2011-04-19 14:55:21

Benedikti XVI kremtoi 6-vjetorin e fillimit të papnisë


(19.04.2011 RV)Kisha Katolike kujtoi e festoi sot 6-vjetorin e fillimit të papnisë së Benediktit XVI. Atit të Shenjtë i erdhën urime nga e gjithë bota. Gjashtë vjet pas zgjedhjes në fronin e Shën Pjetrit, bilanci është jashtëzakonisht i pasur, por ne po ndalemi vetëm në 12 muajt e fundit, gjatë të cilave Papa ka qenë protagonist i shumë ngjarjeve, që nga udhëtimet apostolike tek Sinodi i ipeshkvijve për Lindjen e Mesme, nga nënshkrimi i dokumentave të rëndësishëm për magjisterin deri tek botimi i dy librave.RealAudioMP3

Viti i gjashtë i papnisë së Benediktit XVI filloi në gjurmët e Shën Palit Apostull, në ishullin e Maltës, nga i cili sapo qe kthyer. Në mesin e majit, në Fatima për dhjetëvjetorin e lumnimit të barinjve të vegjël, që i dhanë botës mesazhin e Zojës e më 4 qershor, Papa sbarkon në Qipro. Nuk mund ta presë imzot Luigji Padoveze, vikari apostolik i Anadollit, që u vra brutalisht vetëm pak ditë më parë, duke dhënë dëshminë e gjakut për Krishtin, në kundërshtim me ata priftërinj, që u njollosën me abuzimet ndaj të miturve. Pikërisht këtyre të fundit, në përfundim të Vitit Meshtarak, më 11 qershorin e kaluar, Papa u kërkoi të pendohen, por i bëri thirrje edhe gjithë Kishës të shohë brenda vetes e të spastrohet nga plehrat:
“E kështu, ndodhi që, pikërisht në këtë vit gëzimi për sakramentin e meshtarisë, dolën në dritë mëkatet e meshtarëve – sidomos abuzimi ndaj të vegjëlve, me të cilin meshtaria, si detyrë për t’u shprehur njerëzve kujdesin e Zotit, kthehet në të kundërtën e saj…Edhe ne i kërkojmë me këmbëngulje falje Zotit dhe viktimave, ndërsa premtojmë të bëjmë ç’është e mundur, që abuzime të tilla të mos ndodhin më kurrë”.
Në ditët e fundit të verës, Benedikti XVI fluturon për në Mbretërinë e Bashkuar. E paraprirë nga sulme në media mbi temën e abuzimeve, vizita apostolike përfundon me një apotheozë turmash e komentesh pozitive, me britanikët që i bëri për vete buzëqeshja e Papës, i cili u la trashëgiminë shpirtërore të një gjiganti të krishterimit, kardinalit Xhon Henri Njuman, shpallur i lum në Birmingam. Hija e këtij njohësi të madh të Shkrimit Shenjt është sfondi ideal për Këshillimin Apostolik “Verbum Domini”, që Benedikti XVI e nënshkruan më 30 shtator: 200 faqe me ftesën e zjarrtë për t’u thelluar në njohjen e Biblës. Më vonë, duke u ndalur në këtë dokument, Papa do të thoshte:
“Shumë të krishterë kanë nevojë, që t’u rishpallet në mënyrë bindëse Fjala e Zotit, që ta provojnë konkretisht forcën e Ungjillit” (n.96). Nganjëherë, duket sikur problemet shtohen kur Kisha u flet burrave e grave, larg ose indiferentë ndaj përvojës së fesë, të cilëve mesazhi ungjillor u arrin me pak efikasitet e nuk u bën përshtypje”.
