2011-04-20 18:23:27

Në prag të Treditëshit të Pashkëve, Papa i ftoi të krishterët të mos dremisin përballë së keqes, që vijon ta trazojë botën.


(20.04.2011 RV)Sot, në audiencën e përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa u kujtoi besimtarëve se, pasi përshkuam rrugën pendestare të Kreshmëve, tashmë jemi në zemër të Javës së Madhe, në prag të Treditëshit të Pashkëve. Nënvizoi, në vijim, se në çastin e provës së fundit, Jezusi ia besoi krejt vetveten Zotit e kështu e mundi tundimin e së keqes. Benedikti XVI foli lirisht, jashtë tekstit zyrtar, duke i nxitur besimtarët ta ndjekin Krishtin në Gjetseman e të rrinë gjithnjë zgjuar, me vetëdijen se e Keqja vijon të endet nëpër botë, duke lënë pas gjurmët e saj të kobshme. Foli pastaj, për dashurinë ndërmjet Atit e Birit, garanci shëlbimi për çdo njeri.

Gjatë audiencës së përgjithshme, kushtuar krejtësisht tri Ditëve të Mëdha, në të cilat Kisha përkujton misterin e Mundimeve, të Vdekjes e të Ringjalljes së Zotit, Ati i Shenjtë shpjegoi kryesisht gjendjen shpirtërore të Jezusit në çastin e provës së fundme. U kujtoi, më pas, besimtarëve, se duhet ta pranojnë këtë mister shëlbimi e të marrin pjesë me gjithë shpirt në Trieditëshin e Pashkëve, zemër e gjithë vitit liturgjik e çast i veçantë hiri për çdo të krishterë. I ftoi edhe të luten e të meditojnë ngjarjet e një Jave, e cila mund të quhet, pa frikë, më e madhja e më e shenjta, që ka jetuar ndonjëherë njerëzimi. Pasojat e saj shpëtimtare, shtrihen pa fund në hapësirë e në kohë, duke u bërë burim hiresh në shekuj të shekujve. Mund t’i fitojmë edhe ne hiret e kësaj jave, në se bashkohemi thellësisht me Krishtin në mundime, përmes Sakramentit të pajtimit, duke u gjunjëzuar në rrëfyestore e duke e pritur me shpirt të pastër Ringjalljen e Tij, që është edhe ringjallja jonë, në të Dielën e Madhe.
Pas Meshës së Bagmit, në mëngjesin e së Enjtes së Madhe, kujtoi Papa, Triditëshi i Pashkëve nis pasdite, me përkujtimin e Darkës së Mbrame:
“Duke shqiptuar bekimin mbi bukën e mbi verën, Krishti përshpejton flijimin e kryqit; tregon se dëshiron ta vijojë praninë e tij ndërmjet dishepujve, nën dukjen e bukës e të verës. Bëhet, kështu, i pranishëm në mënyrë reale, me korpin e vet të dhuruar e me gjakun e vet të derdhur”.
Në vijim Papa nënvizoi se, duke u larë këmbët Apostujve, Jezusi na fton ta duam njëri-tjetrin, ashtu si na deshi Ai ne. Kujtoi edhe grahmat e Zotit në Kopshtin e Gjetsemanit. Jezusi, shpjegoi Papa, u thotë dishepujve të vet të rrinë zgjuar, të mos dremisin, në sa e keqja është aty, fare pranë, në pritë. Ftesë me vlerë për të gjitha kohët, për të gjithë njerëzit:
“Kjo thirrje për vigjilencë lidhet me çastin e ankthit, që buron nga kërcënimi i afrimit të tradhtarit, por edhe me tërë historinë e Kishës. Mbetet mesazh me vlerë për të gjitha kohët, sepse dremitja e dishepujve nuk është thjesht problem i këtij çasti, por problem, që ka të bëjë me të gjithë historinë”.
Por ç’kuptim ka kjo dremitje? Të dremisësh përballë së keqes, shpjegoi Papa, do të thotë të jesh shpirtërisht i pandjeshëm ndaj pushtetit të saj, të mos trazohesh tepër për vuajtet e rënda, që pëson bota, derisa nuk të kanë trokitur në portë, duke të shkundur keqas nga apatia. Por nuk është vetëm kjo. Një dremitje e tillë..:
“…do të thotë të jesh i pandjeshëm para Zotit, e kjo është përgjumja jonë e vërtetë, kjo pandjeshmëri për praninë e Zotit, që na bën të pandjeshëm edhe para së keqes: nuk duam ta ndjejmë Zotin, sepse ai na trazon, e jo pak; e natyrisht, kështu nuk e ndjejmë as të keqen, që na afrohet e na e pushton shpirtin, ndërsa ne vijojmë të ecim në rrugën e rehatisë sonë të patrazuar”.
