2011-04-16 10:52:50

Sot më 16 prill kalendari kishtar përkujton Shën Bernardetën Subiru


Sot më 16 prill Kisha katolike përkujtoi Shën Bernrdetën Subirù, bijë e një mullisi të varfër, lindur në Lurdë, ndërmjet Pirenejve. Më 11 shkurt 1858 në shtëpinë e saj ishin djegur të gjitha drutë. Duhej të shkonte në mal për të bërë të tjera. Por përjashta binte shi i rrëmbyer. Ishte gati e pamundur të bridhje nëpër pyll. Atëherë vajza shkoi në Shpellën e Masabielës, ku barinjtë e vegjël mblidhnin shpesh degë të thata. Papritmas ndjeu një fëshfërimë të lehtë gjethesh, që e bëri të ngrinte kokën në drejtim të Shpellës. Pa një Zonjë me fytyrë të ndritshme e me buzë në gaz. Ishte e veshur krejt me të bardha e një brez i kaltër ia shtrëngonte lehtë përmjetin. Këmbët i kishte të zbathura, në sa në krahun e djathtë mbante një rruzare me kokrra të bardha, përshkuar në një fill ngjyrë ari.
- Kush je ti? - e pyeti. Po ajo nuk u përgjigj. E vajza u kthye disa herë, e disa herë ia përsëriti pyetjen, derisa mori përgjigjen: "Unë jam Zoja e Papërlyer”.
Mrekullia e dukjes së parë, të cilën Bernardeta e përjetoi në një gjendje absolute ekstaze, u pasua nga 17 dukje të tjera, deri më 17 korrik 1858. Pas këtyre dukjeve, Bernardeta kaloi gjashtë vjet në Institutin e Motrave të Mëshirës të Neversit, ku kreu edhe periudhën e rishtarisë. Kjo periudhë zgjati më shumë se duhej, për shkak të shëndetit të saj të ligsht. Bëri, më pas, kushtet e përjetshme duke ndërruar edhe emrin: u quajt Motër Maria Bernarda. Vdiq në moshën 35 vjeçe, më 16 prill 1879. Më 8 dhjetor 1933 Papa Piu XI e lartoi në nderimet e elterit.







All the contents on this site are copyrighted ©.