Liturgjia e Fjalës së Zotit e Dielës së Lartit. ‘A’
Ja përsëri në takimin tonë javor të shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës. Kësaj
herët do të ndalemi tek Liturgjia e Fjalës së Zotit të Dielës së Larit apo të Dielës
së Luleve, me të cilën Kisha e fillon Javën e madhe dhe të Shenjtë të Pashkëve.
Sikur
thamë më parë, me liturgjinë e kësaj së diele, e cila përkujton hyrjen solemne të
Birit të Zotit, Jezu Krishtit në Jerusalem dhe historikun e mundimeve të Tija, Kisha,
dëgjues të nderuar, na thërret të hyjmë në Javën e madhe të shenjtë të Pashkëve, dmth.
në kremtimin e mistereve themelore të fesë së krishterë: të mundimeve, vdekjes mbi
kryq dhe ngjalljes së Jezu Krishtit, Shpëtimtarit të njerëzimit.
Kështu pra,
Liturgjia e Fjalës së Zotit e kësaj së diele na propozon dy ngjarje ngushtë të lidhura:
hyrjen e Jezusit në Jerusalem dhe mundimet e Tij. Pra kemi dy pjesë: ritin e bekimit
të degëve të ullinjve apo të degëve të pemëve të lulëzuara, para Meshës, procesionin
e besimtarëve me degë ullinjsh të bekuar dhe pjesën e dytë Meshën, gjatë së cilës
tregohet historia e mundimeve të Jezus Krishtit.
Të ndjekësh Jezu Krishtit
domethënë të jesh më Të në momente të lavdishme e në momente me vuajtje. Drama e Mundimeve
na sjell të shohim Birin e Zotit për ne të përvujtëruar, të përbuzur, të shpotitur,
të varur mbi një kryq ku vdes për ne. Jezusi Zot besnik ndaj planit e vullnetit të
Atit e besnik ndaj dashurisë për njerëzimin mbarë. Jezusi Zot që ka marrë mbi vete
braktisjen ekstreme në duar të Atit për të liruar njeriun nga mëkati e për t’ia kthyer
edhe një herë gëzimin e bashkimit me Zotin.
Nga liturgjia hyjnore e dielës
së larit, do t’i bartim degët e palmave e të ullinjve me vete në shtëpitë tona, shenja
kontradikte (kundërshtie). Këto degë na kujton hosanën, por edhe kurorën e martirëve;
na sjellin paqen pas përmbytjes, por edhe djersen prej gjakut në kopsht të ullinjve,
derisa më besnikët i zë gjumi e tradhtari përgatitet për ta puthur Mësuesin Hyjnor. Duhet
të kujtojmë se të krishterë nuk kremtojmë apo bëjnë ritet fetare, por marrin pjesë
në vuajtjen e Zotit Jezu Krishtit në jetën tokësore. Pra, të dielën e Larit, Kisha
përkujton dhe kremton hyrjen triumfuese të Krishtit, në qytetin e shenjtë të Jerusalemit
ku kryhet misioni i tij tokësor. Duke përshkuar rrugët e Jerusalemit Jezusi është
shpallur si biri i Davidit, i Bekuari në emër të Zotit. Turma pret Mesinë për rilindjen
e një fuqie ekskluzivisht tokësore. Turma që tashmë është kaq e gatshme për të shpallur
Mesinë, nesër do t’i kërkojë me zë të lartë Pilatit kryqëzimin e tij. Jezusi,
hyn në Jerusalem kaluar mbi një gomar, e jo me një kortezh mbretëror e me karroca
të pasura e të fuqishme. Dy lavdi përballen me njëra tjetrën: ajo njerëzore e ajo
e Hyjit. Jezusi do të lëvdohet nëpërmjet dhurimit total të vetvetes mbi kryq, i cili
do të shfaqë fuqinë e dashurisë së Tij. Me të Dielën e Larit fillojnë ditët në
të cilat mundimet e Krishtit arrijnë kulmin. Ditët e fundit të jetës së Shpëtimtarit
vënë në dukje dashurinë e pakufishme të tij për ne. Në mundimet e tij, Biri i Hyjit
njeh pafundësinë e poshtërimit më të thellë: i arrestuar, i gjykuar dhe i dënuar me
vdekje, i detyruar të çojë kryqin deri në Kalvar, dhe pastaj vdes në kryq për ne.
