Eja vëlla, është për ty kjo festë, ky agim shprese e gëzimi. Tepër gjatë ke
ecur nëpër natë. Sytë nuk e durojnë më këtë errësirë të dendur, këtë terr
të frikshëm që mbulon çdo gjë. Eja, kemi bërë gati një zjarr, eja, kemi ndezur
një dritë. Tani e tutje edhe ti e di se në Krishtin Jezus të gjithë mund të
fitojmë mbi ankthin e natës e të gjejmë dritën për të shkuar përpara. Eja, vëlla,
për ty është kjo festë, ky agim ku kujtimi bëhet realitet. Tepër gjatë ke ecur
në heshtje, si dikush që ka humbur kujtesën, e nuk di nga vjen e ku shkon. Je
takuar me rreziqe e pengesa në vetminë tënde pa mbrojtje. Pa një fjalë ngushëllimi,
pa një fjalë besimi, pa një fjallë vëllazërore. Eja, e kemi hapur Librin, eja,
duam të dëgjojmë një Fjalë jete. Tani e tutje edhe ti e di se në Krishtin Jezus mund
të lidhim të gjithë aleancë në amshim me Zotin e me njerëzit. Eja, o vëlla,
kjo festë është për ty, ky agim që na bën të lindim në një jetë të re. Tepër
gjatë ke ecur në shkretëtirë, duke e lënë pluhurin të ngjitet në lëkurë e në
rroba, në zemër e në sy e ta thajë e ta bëjë eshkë grykën. Eja, këtu është uji
i gjallë që gurgullon gjithnjë për ty, uji i pagëzimit. Tani e tutje edhe ti
e di se në Krishtin Jezus mund të ringjallemi për një jetë të re, si bij të
Zotit. Eja, vëlla, është për ty kjo festë, kjo tryezë e shtruar, kjo darkë ofruar
për të gjithë. Tepër gjatë ke ecur pa bukë e pa ujë. Të kanë lënë forcat, energjitë
janë shuar. Tani e tutje edhe ti e di se Krishti Jezus është Buka e Vera e jonë, Korp
i thyer, Gjak i derdhur për jetën e botës.