(18.04.2011 RV)Regjimi i Muhamar Gedafit në Libi denoncoi sot sërish se pas
revoltës në vend qëndron organizata terroriste Al Kaeda. Nga njëra anë, regjimi akuzon
NATO-n se po u lë dorë të lirë integralistëve, ndërsa, nga ana tjetër, mohon se po
kryen krime kundër popullit libian. Ndërkaq, në Misratë vazhdojnë bombardimet.
Sipas kryengritësve, gjatë 24 orëve të fundit janë vrarë 17 vetë e mëse njëqind të
tjerë janë plagosur. Që nga fillimi i rrethimit, viktimat kanë arritur njëmijëshin,
ndërsa të plagosurit trimijëshin. Shumica e tyre janë civilë, denoncojnë sërish rebelët. Sulmohet
edhe Axhedabia në Cirenajkë. Sot paradite u bombardua periferia perëndimore e qytetit,
duke i detyruar kryengritësit dhe popullsinë të largohen nga zona.