Por fitorja është tashmë shumë afër: do të ringjallet të tretën ditë! Jezusi vetë
kishte thënë: Askush nuk ka një dashuri më të madhe se kjo: të japë jetën për miqtë
e vet. Neve Jezusi nuk na kërkon asgjë tjetër vetëm të mbajmë kryqin tonë bashkë
me të. A jemi të gatshëm ta ndjekim në udhën e kryqit? Ta shpallim atëherë me gëzim
Jezusin, si Mbreti i vërtetë i paqes dhe i mëshirës. Këtu mund të dëgjoni programin
tonë kushtuar Liturgjisë së Fjalës Hyjnore të Dielës së Larit......
Përkujtimi
i hyrjes së Jezu Krishtit në Jerusalem
V Ungjilli (Mt 21, 1-11) Ashtu
si turma e hebrenjve, edhe ne bekojmë Krishtin Zot që na prezantohet si Bari udhëheqës
i popullit të tij. Ai është mbreti i ëmbël dhe i butë që do të shërbejë dhe jo të
shërbehet nga populli i vet.
Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut
Kur
iu afruan Jerusalemit e mbërritën në Betfage, në malin e Ullinjve, atëherë Jezusi
dërgoi dy nxënës e u tha: “Shkoni në fshat që është kundruall! Aty menjëherë do të
gjeni një gomare të lidhur e me të një gaç. Zgjidhni e m’i sillni! Nëse ndokush ju
thotë gjë, thoni: ‘Po i duhen zotërisë’, dhe menjëherë do t’i lëshojë.” Ndodhi kështu
që të shkonte në vend fjala e profetit që thotë: “Thoni qytetit Sion: Ja, Mbreti yt
po vjen te ti i butë, kalor mbi gomare e mbi gaç, zog të gomares”. Nxënësit shkuan
e bënë siç u urdhëroi Jezusi, sollën gomarin e kërriçin. Mbi ta vunë petkat e veta,
e Jezusi hypi mbi to. Moria e popullit shtroi petkat e veta gjatë rrugës e tjerët
thenin degë lisash dhe i qitnin rrugës, e populli, që shkonte para e pas tij, brohoriste:
“Hosana Birit të Davidit! Bekuar qoftë ai që vjen në Emër të Zotit! Hosana në qiejt
më të lartat!” Kur Jezusi hyri në Jerusalem, mbarë qyteti u çua në këmbë dhe pyeste:
“Kush është?” E turma i përgjigjej: “Ky është Profeti, Jezusi prej Nazaretit të Galilesë!”
Fjala e Zotit!
MESHA
Leximi
i parë (Is 50, 4-7) Profeti Isaia shumë vjet më parë prezanton shërbëtorin
e Zotit që pranon persekutime për dashurinë e popullit të vet. Ai mëson nga Hyji si
të reagojë duke përdorur forcën e jo dhunës, ai i beson mbrojtjen e tij vetë Hyjit.
Kështu i ndodhi Jezusit gjatë mundimeve të tij: pranoi poshtërimet për të çliruar
zemrën e njeriut nga errësirat e urrejtjes.
Lexim prej Librit të Isaisë profet
Zoti Hyj ma dha një gjuhë të ditur që të di ta përforcoj me fjalë të lodhurin. Çdo
mëngjes veshin ma zgjon që të dëgjoj siç dëgjon nxënësi. Zoti Hyj ma hapi veshin,
s’kundërshtova, nuk u zmbrapsa. Shpinën ua solla atyre që më rrahin, mollëzat e mia
atyre që ma shkulnin mjekrën: fytyrën time nuk e largova nga të sharat e pështymat.
Zoti Hyj është ndihmëtari im, këndej edhe s’jam i tronditur, prandaj fytyrën time
e bëra të fortë si shkëmbi pse e di se s’do të mbetem i turpëruar. Fjala e Zotit!
