Treditëshi i Pashkëve arrin kulmin në Natën që kremtohet ndërmjet së Shtunës së Madhe
e të Dielës së Ringjalljes. E treta ndër ditët e shenjta është, ndër të gjitha, më
e pasura me fjalë e shenja, që shprehin fitoren mbi vdekjen e mbi forcat e errëta
të së keqes. Është shpresa që u ofrohet të gjithë atyre që besojnë në Zotin e Kryqëzuar
e të Ngjallur. E Shtuna e Madhe është ditë lutjeje e agjërimi, jo si pendesë, por
si pritje e dëshirë për bukën e vetme që ushqen me të vërtetë: bukën e të Ringjallurit.
Nata e Pashkëve dallohet nga e Shtuna e bën pjesë në ditën e Pashkëve; është festa
e vërtetë, është një Natë “nëna e të gjitha netëve”. Katër janë simbolet e liturgjisë
së natës së Pashkëve, e cila kremton ringjalljen e Zotit: drita, fjala, uji
dhe buka. Të gjitha shpjegohen me mënyrat me të cilat Jezusi e ka paraqitur veten:
Jezusi është drita e botës, është fjala e fundit e Atit. Është uji që shuan etjen
e përtërin, është buka e jetës. Nata e Pashkëve na bën të hyjmë në plotësinë e
misterit të tij: na bën të takojmë Jezusin si i Ringjalluri, i Gjalli, Ai që, duke
na treguar fytyrën e vërtetë të Atit, mund të na mbushë me gëzim e shpresë. Nata e
Pashkëve është rrënja e çdo shprese dhe e kuptimit të krishterë të jetës. Kush ndjek
Jezusin për jetë, kush ka jetuar në ditët e mëparshme solidaritetin në dhimbje, tani
mund të jetojë me gëzim festën. Nëse gjatë Krezhmëve kemi reflektuar mbi peshën
e mëkateve e mbi rrezikun e dështimit në jetë, këtu fillon shpresa për një ndihmë
nga lart, që i jep vlerë ekzistencës, megjithëse në mes të errësirës e dhimbjes. Bashkësive
të krishtera, Nata e Pashkëve duhet t’u japë guximin për ta dëshmuar këtë shpresë,
guximin për ta arsyetuar shpresën e jetës, që mbajnë në zemër. T’u japë aftësinë për
të ndërmarrë impenjime e iniciativa, që i thonë botës sa e mbushur me të ardhme e
me mundësi pozitive është feja në Jezusin. E tani të përshkruajmë e të përshkojmë
së bashku ritet e simbolet liturgjike të Natës së Shenjtë të Pashkëve Liturgjia e dritës Çasti i parë i Natës së Pashkëve e përqendron vëmendjen
mbi dritën: zjarri i ndezur në errësirë kujton Shpirtin dhe ngrohtësinë e Zotit, forcën
e tij ripërtëritëse, por edhe dashurinë njerëzore, që i jep ngrohtësi e kuptim jetës. Imazhi
i qiriut në procesion drejt kishës e thërret popullin e besimtarëve të ndjekë Jezusin,
dritën e botës. Qiriu që jep dritë duke u konsumuar, si Jezusi, u thotë të krishterëve
se askush nuk mund të jetë dritë për të tjerët, pa flijuar e hequr dorë nga vetvetja.
Do të ishim të kënaqur nëse nga sakrificat tona të vogla, të tjerët të përfitonin
ngrohtësi e jetë. Për disa aspekte, bota është akoma e zhytur në errësirë. Lajmi
i Mirë i Pashkëve nuk mund të mbetet vetëm një himn fjalësh të bukura. Kulti i vërtetë
i të krishterit është jeta e tij. Shërbesa
e Dritës Bashkësia gjendet afër qiriut të Pashkëve që është simbol i Krishtit,
dritës së botës. Në shërbesën e dritës të kësaj nate duhet të veçohen momentet
si bekimi i zjarrit që është shenjë e jetës që shndritë dhe ngrohë. Më pas në qiriun
e Pashkëve meshtari gdhendë një kryq. Mbi të vihet shkronja greke Alfa ndërsa nën
të shkronja Omega. Në katër anët e kryqit vihen katër numrat e vitit vijues, pastaj
mundë të vihen pesë kokrrat e kemit po kështu në formë kryqi. Prej zjarrit të bekuar
ndizet qiriu i Pashkëve që simbolizon Krishtin e Ngjallur. Pasi të jemi nisur drejt
kishës, në hyrje të saj të gjithë ndezin qirinjtë që bartin në dorë nga qiriu i Pashkëve
(Populli i Zotit udhëton në këtë botë i shndritur me dritën e Krishtit). Atëherë xhakoni,
ose nëse ai nuk është, meshtari duke e lartësuar qiriun e Pashkëve këndon në hyrje
të kishës, në mes dhe te elteri: Drita e Krishtit, në çka të gjithë përgjigjen: Falënderojmë
Hyjin.
Pasi të vihet qiriu në shandan këndohet himni i qiriut të Pashkëve.
Ky himn përmban pesë tema: a) Ngjallja është krijim i ri; b) Dalja; Qiriu si udhëtregues
i popullit (Dalja nga Egjipti); c) Qiriu është dritëza e Kishës e cila pret të Fejuarin
e vet; d) Domethënia e paraqitjes së dritës dhe karakteri flijues i Pashkëve; dhe
e) Simbolika e bletëve. Pasi të ketë përfunduar himni të gjithë fikin qirinjtë dhe
ulen, vazhdon shërbesa e fjalës.
