2011-04-19 14:59:05

Benedikti XVI: Bariu i mirë e frika përballë ujqërve.


Në të gjithë veprimtarinë e tij, ashtu si në homelinë e parë, Benedikti XVI vë theksin mbi misionin e bariut në botën e sotme, ku ka një mori formash të shkretëtirës:
"Shqetësimi i shenjtë i Krishtit duhet ta gjallërojë bariun: ai nuk mund të qëndrojë indiferent përballë njerëzve që jetojnë në shkretëtirë. E ka lloj-lloj formash të shkretëtirës: shkretëtira e mjerimit, e urisë dhe e etjes, e braktisjes, e vetmisë, e dashurisë së shprishur. Eshtë edhe shkretëtira e mosnjohjes së Zotit, e zbrazjes së shpirtrave që humbasin vetëdijën e dinjitetit e të rrugës së njeriut. Shkretëtirat e jashtme shtohen në botë, sepse bëhen gjithnjë më të hapta shkretëtirat e brëndshme, ato shpirtërore. E detyra e barinjve të Krishtit është pikërisht t’u prijnë njerëzve, për t’i nxjerrë nga shkretëtira. Në Lindjen e lashtë ishte zakon që mbretërit ta quanin veten barinj të popullit. Ishte simbol i pushtetit të tyre, figurë cinike: për ta popujt ishin si bagëtitë, me të cilat mund të bënin sipas qejfit".
Ndërsa bariu i të gjithë njerëzve, Zoti i gjallë, u bë vetë qengj, mori anën e qengjave, të atyre që shtypen e që mbyten. Unë jap jetën time për delet e mia – thotë Krishti për vetveten. Ajo që të çliron nuk është forca, por dashuria. Kjo është shenja e Zotit: ai vetë është dashuri. Sa herë dëshirojmë që Zoti të tregohej më i fortë, të dënonte ashpërsisht, ta mundte të keqen e të ndërtonte një botë më të mirë. Të gjitha ideologjitë e forcës përligjen kështu, përligjin shkatërrimin me atë që i kundërvihet progresit dhe çlirimit të njerëzimit. Ne vuajmë për shkak të durimit të Zotit.
"Botën mund ta shpëtojë i Kryqëzuari e jo kryqëzuesit! Bota shpëtohet nga durimi i Zotit e shkatërrohet nga padurimi i njerëzve".
Benedikti XVI vuri theksin edhe mbi cilësitë themelore të bariut, i cili duhet t’i dojë njerëzit që i janë besuar, sepse të kullosësh do të thotë të duash e të jesh gati për të vuajtur. E Papa u kërkoi besimtarëve:
“Lutnju për mua, që të mësoj për ta dashur gjithnjë më shumë grigjën time - ju vetë, Kishën Shenjte, secilin veç e veç e të gjithë së bashku e, sidomos, të mos iki, nga frika, përballë ujqërve".









All the contents on this site are copyrighted ©.