2011-04-17 18:57:08

Papa në Meshën e së Dielës së Larit: jo teknika, por dashuria e Zotit na bën vërtet të lirë


(17.04.2011 RV)Dashuria e Zotit na larton e na bën vërtet të lirë: këtë nënvizoi Benedikti XVI në Meshën e së Dielës së Larit e të Mundimeve të Tënzot, kremtuar sot paradite në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan. Në procesionin me degë ulliri, dafina e palma e në meshën që pasoi morën pjesë të rinjtë e Romës e të dioqezave të tjera italiane, për të kremtuar së bashku me Papën Ditën XXVI Botërore të Rinisë në nivelin dioqezan. Të pranishëm, edhe të rinj nga Kosova e Shqipëria, që me parrulla, fotografi e flamuj në duar, i dhanë edhe një ngjyrim shqiptar sheshit para Bazilikës së Vatikanit. Disa prej tyre, të shoqëruar nga ambasadori i Kosovës në Itali, Albert Prenkaj, do t’i dëgjoni më vonë, në emisionin e sotëm. Pikërisht të rinjve iu drejtua Ati i Shenjtë gjatë Lutjes së Engjëllit të Tënzot, pas meshës, duke u dhënë takim në Ditën Botërore të Rinisë, që do të zhvillohet në gusht të këtij viti, në Madrid të Spanjës. Nga Papa, edhe një thirrje për paqen në Kolumbi, ndërsa në fund, besimtarët e pranishëm në shesh i uruan ditëlindjen Benediktit XVI, duke kënduar për 84 vjetët, që papa Racinger i mbushi dje.RealAudioMP3

Kaltërsia e qiellit pa re, bardhësia e shtyllave të mermerta të Berninit, gjelbërimi i degëve të ullinjve ishin korniza e mrekullueshme e Meshës së kremtuar nga Papa në një shesh të mbushur plot me mëse 50 mijë besimtarë. Benedikti XVI ndoqi procesionin tradicional, në krye të të cilit ishin kardinajtë dhe, edhe gjatë homelisë u ndal mbi kuptimin që ka për shtegtarin ecja pas Jezusit, për të hyrë në Jeruzalem – ngjarja, që përkujtoi sot Kisha Katolike. Jezusi është në rrugë për në tempullin e Qytetit të Shenjtë:
“Është në rrugë drejt festës së përbashkët të Pashkëve, që kujton lirimin nga Egjipti dhe shpresën në lirimin përfundimtar. Ai e di se e presin Pashkë të reja e se Ai vetë do të flijohet në vend të qengjave, duke ofruar vetveten në Kryq”.
Qëllimi i fundëm i këtij shtegtimi të Krishtit është t’i lartojë të gjithë njerëzit te Zoti. Prej këndej, shtoi Ati i Shenjtë, vjen kuptimi i procesionit të degëve të ullinjve, që katolikët e të gjitha kohrave e përsërisin çdo vit në të Dielën e Larit, apo në të Dielën e Luleve, jo thjesht për traditë:
“Procesioni ynë i sotëm dëshiron të jetë imazhi i diçkaje më të thellë, imazh i faktit se, së bashku me Jezusin, ecim në shtegtim: në udhën e përpjetë drejt Zotit të gjallë. Është fjala pikërisht për këtë ngjitje. Është rruga në të cilën na fton Jezusi”.
Por, pranoi Benedikti XVI, kjo rrugë shkon përtej mundësive tona. Në të gjitha kohrat, vërejti Papa, por sidomos sot, njerëzit kanë dëshirë të jashtëzakonshme të ngrihen në lartësitë e Zotit. Njerëzimi ka ecur përpara. Të gjitha shpikjet e përparimet, s’janë tjetër veçse flatra për t’u ngjitur me lart, për të fluturuar drejt Hyjit, sepse njeriu e kupton se vetëm kështu mund të jetë plotësisht i lirë. Por, theksoi Ati i Shenjtë, së bashku me të mirën, është rritur edhe e keqja:
“Forca e rëndesës, që na tërheq poshtë, është e fuqishme. Së bashku me aftësitë tona, nuk është zhvilluar vetëm e mira. Edhe mundësitë e së keqes janë rritur e lëvizin si stuhi kërcënuese mbi histori. Edhe kufizimet tona mbeten: mjafton të mendojmë për katastrofat, që në këto muaj, kanë goditur e vazhdojnë ta godasin njerëzimin”.
Papa kujtoi Etërit e Kishës, të cilët kanë vënë në dukje se njeriu gjendet pikërisht në pikën e takimit ndërmjet dy fushave gravitacionale. Njëra nga forcat e tërheq poshtë, drejt egoizmit, drejt gënjeshtrës e drejt së keqes. Kësaj i kundërvihet forca tërheqëse e dashurisë së Zotit, e cila e larton njeriun:
“Njeriu gjendet në mesin e kësaj force të dyfishtë të rëndesës e, gjithçka varet nga aftësia për t’u larguar nga fusha gravitacionale e së keqes, për t’u bërë të lirë, që ta lemë të na tërheqë krejtësisht forca gravitacionale e Zotit, e cila na bën të vërtetë, na larton, na dhuron lirinë”.
Por, vazhdoi Papa, zemra jonë, zemra e njeriut është tepër e dobët për t’u lartuar deri te Hyji, pa ndihmën e askujt. Madje, pikërisht pretendimi se mund t’ia dalim mbanësh vetë, na hedh edhe më tepër poshtë, gjithnjë e më thellë në errësirë. Është vetë Zoti, shtoi Benedikti XVI, ai që na tërheq lart e pikërisht ky është misioni i Krishtit në Kryq, por, na kujton Papa, edhe njeriu duhet të bëjë ç’është e mundur për ta lënë veten në dorën e Hyjit. E pastaj, duke cituar Shkrimin e Shenjtë, shpjegoi:
“Fitoret e mëdha të teknikës na bëjnë të lirë e janë elemente të zhvillimit të njerëzimit vetëm nëse bashkohen me këto sjellje – vetëm kur duart tona bëhen të pafajshme e zemra jonë e pastërt, vetëm nëse jemi në kërkim të së vërtetës, në kërkim të vetë Zotit dhe e lemë veten të prekemi e të tërhiqemi nga dashuria e tij”.
Të gjitha këto janë elemente të udhës sonë të përpjetë drejt Zotit e japin fryte vetëm kur pranojmë me përvujtëri se është Hyji, ai që na tërheq e, se kemi nevojë që Ai të na japë orientimin e drejtë e forcën e brendshme për t’u ngjitur në lartësi. Kemi nevojë, përfundoi Papa homelinë e Meshës, për përvujtërinë e fesë, e cila e kërkon fytyrën e Zotit dhe i beson vërtetësisë së dashurisë së Tij.







All the contents on this site are copyrighted ©.