(23.04.2011 RV)Që nga 22 prilli, Rai Storia transmeton çdo natë, në orën 23.00,
një emision, titulluar “Speciale dixit”, kushtuar Gjon Palit II, në prag të kremtimtit
të Lumnimit të 1 majit. Transmetimet do të vijojnë deri më 29 prill. Rrjeti, i drejtuar
nga Giovanni Minoli, pasqyron ngjarjet kryesore të papnisë së gjatë, me filma e komente
të historianëve e vatikanistëve, si Andre Rikardi, Saverio Gaeta, Marko Politi, Sandro
Magistre e të tjerë, më shumë a më pak të njohur. Pas javës së parë, më 30 prill
do të ndiqet drejtpërdrejtë mbrëmësorja e lutjes, duke nisur nga ora 23.00. Gjatë
kremtimit, lidhja me Fatimën e Gudalupen, Libanin, Tanzaninë e Poloninë. Natyrisht
transmetimet do të arrijnë kulmin më 1 maj, me kremtimin e Lumnimit, që do të transmetohet
njëkohësisht me Rai1. Është një maratonë e vërtetë televizive. I pyetur : “A e
keni njohur Gjon Palin II”, Minoli përgjigjet: “E kam takuar disa herë, gjithnjë
në rrethana zyrtare. Herën e parë e takova në vitet 80. Isha me familjen time. Pata
mundësi të shkëmbej me të vetëm pak fjalë e megjithatë mbeta i prekur thellë nga
energjia, që komunikonte. Megjithse takimi qe i shkurtër, m’u duk se e njihja prej
kohe. E kjo, sepse dija shumë gjëra për të. M’i kishte treguar zëdhënësi i tij, e
miku im, Navarro-Valls”. Kërkesës së dytë: “Në se do ta kishi intervistuar, ç’pyetje
do t’i bënit?”, Minoli iu përgjigj:“Do ta pyesja për marrëdhëniet ndërmjet fesë e
mjeteve të komunikimit. Gjon Pali II, më shumë e më mirë se të gjithë, diti ta vlerësojë
forcën e jashtëzakonshme, që kanë mjetet e komunikimit në përhapjen e mesazhit ungjillor.
E këtë e bëri jo vetëm me fjalët e tij, tejet komunikuese, por edhe me praninë e tij
fizike”.