E Premtja e Madhe dita e dytë e treditëshit të Pashkëve
E Premtja e Madhe e Pashkëve ditë lutjeje e heshtje, ditë e Mundimeve e kryqëzimit
të Krishtit, akti më i lartë i dashurisë, që e bën njeriun të lirë. Të Premten
e Madhe të Pashkëve liturgjia na fton të meditojmë mbi misterin e mundimeve , të dhimbjes
e të vdekjes së Jezu Krishtit mbi Kryq. Mundimet dhe Vdekja e Jezusit mbi kryq
që kundrohen të Premten e Madhe të Pashkëve lidhet në mënyrë të pazgjidhshme me
Darkën e Mbrame. Në të parën Jezusi dhuron Korpin e Gjakun e vet, domethënë, jetën
e tij tokësore, vetveten, duke përshpejtuar vdekjen e tij dhe duke e shndërruar atë
në një akt dashurie e shëlbimi për njerëzimin. Kështu vdekjen, që për vetë natyrën
e saj, është fund i fundit, shkatërrim i çdo lidhjeje, Jezusi e bën akt të dhurimit
të plotë të vetvetes, mjet shëlbimi e shpallje të fitores së dashurisë mbi urrejtjen
dhe vdekjen. Në këtë mënyrë Jezusi bëhet vendimtar për jetën e vërtet të çdo njeriu,
për ta kuptuar Darkën e Mbrame, çastin e shndërrimit të vdekjes së dhunshme në flijim
vullnetar, në akt dashurie, që shpërblen e shëlbon njerëzimin e botën mbarë. Gjithnjë
të Premten e Madhe të Pashkëve kemi edhe një rast të përshtatshëm për të medituar
mbi misterin e madh të së keqes, të keqit e të mëkatit, që peshon rëndë mbi njerëzimin.
E për ta kuptuar këtë mister, ndihmojnë shumë ritet liturgjike si rrëfimi i historisë
së mundimeve të Krishtit, pastaj edhe manifestimet e përshpirtërisë popullore, si
Udha e Kryqit ose shfaqjet tjera kishtare, të cilat ka si qëllim të lenë gjurmë sa
më të thella në zemrën e besimtarëve, duke ndihmuar pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë
në flijimin e Jezusit. E kështu, deri në heshtjen e thellë të së Shtunës së Madhe,
në të cilën zhyten të gjitha Kishat, me elterët e zhveshur nga stolitë, duke e ftuar
besimtarin t’ia hapë shpirtin mëshirës hyjnore. Në këtë ditë ka rëndësi të madhe
pjesëmarrja jonë në Sakramentin e rrëfimit apo të pajtimit me Zotin e të afërmin tonë,
rrugë e domosdoshme kjo për të pastruar zemrën e për t’u përgatitur për kremtimin
e Pashkëve me shpirt të përtërirë. Së paku një herë në vit, kemi nevojë dhe obligim
për këtë përtëritje të shpirtit tonë përmes Sarkamentit të Pajtimit.