Psalmi
22 (21) Ref: O Zot, o Zot, përse hoqe dorë prej meje. ____________________________________________
Gjithkush
më shikon, më përqesh, shtrembërojnë buzët, luajnë me kokë: “Shpresoi në Zotin:
le ta lirojë, le ta shpëtojë sepse i pëlqen Atij!”
_____________________________ Më
rrethuan qen me shumicë, turmë keqbërësish më rrethuan gjithkah. M’i shporuan
duart e këmbët mund t’i numëroj të gjithë eshtrat e mi, ________________________________
Petkat
e mia ndër vete i ndajnë e mbi petkun tim qesin short. Por ti, o Zot, mos rri
larg meje, fuqia ime shpejto të më ndihmosh! _____________ E unë do t’ua
shpall vëllezërve Emrin tënd, do të të lavdëroj në kuvendin e dheut: “Ju
që e druani Zotin, lëvdojeni atë, mbarë fara e Jakobit, lëvdojeni atë! Të
gjithë pasardhësit e Izraelit, nderojeni atë. _________________
Leximi i
dytë (Fil 2, 6-11) Shën Pali tregon se Jezusi ka pranuar plotësisht vdekjen në
kryq. Ai u bë njeri me anë të mishërimit dhe u bë shërbëtor i njerëzve me anë të mundimeve.
Jezusi, duke pranuar lirisht dhe për dashuri planin e Atit gjatë mundimeve, ka arritur
fitoren e amshuar të ringjalljes.
Lexim prej Letrës së dytë të shën Palit apostull
drejtuar Filipianëve
Krishtin Jezus i cili, edhe
pse me natyrë Hyj, barazinë e vet me Të nuk e çmoi si një visar që s’mundet pa të,
por ia mohoi vetvetes e mori natyrën e shërbëtorit dhe u bë i ngjashëm me njerëz dhe,
për kah pamja e jashtme, dukej vetëm njeri. E përuli vetveten duke u bërë i dëgjueshëm
deri në vdekje, mu deri në vdekjen në kryq. Prandaj edhe Hyji e lartësoi dhe i dha
emrin që është mbi çdo emër që në Emër të Jezusit të përkulet çdo gju i atyre
që janë në qiell, në tokë e në nëntokë dhe çdo gjuhë të dëshmojë: ‘Jezu Krishti
është Zot!’ Në nder të Hyjit Atë. Fjala e Zotit!
Lavdi ty, o
Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar! Krishti për ne u bë i dëgjueshëm deri në
vdekje, mu deri në vdekje në kryq. Prandaj edhe Hyji e lartësoi dhe i
dha emrin që është mbi çdo emër. Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
V
Ungjilli (Mt 26, 14 – 27, 66)
Ungjilltari Mateu përshkruan dy aspekte të
mundimeve të Jezusit: mundimet janë zbulimi i dashurisë së Hyjit për njeriun dhe së
dyti paraqesin ndarjen përfundimtare mes botës së judenjve dhe të krishterëve të cilët
duhet të bëjnë një zgjedhje, duhet të vendosin për Krishtin. Mateu do t’i bindë
të krishterët e lindur nga judaizmi që plani i Hyjit mbi njeriun realizohet nëpërmjet
shërbëtorit të vuajtur të kryqit. Dhe gjithashtu Mateu sheh në kryq fundin e erës
së vjetër dhe fillimin e besëlidhjes së re.
