2011-04-24 11:19:12

Ati i Shenjtë Natën e Pashkëve: Ngjallja e Krishtit e ndryshoi botën


Ngjallja e Krishtit ia ndërroi faqen botës. Ndodhi diçka, që s’ishte dëgjuar ndonjë herë! Ai që vdiq, jeton në një jetë, të cilën vdekja nuk mund ta kërcënojë më. U përurua një formë e re e jetës, një përmasë e re e krijesës: këtë pohoi Papa gjatë kremtimit solemn të Natës së Madhe të Pashkëve, që e kryesoi mbrëmë në Bazilikën e Vatikanit. Kremtimi i madh nisi në tremen e Bazilikës së Shën Pjetrit, me bekimin e zjarrit të ri dhe me përgatitjen e Qiririt të Pashkëve, dhuruar nga Bashkësia e Re Katekumenale e Romës. Papa i dha Sakramentin e Pagëzimit, të Krezmimit dhe Kungimin e parë, gjashtë katekumenëve, ardhur nga Zvicra, Rusia, Peruja, Singapori e Kina. Ndërmjet fatlumëve, që morën sakramentet në Natën e Madhe e në një mjedis, si ai i Bazilikës së Shën Pjetrit, përplot me ngjyra e tinguj mahnitës, ishte edhe një shqiptar.
Homelia e Papës nisi nga rrëfimi mbi krijimin, që duhet parë si profeci, e jo si informacion mbi zhvillimin e jashtëm të kozmosit e të njeriut. Bota, shpjegoi Papa, u krijua nga Logos, nga Fjala, që do të thotë arsye, kuptim, vetëdije, fjalë. Nuk është thjeshtë arsye, por arsye krijuese, që flet, që komunikon vetveten. Është arsye e vetëdije, që krijon ajo vetë vetëdije. Rrëfimi mbi krijimin, pra, na thotë se bota është prodhim i Arsyes krijuese. E me këtë, na thotë edhe se në zanafillë të të gjitha sendeve nuk ishte diçka pa arsye, pa liri, sepse fillesa e të gjitha sendeve është arsyeja krijuese, është dashuria, është liria. Këtu, vijoi Papa, jemi përballë alternativës së fundme, që vihet në lojë në diskutimin ndërmjet besimit e mosbesimit: janë mungesa e arsyes, mungesa e lirisë e rastësia në zanafillë të gjithçkaje, apo janë arsyeja, liria, dashuria, fillesë e qenies? Kush e ka parinë: mungesa e arsyes, apo arsyeja? Kjo është pyetja, që pret përgjigje në analizën e fundme. Si besimtarë, përgjigjemi me rrëfimin e Krijimit e me Gjonin: në zanafillë është arsyeja. Në zanafillë është liria. Prej këndej, është gjë e bukur të jesh njeri. Thuhet se në universin, në zhvillim e sipër, në fund të fundit, në një skaj çfaretdo të kozmosit, fare rastësisht, u formua edhe njëfarë specie e gjallë, e aftë për të arsyetuar e për të kërkuar në gjithësi një arsye. Ose, një specie e arsyeshme. Por nuk mund të jetë kështu. Në se njeriu do të ishte prodhim i tillë i rastësishëm i evolucionit, në ndonjë skaj të Universit, atëherë jeta e tij do të ishte fare pa kuptim, madje do të ishte çrregullim i natyrës. Por nuk është kështu: në zanafillë është Arsyeja, Arsyeja krijuese, hyjnore. E me që është Arsye, ajo krijoi edhe lirinë; e me që liria mund të përdoret keq, ekziston edhe mundësia për t’iu kundërvënë krijesës. Por, pavarësisht nga kjo kontradiktë, krijimi, si i tillë, mbetet i mirë, jeta mbetet e mirë, sepse në zanafillë është Arsyeja e mirë, dashuria krijuese e Zotit. Prandaj bota mund të shpëtohet. Prandaj mund e duhet të radhitemi përkrah arsyes, lirisë e dashurisë, përkrah Zotit, i cili na deshi aq shumë, vuajti aq shumë për ne, që nga vdekja e tij të mund të buronte një jetë e re, përfundimtare, e shëruar.







All the contents on this site are copyrighted ©.