2011-04-18 17:24:42

Domethënia e Javës së Madhe të Pashkëve


Java, që i paraprin Pashkëve, qysh nga kohët më të lashta quhet Java e Shenjtë. Në Lindje quhej “e Madhe”. E kështu quhet prej shekujsh edhe në Shqipëri. Quhej e vijon të quhet ‘e Madhe’ sepse në këtë javë Zoti kreu gjestet më të larta”.
Duhet sqaruar se në zanafillë, e ndoshta që nga kohët apostolike, kremtoheshin vetëm e Premtja dhe e Shtuna.
Gjatë këtyre dy ditëve besimtarët agjëronin më shumë se ditëve të tjera e, në shenjë zije, nuk shkëmbehej puthja e paqes. Kremtimi përfundonte me të Dielën e Pashkëve. Kremtohej, kështu, Triditshja e Pashkëve, nga e premtja, tek e diela.
Në shekullin IV nisën të kremtohen në formë historike ngjarjet e Ungjillit, posaçërisht themelimi i Eukaristisë, të enjten. Ky kremtim shënoi një risi në Triditshen e Pashkëve, që nuk zgjatej më nga e premtja tek e diela, por nga e enjtja, tek e shtuna. Më pas u shtua edhe një ditë tjetër, e mërkura, në kujtim të vendimit që morën judenjtë për ta mbytur Krishtin. E akoma, edhe e hëna dhe e marta, aq sa tek Shën Atanazi gjejmë porosinë për të agjëruar në mënyrë të posaçme në këto gjashtë ditë shenjte e të mëdha.
Mund të themi se Liturgjia romake e Javës së Madhe, duke u kremtuar në shekuj, bëri të vetat shumë rite me zanafillë të ndryshme, por edhe ruajti me kujdesin më të madh ritet e lashtësisë së vet.
Neve, që jetojmë në epokën e shekullarizuar, nuk na vjen keq vetëm për humbjen e disa dokeve e zakoneve njerëzore, të cilat mund të shlyhen lehtësisht. Për ne e për njerëzit e të gjitha epokave ka rëndësi nderimi i thellë e përshpirtëria, që na bëjnë ta jetojmë, në lutje e pendesë, misterin e shpërblimit tonë.







All the contents on this site are copyrighted ©.