2011-04-19 14:59:18

Figura e Gjon Pali II në Homelinë e Papës Benedikti XVI në ditën e fillimit të papnisë.


Në gjashtëvjetorin e papnisë së Benediktit XVI, kujtojmë fjalët e para të homelisë, ngarkuar me kulme e simbole themelore për Kishën dhe shoqërinë, në përkim të plotë me kremtimin, që filloi me litanitë e shenjtorëve. Është hera e tretë – kujtoi Benedikti XVI – që këndohen gjatë këtyre ditëve, të ngarkuara me ngjarje: në salikimet e Papës Gjon Pali II; në çastin kur kardinajtë hynë në Konklav e edhe sot, kur u kënduan rishtas me lutjen: Tu illum àdiuva – ndihmoje pasardhësin e Shën Pjetrit.
Sa të vetmuar e ndjemë veten, pasi u ndamë nga Gjon Pali II – kujtoi Papa Ratzinger në vijim të homelisë – nga Papa i cili për 26 vjet me radhë qe bariu e prijësi ynë gjatë shtegtimit tonë në këtë kohë. Ai kapërcente pragun drejt një jete tjetër – duke hyrë në misterin e Zotit. Por nuk e bënte këtë hap i vetëm. Kush beson, nuk është kurrë i vetëm – nuk është i vetëm në jetë e as në vdekje. Në këtë çast ne mund t’i lutemi shenjtorëve të të gjithë shekujve – miqve të tij, vëllezërve të tij në fe, duke qenë të sigurtë se do të ishin kortezhi i gjallë, që do ta shoqëronte në jetën e përtejme, deri në lumninë e Zotit. Ne e dinim se mbërritja e tij pritej. Tani e dimë se ai është ndërmjet të vetëve, është vërtetë në shtëpi të vet. U ngushëlluam rishtas, në sa hynim solemnisht në Konklav, për të zgjedhur atë - që e kishte zgjedhur Zoti. E si mund ta dinim emërin e tij? E si mundnin 115 ipeshkvijtë, ardhur nga të gjitha kulturat e të gjitha vendet, ta gjenin atë, të cilit vetë Zoti dëshironte t’i besonte misionin për të lidhur e për të zgjidhur? Sërisht ne e dinim se nuk jemi vetëm – vijoi Ati i Shenjtë lajtmotivin e pjesës së parë të homelisë; - se jemi të rrethuar, jemi të udhëhequr nga miqtë e Zotit. E tani, në këtë çast, unë, shërbëtori i ligësht i Zotit duhet të marr mbi vete këtë detyrë të pashembëllt, që realisht kapërcen çdo aftësi njerëzore. E si mund ta bëj këtë? Si do të jem i zoti ta bëj? – e këtu Papa kujtoi rishtas aradhet e shenjtorëve të Zotit, me bindjen se nuk është, nuk do të jetë kurrë i vetëm, nuk do ta mbartë i vetëm këtë barrë, të cilën i vetëm nuk do të mund ta mbarte kurrë. Aradhja e Shenjtorëve të Zotit më mbron – vijoi me bindje Benedikti XVI – më ndihmon; e më ndihmon edhe lutja juaj – miq të dashur – theksoi Papa, duke iu drejtuar të gjithë besimtarëve në Krishtin – më ndihmon dashuria juaj; feja e shpresa juaj më shoqërojnë. Në të vërtetë në bashkëninë e shenjtorëve nuk bëjnë pjesë vetëm figurat e mëdha, që na paraprinë e të cilëve ua dimë emrat. Ne të gjithë jemi bashkënia e shenjtorëve, ne, të pagëzuarit në emër të Atit, të Birit e të Shpirtit Shenjt, ne që e jetojmë dhantinë e Korpit e të Gjakut të Krishtit, përmes të cilit ai dëshiron të na shndërrojë e të na bëjë të ngjashëm me vetveten.
Po, Kisha është e gjallë! – kjo është përvoja e mrekullueshme e këtyre ditëve: Pikërisht në ditët e trishtuara të sëmundjes e të vdekjes së Papës, ne e pamë këtë mrekulli me sytë tonë: pamë se Kisha është e gjallë! Se Kisha është e re! Ajo mbart në vetvete ardhmërinë e botës! E prandaj i tregon edhe secilit nga ne, rrugën drejt së ardhmes. Kisha është e gjallë e ne e shikojmë me sytë tanë; ne provojmë gëzimin që Krishti i ngjallur ua ka premtuar të vetëve. Kisha është gjallë – ajo është e gjallë sepse Krishti është i gjallë, sepse Ai është ngjallur vërtet. Në dhimbjen që pamë në fytyrën e Atit të Shenjtë ditët e Pashkëve, kundruam misterin e mundimeve të Krishtit e njëkohësisht prekëm varrët e tij. Por në gjithë këto ditë mundem edhe ta prekim Krishtin e ngjallur, në kuptimin e plotë të kësaj fjale. Pas një kohe të shkurtër errësire, provuam gëzimin që na premtoi, si fryt i ngjalljes së tij.








All the contents on this site are copyrighted ©.