2011-04-24 08:09:28

Krishti u Ngjall! Me të vërtetë u Ngjall! Aleluja! Për shumë Mot Pashkët!


Krishti, Shëlbuesi ynë, fitoi mbi vdekjen: Krishti u ngjall! Me ngjalljen e tij, gjithçka nis nga fillimi. Atje ku mbretëron mëkati, tani mbretëron hiri. Kush u varros me Të në vdekje,sot me Të u ringjall, për të ecur në një rrugë të re, për të filluar një jetë të re, me vetëdijen se njeriu ynë i vjetër u kryqëzua së bashku me Krishtin.
Në solemnitetin e Dielës së Shenjtë të Pashkëve, me Liturgjinë Hyjnore përshkohen ritet e simbolet dhe rrëfimi ungjillor i ngadhënjimit të Krishtit mbi vdekjen, e kështu, të gjithë besimtarët e dëgjojnë, mësojnë dhe kuptojnë mesazhin e shpresës që përçon ky kremtim Pashkor, mesazhin e Jetës që buron nga Krishti Gjallë, Ai që e asgjësoi vdekjen përgjithmonë.
Në këtë Ditë tejet të Shenjtë, ti bashkojmë zërat tanë me zërin e Kishës, që kumton lajmin gazmor e solemn të Ngjalljes së Krishtit, Dhëndrit e Zotit të saj, Fitimtar mbi vdekjen e mbi mëkatin. Ngjallja e Jezu Krishtit është shpresa jonë. Jezusi u Ngjall edhe për ne, që duke besuar në Të, ta kemi jetën e vërtetë e të pasosur. Mase dymijë vjet pas kësaj ngjarjeje, Kisha e jeton si të ndodhte sonte, kur ne ju drejtojmë urimin tonë:
KRISHTI U NGJALL, ALELUJA; VERTETE U NGJALL ALELUJA! - PËR SHUMË MOT PASHKËT! dëgjues të nderuar!
Po, Krishti, Shëlbuesi ynë, fitoi mbi vdekjen: Krishti u Ngjall! E i fton të gjithë, burra e gra, të çdo kohe e të çdo vendi, ta ndihmojnë për ta pohuar e kumtuar fitoren e tij me të njëjtat armë: armët e drejtësisë e të së vërtetës, të mëshirës e të paqes, të faljes e të dashurisë. Kjo është zemra e mesazhit të Pashkëve 2011:
Urime - Gëzuar - Pashkë të bardha! Alelulja!







All the contents on this site are copyrighted ©.