Liturgjia e Fjalës Liturgjia ofron mundësinë e shumë leximeve: zgjedhja
e të gjithave ose vetëm e disave prej tyre duhet të japë kuptimin e domethënien e
një historie të përshkuar nga iniciativa e Zotit. Fjala bëhet histori e përgatitet
të presë Jezu Krishtin. Fjala është në fillim të krijimit, nëpërmjet të cilit Zoti
dhuron të qenit, pra i jep kuptim gjithçkaje ekziston. Në veçanti, krijon njeriun
në përngjasim me Të, duke vendosur tek ai farën e një prirjeje të natyrshme drejt
Krijuesit të vet. Fjala e Zotit udhëheq rrugën e çlirimit e të rithemelimit të
popullit, që bëhet popull i Zotit nëpërmjet mundit e kërkimit, gabimit e kthimit drejt
Zotit. Deri tek Ungjilli, ku tregimi i grave që gjejnë varrin e Jezusit bosh e
çon besimtarin tek Ai, që nuk duhet kërkuar ndër të vdekurit, tek i Gjalli, që duhet
takuar në historinë e përditshme. Ja me fjalë tjera Shërbesa e Fjalës së Zotit:
Kur mendojmë mbi veprat e mrekullueshme të cilat që nga fillimi Zoti i ka bërë në
popullin e vet. Për shërbesën e fjalës janë të paraparë shtatë lexime prej Besëlidhjes
së Vjetër dhe dy prej Besëlidhjes së Re. Leximet e BV mundë të reduktohen në më së
paku dy por asnjëherë nuk guxon të lihet leximi mbi daljen prej Egjiptit (Leximi i
tretë).
Pas leximit të fundit të Beselidhja Vjeter dhe lutjes meshtari këndon
kengen e Lavdimit… vijon lutja dhe leximi i letrës nga Beselidhja Re. Kur ky përfundon
solemnisht pas kohes se kreshmeve këndohet Aleluja. Vazhdon Ungjilli dhe homelia. Liturgjia e Pagëzimit Është çasti që na çon tek jeta e re e marrë përmes
Pagëzimit: është pra momenti-kujtesë i ngjarjes themelore të qenies sonë si besimtare
te krishtere e si Kishë. Përtëritja e impenjimeve pagezimore, që të tjerët i kanë
marrë për ne në momentin e Pagëzimit do të thotë një vetëdije e re për përgjegjësinë
tonë në histori. Ja me fjalë tjera Shërbesa e Pagëzimit:: Sakrament ky i Pagezimit
përmes të cilit kemi kaluar nga vdekja në jetë. Bëhet përsëritja e premtimeve të pagëzimit,
dhe nëse ka katekumen ( kandidat të rritur për pagëzim apo fëmijë) bëhet paraqitja
dhe e nunave, e pastaj kremtohet pagëzimi i tyre. Nëse nuk ka asnjë kandidat për
pagëzim, bashkësia e besimtarëve ftohet në lutje dhe bëhet bekimi i ujit. E pastaj
bëhet përtëritja e premtimeve të pagëzimit, e më këtë rast nuk thuhet Besojma. Liturgjia Eukaristike
Eukaristia e Natës së Pashkëve është një “akt
falënderimi” e "bekimi" krejt i veçantë: “Pashkët qene momenti në të cilin e pati
fillesën Eukaristia e vërtetë! Prandaj edhe misteri i Natës së Pashkëve përqendrohet
tek Eukaristia, të cilën Krishti Gjalle nuk e paraqet i vetëm, por së bashku me Kishën
e vet. Ajo merr pjesë në Eukaristinë e Tij, që përuron solemnitetin e madh të Rrëshajëve,
në të cilat bashkësia e krishterë e shëlbuar falënderon Atin së bashku me Birin”.
Ja
me fjalë tjera Shërbesa Eukaristike: Populli i Zotit i rilindur me pagëzim paraqet
flijen në Përkujtim të Krishtit, si shenjë falënderimi dhe ushqehet me korpin e gjakun
e Krishtit të Gjallë. Shërbesa Eukaristike është kulmi i këtij kremtimi me të cilën
shprehet kuptimi themelor i saj: me praninë e Krishtin të Gjallë kalojmë nga vdekja
në jetë të vërtetë. Kremtimi i Meshës vazhdon si rëndomtë me lutjet përkatëse e
të përshtatshme të kësaj të Kremte, sipas Mesharit Romak.
Kremtimi i Natës
së Pashkëve përfundon rreth mesnatës, “sepse presim atë çast të saktë kthimin e Hyjit”.
Ajo Natë është e mbushur me misterin e pritjes. Qiriu qëndron pranë ambonit anesh
elterit, i cili përfaqëson Varrin bosh te Krishtit te Gjalle. Ai është simbol i të
Ngjallurit. Gratë që në mëngjes herët, shkojnë te varri për ta mbështjellë “trupin
e vdekur” të Jezusit me një vaj të përmortshëm, e gjejnë Fjalën e Ngjallur. Nata e
Pashkëve kremton tere Misterin e festës se krishter e në çdo pjesë të saj kryhet kalimi
nga vdekja në jetë. Kulmi i Natës është Eukaristia: buka e të Ngjallurit për bashkësinë
e vet. E Shtuna e Madhe nuk ka liturgji.