2011-04-23 17:11:00

Pashkë në Jeruzalem: në Bazilikën e Ngjalljes kremtohet Nëna e të gjitha netëve të lutjes.


Më se njëqind meshtarë bashkëkremtuan sot paradite, Ritet e Natës së Pashkëve, kryesuar nga patriku latin i Jeruzalemit, imzot Fuad Tual.
Kremtim i jashtëzakonshëm, i ngarkuar me emocione e thella, në vendin ku ndodhi ngjarja më e dëshëruar, më e jashtëzakonshme, më e lumtur për njeriun, i cili ëndërroi që në zanafillë, të rikthehej në çastin e pafaj të krijimit, kur nuk kishte mëkatuar ende! Kur ishte i pavdekshëm.
Kujtojmë se Nata e Pashkëve në Jeruzalem kremtohet paradite, në përkim me rregulloren, që përcakton normat për praninë e bashkësisë së krishterë në këtë Bazilikë, zemër e krishtërimit. Koha e rregullores nuk përkon me kohën e Kishës, e megjithatë ky kremtim duhet parë si parí e lume, sepse në këtë rast Kisha e Jeruzalemit u priu të gjitha kremtimeve në mbarë botën. Prej saj kumboi së pari himni i lashtë, që i këndon fitores së Zotit mbi vdekjen e mbi mëkatin.
Përkrah patrikut latin, që kryesoi Meshën, ishin kryeipeshkvi i nderit i Pragës, kardinali Miroslav Vlk; ipeshkvi-ndihmës i Jeruzalemit, Kamal Batish, ipeshkvi ndihmës i Veronës, kapuçini Flavio Roberto Karraro dhe 120 meshtarë.
Kremtimi, që ndjek liturgjinë latine, duke e pasuruar edhe me liturgjinë e lashtë, tejet të pasur, të Jeruzalemit, nisi te portat e Bazilikës, para Gurit të vajtimit. Këtu u kremtua liturgjia e zjarrit. Pastaj i erdhi radha Qiriut të Pashkëve, që merr dritën nga flaka e llambës, ndezur ditë-natë, pa u shuar kurrë, duke ndriçuar çdo njeri me dritën e vërtetë, dritën e Varrit të zbrazur të Zotit. Sipas ritit romak kremtimi vijoi me shpalljen në gjuhën latine të 7 leximeve nga Besëlidhja e Vjetër, duke përshkuar, kështu, të gjithë historinë e Shëlbimit.
Të shumëdashur vëllezër e motra, tha patriku Tual në fillim të Meshës, jemi mbledhur në këtë vend, ku Zoti ynë Jezu Krishti kaloi nga vdekja në jetë. Këtu po i rijetojmë sot Pashkët e Zotit.
Riti vijoi me këngën e Lavdisë dhe me leximin e Letrës së Shën Palit, që flet për Besëlidhjen e re, përmbushjen e premtimeve. Ungjilli, pastaj. Rikujtoi ngjarjen e ndodhur pikërisht këtu, i çoi besimtarët dymijë vjet pas, e njëkohësisht u foli për e në të sotmen. Ungjilli i Ringjalljes lexohej pikërisht në vendin e Ringjalljes!
Një rrënqethje misterioze i pushton gjithnjë besimtarët, kur meshtari thyen heshtjen e thellë dhe shqipton fjalët e lashta e të reja, regjistuar në gurët e këtij vendi të shenjtë: “Nuk është këtu! U ngjall!”.
Shtegtarë e besimtarë të të gjitha gjuhëve, në këtë paradite të jashtëzakonshme, rijetuan kumtin madhështor të Pashkëve, që u dëgjua për herë të parë pikërisht këtu. Këtu, ku sot u lartua drej qiellit Anastasis, ishte kopshti i ullinjve, kopshti i varreve, i varrit më të adhuruar nga mbarë krishterimi, prej nga për herë të parë në historinë e Krijimit, vibroi drita e Ringjalljes!
Përfundimi i kremtimit të Natës së Pashkëve, ndonëse nën dritën e diellit, pati një frymëmarrje të ndjeshme ekumenike. Dalëngadalë Bazilika u mbush plot me besimtarë ortodoksë, të cilët në orën 12.00 nisën kremtimin e liturgjisë së zjarrit të shenjtë, duke lënë pas shpatullave Qytetin e Jeruzalemit, përplot me shtegtarë të krishterë e me hebrenj (Pashkët e të cilëve sivjet kremtohen në të njëjtën ditë), e të blinduar, për të ruajtur qetësinë gjatë kremtimeve. Sonte Bazilika e Ringjalljes do të jehojë përsëri nga himnet e liturgjisë së latinëve. Në orën 23. 30 do të fillojë liturgjia e orëve, kryesuar nga Rojtari i Tokës së Shenjtë. Të krishterët mund të bashkohen, kështu, me të gjithë Kishën, që kremton e lutet edhe këtu, në më të shenjten nga të gjitha bazilikat e botës. E ndërkaq, në Bazilikën e Ringjalljes ka aguar tashmë Dita e Pashkëve!







All the contents on this site are copyrighted ©.