Po deri kur do të jetë e patrazuar kjo rehati? Deri kur do të jetojmë larg grahmave të vdekjes, larg Gjetsemanit tonë? Papa vijoi të flasë për lutjen e Zotit, në çastin e agonisë, në Gjetseman: “U bëftë vullneti yt, jo imi!”, thotë Krishti, në sa djerset gjak dhe e ndjen fare pranë honin e vdekjes, tmerrin e hiçit:
“Mund ta kuptojmë mirë se Jezusi, me shpirtin e tij njerëzor, tmerrohet para këtij realiteti, të cilin e percepton në të gjithë mizorinë e tij; fjalët ‘vullneti im’, kanë kuptimin ‘nuk dua ta pi këtë kelk tejet të hidhur”. Por vullneti i Krishtit i nënshtrohet vullnetit të Hyjit, vullnetit të Atit, që është edhe vullneti i vërtetë i Birit”.
Njeriu, shtoi Papa, që nga zanafilla, tundohet t’i kundërvihet vullnetit të Zotit. Dëshiron të jetë krejtësisht i pavarur, në të mirë e në të keqe. Po kjo është pavarësi e gabuar. Të hysh në vullnetin e Zotit, nuk do të thotë të ngarkohesh me zinxhirët e skllavërisë, që e dhunon vullnetin tonë. Përkundrazi, do të thotë të hysh në vërtetësi, në dashuri, në mirësi. Ja pra pse Jezusi na tërheq drejt këtij vullneti, na mëson të bëjmë vullnetin e Atit:
“Në këtë shndërrim të ‘jo’-së në ‘po’, në këtë pranim të vullnetit të Atit, njerëzimi shndërrohet, shpërblehet, hyn në lëvizjen e vetë Zotit: kur del nga mohimi ynë, për të hyrë te pohimi i Birit, vullneti ynë nuk humbet, por kalon në plan të dytë, ndërsa në plan të parë del vullneti i Atit, sepse kjo është dashuria dhe e vërteta”.
Papa vuri ballë për ballë çastin plot ankth e vuajtje, që kaloi Jezusi para vdekjes, me të njëjtin çast, që filozofi i madh grek Sokrati, e kaloi fare i patrazuar. Mendimtari i lashtë e piu qetësisht çikutën dhe, i rrethuar nga dishepujt e vet, e priti me indiferencë të plotë fundin:
“Po misioni i Jezusit ishte tjetër; misioni i tij nuk ishte indiferenca, as liria e plotë përballë vdekjes; misioni i tij ishte të merrte mbi vete gjithë vuajtjen tonë, gjithë dramën njerëzore. Prandaj gjithë ky poshtërim i Gjetsemanit, është themelor për misionin e njeriut-Zot, që mbart mbi vete vuajtjet tona, varfërinë tonë, mjerimin tonë e i shndërron në vullnetin e Hyjit”.
Në vijim, Papa u kthye edhe një herë tek bashkimi i plotë i Jezusit me vullnetin e Hyjit Atë. Në Gjetseman, ashtu si mbi Kryq, ripohoi Benedikti XVI, është pikërisht kjo dashuri ndërmjet Birit e Atit, që fiton mbi tundimin e Djallit të mallkuar e që na shpëton:
“Kriteri, që i priu Jezusit gjatë gjithë jetës së tij, ishte vullneti i hekurt për ta dashur Atin e për të qenë gjithnjë Biri i tij besnik; ky vendim për t’iu përgjigjur dashurisë me dashuri, e shtyu ta pranojë në çdo rrethanë, projektin e Atit, ta bëjë të vetin planin e dashurisë, që iu besua, për të përmbledhur çdo gjë në Të e për t’i prirë të gjitha sendeve drejt tij”.
Në çastin e përshëndetjeve drejtuar shtegtarëve, Papa i kushtoi një mendim të posaçëm pjesëmarrësve në takimin ndërkombëtar të universitarëve, organizuar nga Prelatura e Opus Dei. Benedikti XVI uroi që, përmes jetës së këtyre të rinjve universitarë, të realizohet çka pati uruar Hosemaria Eskrivà: “Sjellja jote e fjala jote të jenë të tilla, që të gjithë, kur të të shikojnë e të të dëgjojnë duke folur, të thonë: “Ja një, që e lexon jetën e Jezu Krishtit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.