirt flakën e pasionit hyjnor.
Kur afrohen Pashkët e Krishtit, edhe bari e ndjen frymën e ditës së ringjalles. Edhe gjethi, që vallëzon, në blerim të prillit. Gjithçka mungullon nën diell! Gjithçka është në pritje të dridhshme të festës, në sa nga larg nis të ndjehet jehona e organos qiellore, që shoqëron korin madhështor të engjëjve e të njerëzve në Alelujën e Pashkëve, në himnin e Krygjës:
Të falem o Krygjë!
Shpresa e mbarë njerëzimit.
Ti dorën njeriut ia mësove
për punë të mbara,
e mendjen,
për ta rrahë kah amshimi!
T’falem, o Krygjë,
ku kapesh ti gurron jeta,
mbretëron dashuria
ngadhënjen shëlbimi!
Vetë ajri dridhet nga mahnitja e ndjen si ndizet zjarri i ri, si lind bekimi i ri, si lulëzon mrekullia e re. Vdekja, që mbyt me hukamën e vet të akullt, ikën e tmerruar, e mundur: jeta zbret fitimtare nga kryqi, në trojet e përtërira nga drita e gëzimi i Pashkëve.
Po përmbi truall pasqyrohet hija e një dege të goditur nga rrufeja. Hija e kryqit, mbi barin e blertë të prillit. Të kujton se lufta në zemrën tënde do të vijojë. Edhe një vit. Edhe shumë vjet. Prej pashkëve, në pashkë. Deri te pashkët tua. Sepse edhe ti e ke në zemër dramën tënde njerëzore e hyjnore, ashtu si Krishti, që e luajti deri në fund rolin e tij të pashembullt në skenën e mjerë të tokës, prej nga doli si i kryqëzuar, për të hyrë, me pushtetin e Gjykatësit të gjithëpushtetshëm, në skenën e amshuar të qiellit. Ku të pret.
Po jeta është e shkurtër e bora flokon shpejt mbi flokë. Ndonëse vdekja vijon të fryjë bashkë me erën, pa zhurmë; duke djegur pemë, livadhe, zemra. Njeriu luhatet në kalim të saj, shtrin krahët e kërkon një fill kashte, ku të kapet. E sheh para vetes drurin në formë kryqi, e gozhdat. I vetmi cak shpëtimi, ky dru lakuriq, pa degë e pa gjethe, ku gëzimi njerëzor gozhdohet, për të rilindur në lumturinë e pacak. Ku shpresa ringjallet nga mundimet e morti. Nga druri i zhveshur përhapet një britmë e thekshme, që përshkon hapësirë e kohë. Përshkon të kaluarën, të sotmen, të ardhmen. Është britma e dhimbjes shekullore, që njerëzimi mund ta mbartë vetëm me forcën, që buron nga druri i zhveshur i kryqit.
Zemra e ndjeshme njerëzore dëgjon jehonën e koreve misterioze. E dëgjon njeriu, hëna, merimanga, miza, bari, kopshti i ullinjve në Gjetseman. E dëgjon gjithçka na rrethon. E gjithçka kemi në shpirt. Të gjithë bëjnë pjesë në paesazhin e mundimeve. Mundimeve të Tij, mundimeve tona. Po Ai, nga kryqi, e rrëmben botën. E përflak. E shndërron! Prania e kryqit ndër zemra, është prani e ringjalljes. Është fund i lotëve. Ngadhënjim i të gjitha virtyteve njerëzore. Akti i fundmë i një tragjedie: tragjedisë së Kalvarit, që e ndryshoi arsyetimin e botës.
Pashkë! Mbarë natyra është në pritje të Ringjalljes. Natyra mbarë merr pjesë, me mijëra zëra, në koncertin vigan të jetës. Nga fleta e ullirit, që vallëzon në të Dielën e Larit; tek lulja, që shpërthen me gjithë bukurinë e vet, te këmbët e Kryqit, ditën e ringjalljes. E njeriu s’gjen dot fjalë për ta shprehur mrekullimin, përball universit të pushtuar prej hirit hyjnor, prej bukurisë e shkëlqimit.
E ardhmja është plot me këtë pritje.
E, megjithatë, edhe njeriu i fesë e di se Kalvari përsëritet, se fundit s’i dihet, se i duhet ta mundë ditë për ditë Adamin plak, që vijon të fshihet në skutat e shpirtrave. Se i duhet ditë për ditë, të marrë pjesë në kryqëzimin e botës, në dhimbjen këlthitëse njerëzore, në përpjekjen mbinjerëzore për ta pohuar, jetën e mohuar, në dhimbjen e vëllezërve, që vijojnë të mundohen, si Krishti në kryq, në të katër anët e botës.
Asgjë nuk ka marrë fund! Sa më e ndritshme është dita e Ringjalljes, aq më i dhimbshëm shtegtimi drejt Dritës.
Po Pashkët e Krishtit e hapën portën drejt shpresës; dritaren, drejt misterit, për aventurën e madhe, të lirë, të njeriut.







All the contents on this site are copyrighted ©.