MUNDIMI I ZOTIT TONË JEZU KRISHT
SIPAS MATEUT Lexuesi: Në atë kohë, njëri prej të Dymbëdhjetëve - ai
që quhet Judë Iskarioti, shkoi te kryepriftërinjtë dhe u tha: Juda: “Çka
po më jepni e unë po jua dorëzoj?” Lexuesi: Ata i caktuan tridhjetë sikla
të argjendta. Që atëherë Juda kërkonte rastin e volitshëm për ta tradhtuar. Të
parën ditë të Bukëve të pabrume, iu afruan Jezusit nxënësit dhe e pyetën: Nxënësit:
“Ku dëshiron ta bëjmë gati darkën e Pashkëve?” Lexuesi: Ai u tha: Jezusi:
“Shkoni në qytet te filani dhe thoni: Mësuesi thotë: koha ime është afër! Te ti
do të kremtoj Pashkët me nxënësit e mi.” Lexuesi: Nxënësit bënë si u urdhëroi
Jezusi dhe përgatitën darkën e Pashkëve. Kur u bë natë, Jezusi u ul në tryezë bashkë
me të Dymbëdhjetët. Ndërsa po hanin, ai u tha: Jezusi: “Për të vërtetë
po ju them: njëri prej jush do të më tradhtojë!” Lexuesi: Të trishtuar për
së tepërmi, zunë ta pyesnin njëri pas tjetrit: Nxënësit: “A mos jam unë,
Zotëri?” Lexuesi: Ai iu përgjigj: Jezusi: “Ai që po e ngjyen kafshatën
me mua në pjatë - ai do të më tradhtojë. Po, Biri i njeriut patjetër po shkon sikur
se është në Shkrimin e shenjtë për të. Porse: vaj për atë njeri që po e tradhton Birin
e njeriut! Më mirë do të kishte qenë për të qëas të mos kishte lindur aspak!” Lexuesi:
Atëherë e pyeti edhe Juda, tradhtari i tij: Juda: “A mos jam unë, Mësues?” Jezusi:
“E the vetë!” – Lexuesi: i përgjigji Jezusi. Ndërsa po hanin, Jezusi mori
bukën, i dha lavdi Hyjit, e theu, ua dha nxënësve të vet e tha: Jezusi:
“Merrni, hani: ky është korpi im!” 3 Lexuesi: Pastaj mori kelkun, u falënderua,
ua dha e tha: Jezusi: “Pini prej tij të gjithë, sepse ky është gjaku im
- gjaku i Besëlidhjes - që do të derdhet për të gjithë në shpërblim të mëkateve. Unë
po ju them: që tani nuk do të pi më kësi fryti hardhie deri atë ditë, kur, bashkë
me ju, do të pi - një verë të re - në Mbretërinë e Atit tim.” Lexuesi: Dhe,
pasi kënduan himnin, dolën për të shkuar në Malin e Ullinjve. Atëherë Jezusi u
tha: Jezusi: “Të gjithë ju sonte do ta humbni besimin në mua. Sepse Shkrimi
i shenjtë thotë: ‘Do t’i bie bariut e delet e tufës do të shpërndahen!’ Porse,
kur të ngjallem, do të shkoj para jush në Galile.” Lexuesi: Atëherë Pjetri
iu përgjigj: Pjetri: “Po qe se edhe të gjithë do ta bjerrin besimin në ty,
unë assesi nuk do ta bjerr besimin në ty!” Lexuesi: Jezusi i tha: Jezusi:
“Për të vërtetë po të them: pikërisht sonte, para se të këndojë gjeli, tri herë
do të më mohosh!” Lexuesi: Pjetri i tha: Pjetri: “Po edhe në qoftë
se duhet të vdes bashkë me ty, nuk do të mohoj!” Lexuesi: Kështu thanë
edhe të gjithë nxënësit e tjerë. Atëherë Jezusi mbërriti me nxënës në një kopsht,
që quhej Gjetseman dhe u tha: Jezusi: “Rrini këtu, derisa unë të shkoj atje
e të lutem.” Lexuesi: Mori me vete Pjetrin dhe dy bijtë e Zebedeut. Atëherë
filloi të trishtohej e të ngushtohej. E u tha: Jezusi: “Shpirtin ma kaploi
një trishtim që çon në vdekje. Qëndroni këtu dhe rrini zgjuar me mua!” Lexuesi:
Pastaj u largua pakëz, ra me fytyrë për dhé e lutej: Jezusi: “Ati im, nëse
