2011-04-22 19:35:11

Të krishterët në Lindje të Mesme kremtojnë Pashkët ndërmjet paqes e frikës.


Bashkësitë e krishtera të Lindjes së Mesme përgatiten t’i kremtojnë Pashkët nën shenjën e lutjes e të respektit për të gjithë ata, të cilët humbën jetën në manifestimet e shesheve, në vende të ndryshme të botës arabe. Nga Jeruzalemi në Irak, duke kaluar përmes Gazës; nga Egjipti në Liban, nga Siria në Jordani, nga Qipro në Turqi e deri në Kuvait. Pakica e krishterë, sipas dëshmive të mbledhura nga Agjensia Sir, po i tregon botës se bashkësitë e vogla janë plot gjallëri.
Në Jordani, pohon mëkëmbësi patriakal, imzot Selim Sajeh, “lutemi për vendin tonë, për të mirën e popullit të tij, për mbretin e për qeverinë, që Zoti t’i ndihmojë të marrin vendime të drejta politike. Pashkët na krijojnë mundësinë të lutemi për të mirën shpirtërore dhe materiale të të gjithëve, pa përjashtuar asnjeri”.
Në Egjipt, patriku kopto-katolik i Aleksandrisë, kardinali Antonios Naguib, flet për ringjalljen e një populli, që deri dje ishte i tmerruar, i paaftë për të ngritur zërin e për të thënë atë që ndjente e atë që shikonte me sytë e vet. Një popull, që deri dje ishte i zhytur në gjum letargjik, por që sot është zgjuar, sot jeton, flet.
Këto Pashkë – nënvizon Agjensia Sir – që vijnë në një kohë krejt të posaçme, na gjejnë plot shqetësime, por edhe plot shpresa, sepse na premton paqen!
Atmosferë e qetë në Liban, siç shpjegon mëkëmbësi apostolik i latinëve të Beirutit, imzot Paul Dahdah. “Pritet që festa të kremtohet pa probleme, falë edhe situatës krejt të qetë në vend, ndonëse ndiqet me vëmendje gjendja e vendeve fqinje”.
Ndërsa Iraku ka shumë nevojë për siguri. E megjithëse kjo siguri mungon, të krishterët kanë nisur t’i mbushin përplot Kishat që të Dielën e Larit: “Në se situata do të vijojë kështu, me këtë qetësi relative, mund të kremtojmë Pashkë të qeta e të pasura me fryte shpirtërore” shpjegon mëkëmbësi patriarkal i Bagdadit, imzot Shlemon Varduni.
“Kishat janë plot me besimtarë. Tani mund t’i presim ritet e ardhshme me besim e siguri. Ushtria e policia, së bashku me rojet tona, po i rrethojnë Kishat, për t’i mbrojtur, sepse nuk jemi çliruar akoma nga frika e autobombave. Ritet do të kremtohen ndonjë orë më shpejt se vitet e kaluara, për arsye të sigurisë.
Kështu edhe në Gazë, ku famullitari, atë Jorge Hernandez, dëshiron ta shmangë çdo rrezik, që mund ta lëndojë sadopak bashkësinë e tij të vogël vendase, të përbërë prej 250 besimtarësh.
Qipro e Kuvait festojnë bashkësitë e ndryshme etnike mërgimtare, shumica katolike.
Kremtim shumëgjuhësh Natën e Pashkëve në Nikozi, ku tubohen besimtarë nga 50 vende të ndryshme, e në Kuvait, ku kremtohet në 5 rite e në 12 gjuhë.







All the contents on this site are copyrighted ©.