I u solla historís me më ndihmue, e tue xanë fíll prej kohve mâ të lashta, shkova
tue kerkue, thue po mund të ndeshi në nierin, n’atê, qi në kurrnji rasë as në kurrnji
punë, as njiherë e n’asnji mënyrë nuk pat dy faqe jete, atê t’idés e të mirsís e atê
të metës e të ligshtís.Vetem në një ndesha e në tê ngela. Në tê gjeta nji fuqí morale
pa kurrkund shoqe, nji madhní shpírtnore pa kurrkund shembull, nji zotnim të plotë
e të perhershem mbi veti e mbi gjithçka tjeter jashta vetit, atê e gjeta mbi sferen
e dhimës e të dhunës, mbi çëdo mirsí e çëdo dobsí, mbi gëzime e dhima, perherë nji
e i patrandshem, qi tash mâ gadi 2000 vjetë ia qiti bejlegun botës e nierzimit, kúr
thote: Të provojë kush, në mujtë, me gjetë kund mkat a mungesë! Edhe shekull mbas
shekulli s’pat kush shka me i thanë. Aj i vetmi, nieri, mbi nieri, nieri vetë ia duel
me kenë nji i njajtë si në fjalë si në punë, si në kenë, si në dukë, si nji herë ashtu
per herë, ideali, mirsija, e verteta e mishnueme. Ai jo vetem tha: Lum kush
mjeron, lum kush bán e duron, lum kush nuk ka gjâ mbas shpirtit, lum kush hjekë keq,
pse âsht i drejtë, lum kush âsht zemermirë e zemerdlirë, lum kush e mûn të keqen me
të mirë… Por ashtu edhe bâni. Këto kjenë lumnít e idealet e tija. … … … …
… Kund gadi 2000 vjet, del nji nieri në botë, e thotë: Un jam Zoti vetë! Qe, dueni
me pá? Shihni virtytet e mija qi po ushtroj, veshtroni mrekullít qi po bâj, ndiqnje
vepren t’ême qi po ndertoj në botë. Dueni me sprovue e me prekë me dorë? Qe mësimi
i êm, venju ju e kush të mundet, po mujt me më gjetë në gabim; qe jeta e ême qi un
shkoj, provoni të gjith, si miq si anmiq, po mujtët me më gjetë në faj; qe ideali,
qi un kam, qe morali qi un mësoj e ndjek, edhe pirolla i kjoftë atij bír njeri qi
mundet t’i a dalë me sajue vetem me mend nji madhní ideale e nji moral, të cillin,
un jo vetem e mësoj e e çfaqi, por e njipernjisoj me jeten qi shkoj e me vepren qi
zhvilloj. Atë herë e mbrapa nisi në botë nji epokë e ré, epoka e vllaznímit të
nierzvet, e e ligjës s’Ungjillit. Atë herë e mbrapa nierzimi u dá dysh: n’ata qi e
besuen Krishtin-Zot, e nder kundershtarët e tij. Rrokull XX shekujsh, mija e miliona
nierzsh, burra e grá, filozofë e dijetarë, perandorë e vogjlí çë do rendi shoqnuer
e çë do shkalle e naltsije mendore e ndien ketë typ të pakurrkund shoq në historín
nierzore, u terhoqën prej madhnís s’idealit, u prekën prej bukurís së moralit, u harlisën
prej hijeshís së virtyteve të tija, edhe i u dhanë, i u kushtuen, i u truen me gjith
mend e me gjith zemer, me mish e me shpírt, aq pernjimend, sa, harrue vetin kryekëput,
me të gjitha andet e exigencat vehtjake, nuk patën të ngîm kurr, veç t’a mishnojshin,
t’a reproduktojshin, t’a perjetsojshin në veti mirsín morale, bukurín shpirtnore e
shejtnín e jetës së tij. Po zotní, Krishti, çë mos kurrnji udhëhjekës, çë mos kurrnji
filozof e letrár, krijoi protagonista të gjallë, jo si Platoni, Shakespeare, Molièr
a Goethe, qi vetem i lanë me të shkrueme; Krishti nuk shkroi por prîni; me dekë
të vet nuk mbaroi, por filloi vijimin e pamort të veprës; aj sod âsht vû në shêj
prej miqve per m’e dashtë e m’e ndjekë, edhe prej anmiqvet per me plasë marazi, pse
nuk u del t’a gjêjnë në faj as në gabim, t’i a tresin faren e gjurmen prej ftyrës
së tokës. Jo, as nierzimi, as historija, as kultura nuk mund të bâjnë pa Krishtin
e pa vepren e tij…
… Charitas Christi urget nos: Hatri e dashtnija
e Krishtit, qi pa pushkë të shtime rrotulloi jeten pagane, trandi e ndrroi Perandorín
rromake, perballoi pantera e bishë t’egra, e duel mâ e fortë se shpata, mâ e flakët
se zjarmi, ajo dashtní vijon të ngadhnjejë edhe sod mbi ndiesí e ande t’ulta të gjith
atyne, të cillët tanë jeten, tanë idealin, tanë nderen, tanë gëzimin, tanë vleren
e kan vû aty: t’a shprehin në vetveti, sa mâ pernjimend e sa mâ konkret idealin e
vleren e krishtenë. Zotní, këto janë fakte, kjo âsht historí, e dini vetë. As mos
m’i thoni të ligshtë e të dobët Ignacit e Polikarpit, as mos m’a kujtoni të pamend
Justinin e Augustinin, as të pa zotsí vehtjake Ambrozin e Sh’Hieronimin; nuk kjenë,
jo, të çmenduna Agnezja e Çeçilia, sikurse nuk mund të m’a mbajë kush hypokrit Vinçencin
de Pauli e Françeskun e Asizit. Deshtë t’u flas rrumbullak ? të shihni ? të ndieni
e të prekni me dorë? Qe, të prâjë arsyetimi, e të flasin faktet, vehtjet e veprat,
botnisht të njohtuna e t’admirueme. Me bindje të plotë po u tham pra, se ka
Zot e ka shpirt e ka Ringjallje! Me këta çilca, zgjidhen e marrin veshtrim mëshehtsít
e natyrës e të mbinatyrës; me këta fenerë, nieri sa rrnon, sheh e din per shka rrnon,
per shka vuen e per shka gëzon: me këta krahë naltohet mbi veti, mbi jetë e mbi nevojë,
e kapet atje ku i perket, nder idealet e nalta të mirsís, të madhnís e të së vertetës.
Lum kush i njeh, e mjerë kush nuk i sheh!
Fragment nga vepra e Atë
Anton Harapit OFM, “Valë mbi Valë”, Romë, 1995, fq. 83; 112-115, 127