2011-04-17 19:04:33

“YouCat”, një libër i vogël për përgjigjet e mëdha të fesë: editorial i atë Federiko Lombardit


(17.04.2011 RV)Një libër i vogël i verdhë, ku të rinjtë mund të gjejnë përgjigjet për pyetjet më të thella e më delikate, që kanë të bëjnë me fenë katolike. Ky është doracaku “YouCat”, me të cilin Kisha Katolike u ofron katekizmin e fesë të rinjve të Ditës Botërore të Rinisë në Madrid. Vërtet, ky libër i vogël do të jetë në çantën e shpinës së çdo të riu, për ta ndihmuar të thellohet në mësimet e Krishtit e të traditës së Kishës, me një gjuhë të kuptueshme e të pëlqyeshme për moshën. Këtij doracaku, ia kushton komentin e sotëm javor, zëdhënësi i Vatikanit, atë Federiko Lombardi, drejtor i përgjithshëm i Radio Vatikanit:RealAudioMP3
“Një katekizëm, pra një sintezë sistematike e mësimeve të Kishës, shkruar për të rinjtë, madje, në një farë mënyre, me të rinjtë, është gati “mrekulli”. Kështu u shpreh kardinali Shënborn, duke paraqitur “Youcat”, një doracak me ngjyrë të verdhë, që të gjithë të rinjtë shtegtarë në Ditën Botërore të Rinisë do ta gjejnë në Madrid, në çantën e shpinës, të përkthyer në gjuhën e tyre.
Më parë, edhe Katekizmi i Madh i Kishës Katolike, hartuar me vullnetin e Gjon Palit II, nën udhëheqjen e kardinalit Racinger, ka qenë një “mrekulli”, pasi pak besonin në mundësinë e arritjes së formulimit të përbashkët, unitar, sistematik e gjithëpërfshirës të fesë sonë, në këto kohë zhvillimi të shpejtë të mendësisë e të gjuhëve, kohë ndryshimesh e fragmentimi të jashtëzakonshëm kulturor.
Mrekullia e unitetit të fesë në rrugën e vështirë të historisë, mrekullia e një force centripete, që të tërheq drejt Krishtit, pavarësisht nga forcat e shumta centrifuge, në veprim për të na shkapërdarë në Kullën e Babelit të botës.
Por kjo fe e vetme duhet shpallur me një gjuhë të aftë të arrijë në mendjet e në zemrat e të rinjve të sotëm, duhet artikuluar në përgjigje për pyetjet, që ata bëjnë çdo ditë. Nëse jo, do të largohet gradualisht e gjithnjë e më tepër nga jeta. Prandaj, duhet studiuar Katekizmi i Madh me të rinjtë, së bashku, në komunitete, për ta kuptuar e për ta rishkruar trashëgiminë e tij me fjalë të kuptueshme për shokët, mikeshat e miqtë, që e kanë zemrën plot me pyetje e me aspirata. Duhet ta përkthejmë librin e fesë, që Jezu Krishti t’u flasë edhe sot të rinjve, e jo vetëm të rinjve të një vendi, por të shumë vendeve të ndryshme, që kanë të përbashkët jo vetëm muzikën dhe mënyrën e veshjes, por edhe pyetjet vendimtare të të gjitha kohrave… Aventurë e mrekullueshme! Ndërmarrje, jashtëzakonisht e guximshme! “YouCat” nuk lind i përsosur, por është një mrekulli e bukur, që e kemi në dorë. Duhet ta përmirësojmë e ta zhvillojmë së bashku, me hapin e brezave të rinj, me pasionin e unitetit të fesë, që i përgjigjet dëshirës së tyre të thellë për bashkim e shpresë. Rrugë të mbarë “YouCat”, për t’u treguar të rinjve udhën e lumturisë!”







All the contents on this site are copyrighted ©.