Pikërisht, deti i indiferencës ndaj vlerave të krishtera, sidomos në Perëndim, e pati shtyrë Papën të krijonte në qershor, me anë të Motu proprio “Ubicumque et semper”, Këshillin Papnor për nxitjen e Ungjillëzimit të Ri, objektivi i të cilit është lufta kundër “eklipsimit të ndjesisë së Zotit” e “gjetja e mjeteve të përshtatshme për ta ripropozuar të vërtetën e amshuar të Ungjillit të Krishtit”. Tetori është ndërkaq, muaji i Sinodit të ipeshkvijve për Lindjen e Mesme. Për tri javë me radhë, Papa dëgjoi me vëmendje dëshmitë mbi një zonë, ku paqja, që frymëzohet nga Vendet e Shenjta, bashkëjeton me një paqëndrueshmëri të vazhdueshme. Në Meshën e mbylljes së Sinodit, më 24 tetor, Benedikti XVI theksoi:
“Paqja është kusht i domosdoshëm për një jetë të denjë të njeriut e të shoqërisë. Paqja është edhe ilaçi më i mirë për të shmangur emigracionin nga Lindja e Mesme… Të lutemi për paqen në Tokën Shenjte. Të lutemi për paqen në Lindjen e Mesme, duke u impenjuar që ajo dhuratë e Zotit ofruar njerëzve vullnetmirë, të përhapet në mbarë botën”.
Në nëntor, Papa shkoi në Spanjë, në një udhëtim ndërmjet Santiago de Kompostela dhe “Sagrada Familia”-s së Barcelonës. Por sidomos, u paraqit libri-intervistë “Drita e botës”, në të cilin Benedikti XVI – përmes pyetjeve të gazetarit gjerman Peter Sevald – shprehet me një gjuhë të thjeshtë mbi temat më delikate, që prekin ndërgjegjen e njeriut. 2010-a mbyllet me një dokument të rëndësishëm “teknik”: më 30 dhjetor, Ati i Shenjtë boton në formën e “Motu Proprio”, Letrën apostolike “për parandalimin dhe kundërshtimin e aktiviteteve të paligjshme në fushën financiare dhe monetare”, me të cilën Shteti i Vatikanit bën të vetat normat e bashkësisë ndërkombëtare kundër pastrimit të parave e financimit të terrorizmit. Në natën e nesërme, një bombë përgjak Vitin e Ri të të krishterëve, në një kishë kopte të Aleksandrisë së Egjiptit. Papa e dënon këtë masakër, në Lutjen e Engjëllit të Tënzot, më 2 janar 2011:
“Ky gjest i shëmtuar i vdekjes, si ai i vendosjes së bombave, tani edhe afër shtëpive të të krishterëve në Irak, për t’i detyruar të largohen, fyen Zotin e mbarë njerëzimin, që jo më larg se dje u lut për paqen dhe filloi me shpresë vitin e ri”.
Për mbrojtjen e lirisë së fesë, Benedikti XVI flet me forcë edhe në fjalimin e 10 janarit para Trupit Diplomatik të akredituar në Selinë e Shenjtë. E historinë e mëpasme e kujtojmë më lehtë. Më 10 mars, Papa u mban një “Lectio divina” të gjatë e të thellë meshtarëve të Romës. Njëkohësisht, bota përqendrohet në paraqitjen e vëllimit të dytë të librit “Jezusi i Nazaretit”, shkruar nga Papa, por jehona e botimit të tij shuhet menjëherë nga tmerri për atë që ndodhi 24 orë më vonë në Japoninë e përfshirë nga tërmeti e tsunami, që shkaktuan mijëra viktima. Edhe një herë nga dritarja e Lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa bën thirrje për lutje e për solidaritet:
“Imazhet e tërmetit tragjik e të tsunamit që pasoi në Japoni na bënë jashtëzakonisht përshtypje… Lutem për viktimat e për familjarët e tyre, si edhe për të gjithë ata që vuajnë për shkakun e këtyre ngjarjeve të tmerrshme. Inkurajoj ata, që me një gatishmëri për t’u lavdëruar, po impenjohen për të çuar ndihma. Të bashkohemi në lutje. Zoti na qëndron afër!”







All the contents on this site are copyrighted ©.