Ngjitu në Jeruzalem, Jezus, shaluar mbi gomar, rrethuar nga shtegtarët. Ngjitu
në Qytetin Shenjt ku të presin mundimet e vdekja, pse dashurinë që ti ke për
ne s’ka forcë në botë ta ndalojë! S’mund ta ndalojë as dhuna e as poshtërsia
njerëzore. Shtegtimi yt cak tjetër s’ka: mbaron këtu! Në këtë vend do të
bësh dëshmi duke dhuruar jetën. Ti e di mirë ç’të pret: Tmerri e terri e
dhimbja, tradhtia e braktisja. Të pret kodrina e Kalvarit, kryqi të pret
e gozhdat janë gati. Përpara të gjithëve ti do të lartohesh, mbi kryqin e lagur
me djersë e me gjak… pas pak… Po tash për tash njerzia që të njohu, që të
pa e të dëgjoi e mbrapa po të ndjek të shpreh veç entuziazëm. E bën këtë me
gjestet e të varfërve të cilët, të çuditur, njohin Dikë, dikë që i do, dikë
që i mbron, dikë që i rrethon me kujdes, që i shikon me mëshirë. E e bën
me fjalë në të cilat zëri i profetëve jehon thellësive të kohës. E ti e ndjen
si përmbushet premtimi i bërë ç’prej kahmot. Ata brohorasin! Si mund t’i
bësh të heshtin? Për këtë ke ardhur, Që të dhurosh jetën për jetën, për
shëlbimin e botës.