Ungjijtë tregojnë ngjarjet e shumta që ndodhën në udhën drejt varrit të zgavruar në
zemër të shkëmbit, mbi të cilin kryqtarët ngritën bazilikën vigane të Varrit të Shenjtë.
Të shumta edhe shenjat simbolike që flasin për kuptimin e mbinatyrshëm të kësaj udhe
e të përfundimit të saj. Kujtojmë velin e zi të errësirës që mbështjell gjithë
tokën nga mesdita deri në orën tre të pasdites’ (Mateu 27, 45), shenjë e gjykimit
hyjnor, parafolur nga Amosi profet (8,9): “Atë ditë do të bëj të perëndojë dielli
në mesditë!”. Në këtë mënyrë shpjegohet edhe grisja e papritur më dysh e tisit të
tempullit, shenjë e ‘zbulesës’ së misterit të Zotit në Krishtin e kryqëzuar. Edhe
varret e hapura, prej nga dalin të vdekurit e ringjallur, për të cilat na flet Mateu
(27, 52-53) ‘pas ngjalljes së Tij’, janë simbol i ngjarjes së lumnueshme të gjyqit
të mbramë e i cakut të fundit të njeriut e historisë njerëzore. Fakte të tjera,
të treguara nga ungjilltarët, reflektojnë për torturën që provoi Jezusi në orën e
tmerrshme të kryqëzimit, kur gozhdat përshkonin mishin e thyenin kockat, plagë që
shkaktonin dhimbje përtej durimit njerëzor, në sa shqyheshin nga pesha e trupit që
vdiste dalë-nga-dalë. Simbolik edhe përshkrimi i ‘poskës’ – që në latinisht ka
kuptimin e pijes së përgatitur duke përzierë verë me vrer, ose, siç e përshkruan Marku,
me mirrë, që ia dhanë Krishtit, kur pati etje e kërkoi të pinte diçka, për të njomur
buzët rreshkura nga tmerri i kryqëzimit. Por tradita vë, me të drejtë, theksin mbi
fjalët e fundit të Jezusit. Në kundërshtim me çka pohon një nga vargjet e lutjes së
famshme të përshpirtshme afro-amerikane: “E gozhduan mbi kryq e nuk pëshpëriti asnjë
fjalë”, përdorur si titull i romanit të Hainrih Bëlit: “E nuk tha asnjë fjalë të vetme”
(1953) në të cilin tregohet historia e një çifti të kryqëzuar, sipas Ungjijve Jezusi
në Kryq shqipton shtatë fraza, të cilat i shërbyen kompozitorit të famshëm Hajden
(1787) për t’i muzikuar “Shtatë fjalët e Shëlbuesit mbi kryq”. Ja edhe fjalët:
Kryqëzuesve: “Fali, o Atë se nuk dinë ç’ bëjnë!”. Nënës dhe nxënësit të tij
më të dashur, Gjonit: ‘Grua, qe yt bir!’; “Qe nëna jote”. Keqbërësit të penduar,
ndoshta ndonjë kryengritës kundër Romës, gozhduar përkrah tij: “Për të vërtetë po
të them: sot do të jesh me mua në Parajsë”. Pastaj: “Elì Elì, lemà sabachtani?”
-që do të thotë: “Hyji im, Hyji im, pse hoqe dorë prej meje?”. E akoma: “Kam etje”. Së
fundi: “Gjithçka u krye” dhe “O Atë, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim”. Të
gjitha këto fjalë meritojnë një studim tepër të kujdesshëm, siç është bërë në ekzegjezë.
Ne mjaftohemi të shënojmë se ato zbulojnë gamën e larmishme të ndjenjave të Jezusit
e të temave teologjike që përmblidhen në këto fraza të shkurtra, herë të pëshpëritua
e herë të klithura. Nga njëra anë realizmi i kryqëzimit për Ungjijtë është provë
e fuqishme e mishërimit: Krishti vuan pikërisht si çdo njeri. Tek “Krishti në kryq”,
Borges na e përshkruan kështu Jezusin: “Mjekrra e zezë i varet mbi kraharor./ Fytyra
e tij s’është fytyra e piktorëve. / Është e rreptë fytyra e tij, fytyrë hebreu. /
Po unë atë nuk e shoh./ Vijoj, prandaj, me ankth ta kërkoj/ deri atë ditë, / kur hapat
e mi të heshtin mbi tokë”. Nga ana tjetër, të gjithë mbeten të prekur thellë në
shpirt nga heshtja e Atit qiellor. Shën Luka, siç dihet, e zbut këtë mungesë pikëlluese
me një lutje plot besim që del nga buzët e shkrumbuara të Jezusit, kur thotë fjalën
e shtatë e të fundit. Por Mishërimi duhet parë edhe si kalim përmes errësirë shpirtërore,
përmes përvojës së Jobit, figurë biblike që shpesh lexohet me sy kristologjik. Këtë
mendon e shpreh Turoldo në një nga ‘Këngët e fundit’: “Jo, të besosh në Pashkët /
s’është fe e vërtetë: / tepër mirë ndjehesh për Pashkë./ Feja e vërtetë / Është tek
e Premtja e Madhe!” “Judenjtë kërkojnë shenja, grekët, dije: ne predikojmë Krishtin
e kryqëzuar, shkandull për judenjtë, marrëzi për paganët”. Pali, duke u shkruar Korintianëve
(I, 1, 22-23) me shprehje lapidare vë në qendër të krishterimit Krishtin e Kryqëzuar,
ashtu si është edhe në qendër të Kishave e të një numri të jashtëzakonshëm ikonash.
Që të bindesh për këtë, mjafton të soditësh ‘Të Kryqëzuarin’ e Mathias Grynevald në
muzeun alsasian të Kolmarit “kryevepër në të cilën gjen shprehjen e vet më të thellë
ankthi i pafund i shpirtit” siç shkruan në ‘Atje’ (dmth në Kalvar)(1891) Joris-Karl
Huismans. Ne po zgjedhim një figurë që i përmbledh të gjitha të tjerat: figurën
që e gjejmë te Gjoni Ungjilltar: shporimin me heshtë të kraharorit të Krishtit, prej
nga del gjak e ujë: Për ungjilltarin, uji është simbol i tempullit të ri hyjnor, në
të cilin hyhet për t’u larë me ujin e pagëzimit e për të pirë gjakun eukaristik. Uji
e gjaku janë Shpirti që do t’i japë jetë njerëzimit të vdekur e mëkatar. Historia
e rikujtimit të Mundimeve të Zotit, duke përsëritur skenat tragjike të së Premtes
së Madhe, është shumë e lashtë. Nis që në shekullin XII, kur kryqtarët dhe shtegtarët
që ktheheshin nga Toka Shenjte, të tronditur nga ç’kishin parë e kishin dëgjuar, nisën
të rikrijojnë në lutje skena të gjalla nga orët e fundit tokësore të Jezusit. Në shekullin
XIV, dominikani spanjoll Alvaro di Kordoba e organizoi këtë kremtim kaq dramatik kishtar
në 6 stacione apo pushime. Por apostulli i vërtetë i Udhës së Kryqit është Shenjti
françeskan Leonardo di Porto Mauricio (1676-1751), predikatar i famshëm në të gjithë
Italinë. Nën ndikimin e tij u ngritën 572 Udhë Kryqi, e edhe kjo e Koloseut në Romë,
ku sonte kremton Papa së bashku me besimtarët e ardhur nga mbarë bota.