2011-04-23 17:11:33

24 prill 2011: Katolikë e Ortodoksë i kremtojnë njëherësh Pashkët.


Dita e Pashkëve ortodokse nuk përkon me atë të Pashkëve katolike, sepse Kisha ortodokse ndjek kalendarin julian, jo atë gregorian. E megjithatë, nganjëherë Pashkët bien në të njëjtën ditë. Si sivjet.
Pashkët ortodokse bien të dielën, që vjen pas hënës së re të ekuinoksit pranveror.
Për Kishën ortodokse është festa më e rëndësishme. Kremtohet në familje ose me miq, ndërsa gjatë gjithë Javës së Madhe ndiqen kremtime të veçanta, në përkim me ngjarjet e Ungjillit.
Në Greqi, të Shtunën e Madhe kremtohet procesioni, pastaj Mesha e mesnatës, gjatë së cilës popi troket tri herë në portën e madhe të kishës dhe kumton Ringjalljen e Krishtit. Këndohet himni i Ringjalles e në Kishë përhapen gjethe dafine. Besimtarët mbajnë në duar qirinj, të cilët duhet t’i çojnë ashtu, të ndezur, deri në shtëpi.
E Diela e Pashkëve kremtohet me drekën, që hahet në familje: zakonisht në kopsht ose në ndonjë livadh. Në mes të blerimit hahet qengji i pjekur i së kremtes së madhe, këndohet e vallëzohet.
Në Greqi, ashtu si në Shqipëri, hahen edhe vezë të ngjyera me të kuqe, pasi festuesit i pikin me njëra- tjetrën, duke shqiptuar fjalë rituale, që veza të mos thyhet. Bëhet, kështu, simbol i forcës, i shëndetit, deri në Pashkët e ardhshme. Folja shqipe ‘me pikë’, është sigurisht një nga më të përdorurat në fjalorin e festës.Në ish-vendet sovjetike, të Premten e Madhe shkohet në Kishë, ku bekohet ëmbëlsira tipike e Pashkëve, që quhet Pashk (në Shqipëri, perpeqi bekohet të Shtunën e Madhe). Pashk e sovjetikëve i ngjet panetones së botës perëndimore, por pa rrush të thatë. Ndërsa perpeqi i katolikëve nuk është ëmbëlsirë. Është qumështuar me kripë, që i ngjet më shumë picës e që hahet në agimin e festës, nga famijarët, mbledhur rreth sofrës, ku janë vendosur edhe vezë të zjera e hudhra të njoma. Hahet në këmbë, si Natën e Pashkëve të Besëlidhjes së Vjetër!







All the contents on this site are copyrighted ©.