2011-04-20 18:23:54

Toka e Shenjtë: thirrje për paqe, në Mesazhin e Pashkëve të prijësve të Kishave


(20.04.2011 RV)13 krerët e Kishave të Jeruzalemit, në mesazhin drejtuar besimtarëve me rastin e Pashkëve, bëjnë thirrje për pajtim në Tokën Shenjte e në Qytetin e Shenjtë. Të krishterët i ndjekin me lutje zhvillimet në Lindjen e Mesme, lexohet në tekstin e rimarrë nga Agjensia Sir. Lutemi që reformat të ndikojnë për krijimin e një shoqërie civile, e cila di ta respektojë lirinë e fjalës, lirinë e fesë, lirinë e mendimit. E t’i respektojë të gjithë, shumicë qofshin, a pakicë. I ftojmë të gjithë njerëzit fetarë e vullnetmirë ta kërkojnë paqen, e cila nuk mund të blihet me çmimin e heshtjes e të nënshtrimit nën thundrën e korrupsionit e të padrejtësisë - shtojnë të 13 liderët e Kishave të krishtera. I nxisim të gjithë të krishterët, vijon teksti, të luten për pajtimin ndërmjet popujve të Tokës së Shenjtë, ku situata e tensionuar të krijon përshtypjen se në këto troje vonë e herë do të ngadhënjejnë paqja e drejtësia. I bëjmë thirrje Kishave të botës të na ndihmojnë, duke krijuar kushtet, që të jehojë në të katër anët zëri i atyre, të cilët sot detyrohen të heshtin. Të na mbështesin konkretisht t’i shembim muret, që na ndajnë njëri nga tjetri e të ndërtojmë urat e vullnetit të mirë ndërmjet njerëzve.
Së fundi, barinjtë e krishterë kërkojnë të punohet me urti e gjykim të shëndoshë për të plotësuar nevojat e popujve të tyre e për të gjetur rrugëzgjidhje paqësore, që ndihmojnë në ndërtimin e një ardhmërie më të mirë për të gjithë bijtë e Zotit mbi tokë.








All the contents on this site are copyrighted ©.