Dje jehonin ende britmat e fëmijëve, të mbledhur rreth Krishtit, që ngadhënjente përvujtërisht
mbi shpinë të gomarit. Njerëzit e ardhur nga larg për të kremtuar Pashkët në qytetin
shenjt, pyesnin banorët e Jeruzalemit, që dyndeshin rrugëve duke brohoritur: “Kush
është ky?”. “Jezusi i Nazaretit”, u përgjigjeshin, Profeti, Biri i Davidit, Mesia!
Hosana atij që vjen në emër të Zotit!”. Në ditët që do të vinin, “Hosanave” do
t’ua zinte vendin britma më tragjike që u dëgjua ndonjëherë në skenën e kësaj bote:
“Kryqëzojeni!”. Po sot është një ditë e re. Krishti e kaloi natën jashtë qytetit,
drejt Betanisë, larg kurtheve. Me mendimin: “Sa mbrëmje i mbeten deri në përmbushjen
e misionit? Edhe katër ditë e Qengji, ai vetë, do të flijohet. Qengji i flijes së
re, që historia e njerëzimit e pret. Që qielli e ka përgatitur në vitet e amshuara”.
Sot ka një shpresë të vetme: “Atë, largoma nga buza këtë kelk!. Për ty s’ka asgjë
të pamundur! Ti mund t’u japësh ngjarjeve të caktuara në thellësitë e pakohë, një
kthesë tjetër, duke e shikuar fatin tim më shumë me mëshirë, sesa me drejtësi, që
të mos vuaj kaq shumë e korpi im njerëzor të mos rrënqethet përballë kryqit, gozhdave,
shqyerjes së nervave, gurrës së gjakut, tmerrit të vdekjes. Për ty s’ka asgjë të pamundur,
o Atë. Ti mund t’ua rikthesh njerëzve pafajsinë e lashtë, pa inate, pa urrejtje, pa
hakmarrje; mund t’ua rikthesh gëzimin e zemrës së pafaj, t’i largosh nga pasionet
e errta, nga lakmia, nga dhuna, nga etja e ndyrë për pushtet. Për Ty s’ka gjë të pamundur!”.
Këtë na fton të meditojmë dita e sotme, e Hëna e Madhe. Duam të të
ndjekim pas, Jezus, dishepuj të largët nga ato ditë, edhe ne të njollosur me faje,
edhe ne të tunduar të mos besojmë. Por duam të ecim pas teje, o Krisht, sepse shpresojmë
në Ty. Na i përsërit pambarim fjalët tuaja, Jezus, Mësues i ëmbël, sepse fjalët tuaja
janë fjalë jete, fjalë shprese. Duam të të ndjekim pas...