Treditëshi i Pashkëve, qendër e shpresës së krishterë.
Ngjarjet dramatike që paraprijnë e pasojnë Mundimet e Krishtit na krijojnë mundësinë
të rikuptojmë, në heshtjen e shpirtit, se flijimi i Jezusit është qendra e jetës sonë,
në një botë ku ndjehet fort inflacioni i fjalëve. Ky është një nga mendimet e Kishës
që u drejton besimtarëve, gjatë riteve të shenjta të Treditëshit të Pashkëve. Fillon
me një natë, në të cilën dielli ka përendur jo vetëm mbi tokë, e përfundon me agimin
e një dite, ndriçimi i së cilës ia kalon atij të diellit. E ndërmjet këtyre dy skajeve
kohore, ri-jetojmë atmosferën dramatike të Mundimeve të Krishtit që përfundojnë Natën
e Pashkëve me britmën e fitores: “Krishti u ngjall, vdekja u mund!”. Me këto figura
dhe ngjyrime, Kisha na prinë në misteret e Treditëshit të Pashkëve që nisi me të
Enjten e Madhe, kur ndodhen ballë për ballë Jezusi dhe Juda. Takohen, jo rastësisht,
natën. Kur tradhtari largohet nga Çenakulli, në shpirtin e tij dyndet errësira – nata
e shpirtit, në sa në shpirtin e dishepujve të tjerë, hutimi. Edhe ata shkojnë drejt
natës, në sa hijet e braktisjes e të urrejtjes bëhen gjithnjë më të dendura mbi Birin
e Njeriut që niset për t’u flijuar mbi kryq. Ngjarja që do të rikujtojmë në ditët
e ardhshme është ndeshja më e rreptë ndërmjet Dritës dhe Errësirës, ndërmjet Jetës
e Vdekjes. Duhet ta ndjejmë veten të pranishëm në këtë ngjarje, të vetëdijshëm për
natën tonë, natën e fajeve tona e të përgjegjësive tona, në se duam ta jetojmë me
përfitim shpirtëror Misterin e Pashkëve, në se dëshirojmë të fitojmë dritën e zemrës
përmes këtij Misteri, që përbën thelbin e fesë sonë”. E Enjtja e Madhe
është dita e emocioneve për meshtarët, dita në të cilën Jezusi, në një farë mënyre,
përjeton vdekjen e tij në copën e bukës së Eukaristisë së parë. Por të njëjtët dishepuj
që e rrethojnë në këtë çast të fortë bashkimi kishtar, pak më vonë, në orën e agonisë
së Mësuesit Hyjnor, do të zhyteshin në gjumë të thellë, gjumë që nuk është i panjohur
as për të krishterët e ditëve tona. Shohim se nxënësit fjetën, duke e lënë Zotin vetëm.
Edhe ne sot shpesh herë flemë, ne, nxënësit e tij. Në këtë natë shenjte të Gjetsemanit
dëshirojmë të rrimë zgjuar, nuk duam ta lëmë Zotin vetëm. Lutja, shoqëruar me pendesë
e agjërim është tipari kryesor i së Premtes së Madhe. Skena e Kalvarit, e rrëfyer
nga Liturgjia, sipas fjalëve të Gjon Krizostomit, e paraqet Kryqin sa si simbol të
dënimit, aq edhe si burim të paqes. E historia e pabesisë njerëzore, e cila e çon
Krishtin drejt vdekjes, ri-kujtohet hap pas hapi në Udhën e Kryqit, që e mëson të
krishterin ta shikojë Krishtin me sytë e zemrës e të dashurisë, ashtu si bëhet të
Premten e Madhe të Pashkëve nëpër Kisha e vende të ndryshme. Pastaj vjen e
Shtuna e Madhe e Pashkëve që është ditë e heshtjes. E Shtuna e Madhe është
dita në të cilën liturgjia hesht, dita e heshtjes së madhe, e të krishterët ftohen
ta kalojnë në lutje. Në inflacionin e fjalëve që dëgjojmë sot, është ditë tepër e
nevojshme kjo ditë heshtjeje. Shën Gregori i Madh një herë pati thënë: ‘Duke mos folur,
mësojmë të heshtim, por duke heshtur, në qetësi të plotë, mësojmë të flasim më mirë”. Nata
e Pashkëve, me ritet e veta të bekimit të ujit e të zjarrit dhe me shpalljen e
Ngjalljes së Krishtit, bën të shndrisë fytyra gjithnjë e re dhe e bukur e Kishës,
e cila u kujton besimtarëve se Treditëshja e Pashkëve nuk është kujtim i realitetit
të së kaluarës, por është realitet aktual. Krishti edhe sot, me dashurinë e tij fiton
mbi mëkatin e mbi vdekjen. E keqja, në të gjitha format e veta, nuk do ta thotë fjalën
e fundit. Në fund të fundit do të ngadhënjejë Krishti, e vërteta, dashuria. Në se
jemi gati të vuajmë e të vdesim me Të, siç na tregon shën Pali Natën e Pashkëve, jeta
e Tij do të bëhet jeta jonë. Mbi këtë siguri, që është Ngjallja e Krishtit,mbështetet
dhe ngrihet jeta jonë e krishterë.