2011-04-20 18:24:09

E Mërkura e Madhe e Pashkëve


Krishti përgatitet për aktin e fundmë të tragjedisë së tij. Është koha për të zgjedhur rrugën. Thërret dy dishepuj të besuar e i nis tek shtëpia e një miku, që të përgatisin gjithçka duhet për kremtimin e Darkës së Mbrame të Pashkëve. Nuk i bën zë Judës, ndonëse është ai që e ka për detyrë të mendojë për nevojat materiale të grupit të vogël. Por tani, jo! Ai e zgjodhi tashmë rrugën e vet. E shiti Krishtin për 30 aspra argjendi! Sepse nuk kishte asgjë të përbashkët me Zotin. Njëri kishte zgjedhur kryqin, tjetri, asprat! Duke besuar se njeriu mund ta përjashtojë Zotin nga jeta e vet, pa i ndryshuar fare zakonet, pa pyetur se ka edhe një të ardhme, nga e cila mund të pritet gjithçka. Se mund të tradhtojë pa kurrfarë pasoje. Por kush mendon kështu, gënjehet, e rëndë. Do të vijë gjithnjë çasti, kur do të lihet mënjanë, i përjashtuar nga vepra e Shëlbimit, që vijon të zhvillohet në botë e që pranon vetëm shpirtra fisnikë në planin e palodhshëm të Gjithëpushtetshmit. Kush tradhton, ndjek fatin e të përjashtuarve. Si Juda.
Ndërkaq Jezusi niset, për të kryer aktin e fundit të misionit, sepse një Profet nuk mund të vdesë jashtë Jeruzalemit. Rrugës është një oazë, Betania.
Lazri e motrat e tij, Marta e Maria, e kanë ftuar në shtëpi, në një festë plot mirënjohje e dashuri. Është një rast krejt i veçantë: ata duan të shprehin të pashprehshmen, sepse e pashprehshme ishte ajo që ndodhi, ajo që panë, që provuan. E kush tjetër, veç tyre, kishte kaluar ashtu nga dhimbja e vdekjes, në galdimin e jetës? Kush e kish bërë ndonjëherë shtegtimin e papërfytyrueshëm nga një varr i vulosur, në dritën e diellit, i thirrur nga një, që ka fuqi t’i bërtasë të vdekurit: “Lazër, dil jashë!”.
Tani ky njeri i dalë nga varri, është aty, në shtëpinë që kanë nisur ta quajnë ‘shtëpia e të ngjallurit’, pranë familjarëve, të çmendur nga gëzimi.
Gostia është madhështore. Gostarët gëzojnë e, në sa Maria ia lyen këmbët me vajin e çmuar, vështrimi i Zotit përfshin horizontet, ku syri i të tjerëve s’arrin, duke provuar, tashmë, vetminë e pacak
Juda, i pranishëm në këtë skenë, si dishepull i Krishtit e mik i familjes, e shikon e sytë i vetëtijnë nga lakmia, nga inati, nga cmira. Nuk është në gjendje ta kuptojë këtë çast kaq të jashtëzakonshëm. Mërmërin, tërë mllef, se i duket shpërdorim. Njerëzit e mbrapshtë nuk mund ta kuptojnë dashurinë e vërtetë, flijimin e vërtetë. U duket shpërdorim. E, për ta fshehur gjithë këtë mllef, shtihet se i vjen keq për të varfërit. Shpirtrat e ultë mundohen gjithnjë t’i fshehin pas fjalëve të fisme, planet e tyre të mbrapshta.
Po Krishti i dëgjon këto fjalë të helmatisura e ndjen sa lëndohet Maria. Ajo, e strukur tek këmbët e tij, nuk e ngre fare kokën, sepse aty ka gjetur strehë.
“Mos e trazoni - thotë me trishtim - në se dëshironi të bëni mirë, do të gjeni mijëra raste. Parfumi i saj paralajmëron një tjetër vaj erëmirë, që do të derdhin mbi mua pas pak ditësh, në çastin kur do të më kallin në varr”.
Ja, ky ishte mendimi që fshihte pas vështrimit të përhumbur, mendimi që shpërthen tani në zemrën e Marisë, që i trondit gostarët.
Krishti e kujton skenën e varrosjes së vet, pak ditë para se të zbresë në varr. Mbi Të peshojnë rëndë ditët e pabesisë së njerëzimit. E edhe ditët e gjata të pabesisë sonë, përplot me brerje të ndërgjegjes, me raste të humbura Sepse, të zënë siç ishim me punët tona të vogla njerëzore, me interesat mjerane, me lakmitë e kënaqësitë tona, që s’janë të Zotit, nuk e kuptuam. Ndoshta edhe ne e tradhtuam!
Po tani t’i lutemi: mos na lërë mënjanë, na prano pranë Marisë, në gostinë e së Mërkurës sate të Madhe! Do të mësojmë prej saj si ta shprehim pa droje dashurinë e të ecim pas teje në këtë orë tragjike, larg tundimeve, larg dëshirave e planeve materiale, larg mllefeve e mërive, larg mashtrimeve e tradhtive.
Pranoje, o Jezus, Ti shëlbimi ynë, vullnetin e mirë të qëllimve tona; na i fal mijëra ligështitë që na largojnë prej Teje: duam të ecim përkrah Teje e të përgatisim me Ty, në ditë e mundimeve, gëzimin e pamort të ringjalljes.








All the contents on this site are copyrighted ©.