2011-04-18 18:50:04

E Diela e Larit në bashkësinë katolike shqiptare në Romë


(18.04.2011 RV)Bashkësia mërgimtare katolike shqiptare në Romë u mblodh dje, me rremba ulliri në dorë, për të ndjekur hyrjen ngadhënjimtare të Krishtit në Jeruzalem. Kisha e lashtë e Shën Gjonit të Malvës, në zemër të lagjes romake Trastevere, ishte aq plot, sa besimtarët e fundit, ardhur nga të katër anët e qytetit vigan, ku jetojnë e punojnë, u detyruan ta ndjekin Meshën nga sheshi me të njëjtin emër. Në sa porta mbeti e hapur dy kapakësh, si në plangjet e largëta, në Atdhe, këto ditë të mëdha.
Në Kishë ndjehej fort fryma e përtëritjes së jetës. Shumica e besimtarëve ishin të rinj, familje të reja, të sapobekuara me sakramentin e martesës, po në këtë Kishë. Gra me fëmijë për dore, në karroca, për gjiri. Disa, ende në pritjen e bukur të foshnjes së parë. Të bënte përshtypje të thellë gjithë ai gjak i ri shqiptar, në zemër të Romës së lashtë, e të Italisë, që vijon të ankohet gjithnjë më shumë për djepat bosh e plakjen e vazhdueshme. Atmosferë e vërtetë feste: përgjigje që i jepej ftesës së djeshme të Papës, nga Sheshi i Shën Pjetrit, për ta kremtuar këtë ditë të bashkuar shpirtërisht me të rinjtë e Romës e të botës, në Ditën e Rinisë.
Kremtimi filloi me bekimin e rrembave të sapokëputur të ullirit, i ndjekur me mallëngjim të thellë nga besimtarët, me mendje e zemër shumë larg, në qytetet e fshatrat e tyre, ku ndoshta pikërisht atë çast, familjarët bekonin degët e larit në lulëzim.
Pastaj dy meshtarët: dom Paskuale Ferraro, kapelan i mërgimtarëve shqiptarë në Itali, e atë Viktor Dema, françeskan shqiptar, që vijon studimet e larta në Universitetin Antonian të Romës, përshkuan përmes Kishën e lashtë, me piktura e afreske të mjeshtrave të mëdhenj, ku, natyrisht, nuk mungon figurja e Nanës së Këshillit të Mirë, Pajtore e shqiptarëve, kudo që janë shpërndarë – e nisi Mesha solemne e së Dielës së Larit, me leximin e faqes më tragjike të Ungjillit, asaj të Mundimeve të Krishtit. Lexim i dramatizuar, në të cilin morën pjesë meshtarët, të rinj e të reja. Pasoi kënga e lashtë e pendestarit, që këndohet prej shekujsh në Kishat e trojeve shqiptare, e ndoshta këndohej edhe atë ças:
“Krisht i dashtun me konop,
Si fajtuer kush të shterngoi?
Jam kenë unë, mkatnor i shkretë,
Dhimbë për mue, o Zot, kij mëshirë!
Krisht i em, atë faqe t’bukur,
Kush me shplaka ta vrugnoi?
Krisht i em, ketë trup të bekuem
Kush me të rrahna ta coptoi?...
Virgjna Mëri, ty t’ Birin t’vetun
kush ta mbyti, ta vorroi?
Jam kenë unë, mkatnor i shkretë,
Dhimbë për mue, o Zot, kij mëshirë!...
Këndohej me gjithë zemër, në sa shumë nga besimtarët, para se të fillonte Mesha, ishin përgatitur shpirtërisht për Pashkë, duke u pajtuar me Zotin përmes Sakramentit të rrëfimit, në gjuhën amtare.
Këngët i shoqëroi me harmonium Oliver Gruda, që tashmë ka organizuar një grup të vogël vokal e instrumental, i cili është i pranishëm në të gjitha kremtimet e bashkësisë së vogël katolike shqiptare në Romë. E këngën, natyrisht e shoqëruan gjithë ato ferishte, me gugatjet e tyre.
Pasi besimtarët dëgjuan me emocion të thellë Ungjillin e Mundimeve të Krishtit, duke e ndjekur Zotin nga Kopshti i Gjetsemanit, te puthja më tradhtare, që njeh historia e njerëzimit, ajo e Judës, tek gjykatorja e Pilatit e tek këmbët e kryqit, në Kalvar, Mesha arriti në një pikë kulmore: në kremtimin e një Pagëzimi. Tek elteri u afruan prindërit e rinj, me foshnjën veshur në të bardha, me moshë vetëm prej pak ditësh. Që dje ferishtja, me gjak shqiptar e italian, simbol i miqësisë ndërmjet dy popujve, quhet Leandër-Emanuel. Një pushkë më shumë - thuhej dikur në kullat malore, kur lindte djalë. Një ushtar më shumë në ushtrinë paqësore të Krishtit, thuhet sot në familjet tona katolike.
Meshë e gjatë, prekëse, kjo që u kremtua dje në Kishën e Shën Gjonit të Malvës e që, si në çdo të diele, përfundoi me një festë të vogël, organizuar nga veprimtarët në sakresti, sa për të shkëmbyer, plot mall, dy fjalë në gjuhën amtare e, natyrisht, edhe përshëndetjen: “Për shumë mot Pashkët!”.
Por urimi i djeshëm ishte vetëm prelud.Të shtunën e ardhshme, duke nisur nga ora 21.30, besimtarët mërgimtarë shqiptarë do të mblidhen rishtas për të pritur e për të kremtuar së bashku Ngjalljen e Krishtit. E atëherë do të shkëmbejnë përsëri, në zemër të Romës së krishterë, urimin, shqip: “Për shumë vjet! Nga mot gëzuar Pashkët e Ringjalljes së Krishtit! Këtu e në Atdhe!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.