E Premtja e Madhe e Pashkëve përkujton Mundimet dhe Vdekjen e Zotit tonë, Jezu Krisht
mbi Kryq. Por, si duhet ta kuptojmë vdekjen e Krishtit në kryq? Vdekja
e Zotit mbi kryq është një mister aq i madh, sa s’ka fjalë që mund ta shpjegojë. Nuk
mjaftojnë shekujt për ta shpjeguar, sepse është një paradoks që tregon dashurinë e
Zotit. Në të vërtetë Jezusi thotë: “Gjithçka u krye…”, sepse në këtë çast përmbushet
e gjithë historia e shëlbimit - e Gjoni thotë: “Duke i pasë dashur të vetët që ishin
në botë, i deshi deri në fund të fundit”. Kryqi, vdekja e Jezusit, flet pikërisht
për këtë dashuri, që arrin deri në një kulm të padëgjuar… Shumë është folur
këto më se 2000 vjet për flijimin e Krishtit në kryq, madje ka lindur edhe pyetja:
A nuk mund të përmbushej shëlbimi në një mënyrë tjetër, ndoshta më pak të dhunshme?
Po, është e vërtetë; por pikërisht në ditët tona, një studiues i madh ka vënë në dukje
se vdekja e Krishtit, gjaku i Krishtit, nuk është pjesë e kësaj dhune, sepse flijimi
i Jezusit është flijim i viktimës së pafajshme, që u ngarkua me mëkatet e botës, ndryshe
nga zakoni njerëzor për t’i ngarkuar mëkatet e veta mbi shpatullat e të tjerëve. Jezusi
bëri të kundërtën e asaj që bëjnë zakonisht njerëzit. I ngarkoi mëkatet e të tjerëve
mbi shpatullat e veta. Prej këndej vdekja e Jezusit ka këtë kuptim të thellë: shpesh
fenë duhet ta pranojmë, më shumë sesa ta arsyetojmë. Gjithsesi e keqja mbetet
një mister i thellë, që vijon të na shkandullojë. Pse nuk na e shpjegoi Zoti? Zoti
bëri diçka më të mirë, sesa ta shpjegonte të keqen, domethënë nuk erdhi të na japë,
në Krishtin, shpjegime diturake mbi të keqen – këtë mund ta bëjnë edhe filozofët,
madje edhe e kanë bërë – por erdhi për ta marrë mbi vete gjithë të keqen e botës e
për të fituar mbi të me të kundërtën, që është dashuria, prandaj Zoti ka dhënë një
shenjë të gjithëpushtetit të tij, të cilin ne nuk do të kishim mundur kurrë as ta
përfytyronim. Gjithëpushteti i Zotit nuk qëndron në dëbimin e së keqes përjashta kufijve
të botës, por në diçka shumë më të madhe, në shndërrimin e së keqes me të mirë, e
pikërisht këtë bëri Krishti në kryq: e shndërroi nga brënda të keqen në të mirë, shndërroi
urrejtjen në dashuri e padrejtësinë në shenjtërinë e në drejtësinë më të lartë. Shumë
nuk e kanë kuptuar, madje edhe janë shkandulluar, nga britma e Jezusit në Kryq: “Zoti
em! Zoti em! Pse më ke lëshue doret!... ç’kuptim ka kjo britmë? Mbi të gjitha,
duhet të kujtojmë se ky është fillimi i një Psalmi, e kur një hebre intononte një
Psalm, kishte parasysh gjithë psalmin, prandaj ky Psalm përfundon edhe me lumni, përfundon
duke folur për Shërbëtorin që ka vuajtur! Sigurisht kjo britmë që Shpirti Shenjt e
vuri në buzët e Jezusit, tregon se Krishti, si njeri, provoi atë që mistikët e quajnë
prova e skëterrës, dmth mungesën e Zotit. Jezusi si njeri deshi të bëhej solidar me
ne deri në kulmin e dhimbjes. E kulmi i dhimbjes nuk është fizik, kulmi arrin kur
Zotit hesht, kur Zoti të lëshon dore! Sigurisht e dimë se në këtë ças Ati qiellor
e shtrëngonte Jezusin ndër krahë më fort se asnjëherë tjetër gjatë jetës së tij, por
Jezusi, si njeri, provoi edhe largimin e Zotit, dmth dënimin e atyre që e kanë bjerrë
shpirtin!