2011-04-21 13:28:06

Nis Treditëshi i Pashkëve.


(21.04.2011 RV)Sot më 21 prill, kremtohet e Enjtja e Madhe. Papa para dite kryesoi Meshën e Bagmit në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan. Gjatë kremtimit bekohet vaji i katekumenëve dhe i të sëmurëve. Bashkëkremtimi i Papës me kardinajt, ipeshkvijtë e meshtarët e pranishëm në Romë është simbol i bashkimit të ngushtë ndërmjet Kryebariut të Kishës universale dhe sivëllezërve të tij në meshtari.
Pasdite, duke nisur nga ora 17. 30, Papa kremton Meshën e Darkës së Mbrame të Krishtit me apostujt, në bazilikën e Shën Gjonit në Lateran. Benedikti XVI do t’u lajë këmbët 12 meshtarëve. Gjatë ritit, të pranishmëve do t’u drejtohet ftesa për të bërë një akt bamirësie si ndihmë për viktimat e tërmetit e cunamit në Japoni. Shuma që do të mblidhet do t’i dorëzohet Atit të Shenjtë në çastin e paraqitjes së dhuratave.

Të Premten e Madhe, më 22 prill, në orën 17. 00, Shenjtëria e Tij do të kryesojë, në Bazilikën e Vatikanit, Kremtimin e Mundimeve të Zotit me ritin e Adhurimit të Kryqit e pastaj, në mbrëmje, në orën 21.00, Udhën tradicionale të Kryqit në Koloseum, në përfundim të së cilës do të përshëndesë besimtarët dhe do të japë bekimin e tij apostolik. Sivjet Meditimet e Udhës së Kryqit janë përgatitur nga nga motër Maria Rita Puiçione.

Të Shtunën e Madhe, me 23 prill, në orën 21. 00 Benedikti XVI do të kryesojë kremtimin e Natës së Pashkëve në Bazilikën e Vatikanit. Sipas traditës, kjo natë në të cilën Krishti u ngjall njihet si ‘Nëna e të gjitha netëve të lutjes’, prandaj edhe kalohet në uratë. Kisha rri zgjuar duke pritur Ngjalljen e Zotit me kremtimin e Sakramenteve fillestare të jetës së krishterë. Kremtimi do të nisë me ritin e bekimit të zjarrit të ri në tremen e Bazilikës, pasuar nga Mesha shenjte e kryesuar nga Benedikti XVI.

Të Dielën e Ngjalljes, më 24 prill, Solemniteti i Pashkëve, Papa do të kremtojë Meshën e Ditës në Sheshin e Shën Pjetrit e më pas, nga lozha qendrore e Bazilikës, do të japë Bekimin ‘Urbi et Orbi’ – ‘Romës e Botës’.







All the contents on this site are copyrighted ©.