2011-04-24 16:40:51

Imzot Martinelli pohon: në Libi djalli i luftës mund të shkatërrohet!


(24.04.2011 RV)Sulme të reja ajrore të Natos në Tripoli, ku mbrëmë u dëgjuan shpërthime të fuqishme. Së paku, 14 viktimat dhe më se njëqind, të plagosurit në Mizurata dje, kur forcat e Gedafit tërhiqeshin e hynin në luftë avionët amerikanë pa pilot, që njihen me emrin ‘dron’. Rebelët galdojnë, ndërsa koloneli i ftoi fiset vendase, duke u besuar detyrën për të gjetur rrugëdalje. Por, si ta vlerësojmë këtë ftesë? Imzot Inoçenco Martinelli, mëkëmbës apostolik në Tripoli, përgjigjet:

Përgjigje: - Janë të gjitha familje të mëdha, që kanë pushtet moral, juridik e edhe përgjegjësi për vetë popullsinë. Mund të themi se është udhë e rëndësishme për rikrijimin bashkëjetesës në Libi. Ta njohësh këtë aspekt, do të thotë të kesh në dorë çelësin e rrugëzgjidhjes politike.

Pyetje: - Imzot Martinelli, si i kremtuat sot Pashkët?

Përgjigje: - E vetmja gjë, që e ndihmon bashkësinë tonë të krishterë të vuajë me durim, është forca e fesë! Sot, duke u lidhur me grupe të ndryshme të krishterësh në Hun, Nalut e Sirte, pata kudo ndjesinë e fortë se Krishti u ngjall. U ngjall, kjo është rruga jonë, forca jonë e siguria jonë, pavarësisht se jemi njerëz të rrethuar në të katër anët nga vdekja. Krishti i ngjallur na siguron, sidomos, se mund të fitohet mbi djallin e luftës!







All the contents on this site are copyrighted ©.