2011-04-18 17:25:13

Tension Itali-Francë për emigrantët


(18.04.2011 RV)Pasi ndërprenë mbrëmë qarkullimin e trenave, që nga Italia çojnë në Francë, për të mos u lejuar emigrantëve tunizianë të kalojnë kufirin, autoritetet e Parisit vendosën sot të lejojnë kalimin e atyre, që dëshirojnë të shkojnë pranë miqve apo dashamirëve të vet, pikërisht në Francë.RealAudioMP3
Vendimi për mosqarkullimin e trenave – zyrtarisht, për shkak të një manifestimi pro tunizianëve në kufi - shkaktoi një debat absurd ndërmjet Italisë dhe Francës, dy ndër vendet themeluese të Traktatit të Shengenit, parimet e të cilit shkelen tani me të dyja këmbët. Nga Bashkimi Evropian komentohet se Franca kishte të drejtë të ndalonte trenat, ndërsa nga ana tjetër shpjegohet se anijet me emigrantë, që trokasin në dyert e Evropës, nuk mund të kthehen mbrapsht. Është përgjigjia për deklaratën e kryeministrit francez Fransua Fijon, sipas të cilit “do të ishte më inteligjente”, që emigrantët të ktheheshin në vendin e tyre.
Cilat janë pasojat që mund të kenë qëndrime të tilla në Evropë, e cila gjithnjë e më shumë i ngjan një klubi të pasurish, më tepër se sa një bashkimi popujsh të vetëdijshëm? A mund të vendosë ndonjëri prej vendeve të dalë përkohësisht nga Traktati i Shengenit? Pyetëm një nga drejtuesit e Shoqatës italiane për Studimet Juridike mbi Emigracionin, Xhanfranko Skiavone:
Masa mund të merret, por duhet respektuar gjithnjë situata: mua, absolutisht, nuk më duket e arsyeshme. Gjithë këto ngjarje janë pjesë e lojës së palëve, me profil shumë, shumë të ulët, në kuadrin e mungesës së një politike gjithëpërfshirëse për të përballuar problemet e vërteta: si ta ndihmojmë Tunizinë ta kapërcejë këtë fazë me mbështetje serioze, jo vetëm me ndihma për të kontrolluar nisjet e emigrantëve, por me përkrahje për fazën e tranzicionit në demokraci.
Tranzicion ky i inkurajuar e i përshëndetur edhe nga Bashkimi Evropian…
Po, pikërisht ashtu. Na bën përshtypje që, nga njëra anë, ky tranzicion inkurajohet e duartrokitet, por, nga ana tjetër, masa konkrete nuk ka. Në vend që të kuptojë se ç’lloj marrëdhëniesh duhet të ketë me këto vende të ndryshuara, Bashkimi Evropian sillet sikur problemi të qëndronte në disa mijëra vetë, që vijnë në këto anë. Për temën më të madhe historike të çastit diskutohet shumë pak, por merremi jashtëzakonisht me kontrollet në kufi, me bllokim trenash…Duket qartë se debati aktual ka marrë një rrugë të gabuar.








All the contents on this site are copyrighted ©.