është e mundur, largoje prej meje këtë kelk mundimesh! Megjithatë, le të bëhet,
jo si dua unë, por si do ti.” Lexuesi: Dhe u kthye te nxënësit, i gjeti
fjetur dhe i tha Pjetrit: Jezusi: “Si kështu, s’mundët të rrini zgjuar me
mua as për një orë të vetme? Rrini zgjuar e lutuni të mos bini në tundim! Shpirti,
vërtet, është i gatshëm, por trupi është i ligshtë.” 4 Lexuesi: Prapë shkoi
të dytën herë e u lut: Jezusi: “Ati im! Nëse s’mund të kalojë ky kelk mundimesh
pa u pirë prej meje, u bëftë vullneti yt!” Lexuesi: U kthye përsëri dhe
i gjeti fjetur, sepse gjumi ua kishte rënduar sytë. I la, prapë u largua dhe u
lut edhe të tretën herë duke përsëritur të njëjtat fjalë. Atëherë u kthye te nxënësit
e u tha: Jezusi: “Flini tashmë e pushoni! Ja, arriti ora, kur Biri i njeriut po
u bie në dorë mëkatarëve. Ngrihuni të shkojmë! Ja, po afrohet tradhtari im!” Lexuesi:
Ndërsa ai ende po fliste, ja, erdhi Juda - njëri prej të Dymbëdhjetëve, e me të
një turmë e madhe e armatosur me shpata e me shkopinj. E kishin dërguar kryepriftërinjtë
e pleqtë e popullit. Tashti tradhtari u kishte dhënë këtë shenjë: u kishte thënë. Juda:
“Ai kë unë të puth - ai është! Atë kapeni!” Lexuesi: Menjëherë iu afrua
Jezusit e i tha: Juda: “Të falem, Mësues!” Lexuesi: dhe e puthi.
Jezui i tha: Jezusi: “Mik, kryej punën tënde!” Lexuesi: Atëherë
u afrua turma. Çuan dorë në Jezusin dhe e kapën. Dhe ja, njëri prej atyre që ishin
me Jezusin, çoi dorën, nxori shpatën e vet, i ra shërbëtorit të kryepriftit dhe ia
preu veshin. Atëherë Jezusi i tha: Jezusi: “Ktheje shpatën tënde në vend të vet!
Sepse të gjithë ata që kapen për shpate, prej shpatës edhe do të vdesin. A ndoshta
ti kujton se unë nuk mund t’i lutem Atit tim dhe se Ai nuk kishte për të m’i dërguar
menjëherë dymbëdhjetë legjione engjëjsh? Mirëpo, si atëherë do të plotësoheshin fjalët
e Shkrimit të shenjtë, sipas të cilave duhet të ndodhë kështu?” Lexuesi:
Atëherë Jezusi iu drejtua turmës: Jezusi: “Dolët me shpata e me shkopinj
të më zini si të isha unë cub. E pra, ditë për ditë rrija me ju duke mësuar në Tempull,
e nuk më kapët. Por, të gjitha këto ndodhën për të shkuar në vend Shkrimet e profetëve.”
5 Lexuesi: Atëherë të gjithë nxënësit e lanë e ikën. Tashti, ata që e kapën
Jezusin, e çuan te kryeprifti Kajfë, ku ishin tubuar skribët e pleqtë. Pjetri e
ndoqi prej së largu deri në oborr të kryepriftit. Hyri brenda dhe po rrinte me
shërbëtorët për të parë si do të merrte fund puna. Krerët e priftërinjve e tërë
Këshilli i lartë kërkonin dëshmi të rrëjshme kundër Jezusit për ta vrarë. Por nuk
gjetën, edhe pse u paraqitën shumë dëshmitarë të rrejshëm. Në fund u paraqitën
dy e thanë: Dëshmitarë të rrejshëm: “Ky njeri ka thënë: ‘Unë mund ta
rrënoj Tempullin e Hyjit e mund ta ndërtoj rishtas për tri ditë.’” Lexuesi:
Atëherë u çua kryeprifti e i tha: Kryeprifti: “Ti s’po përgjigjesh fare
për atë çka këta po dëshmojnë kundër teje?” Lexuesi: Por Jezusi heshtonte.
E kryeprifti i tha: Kryeprifti: “Po të përbej me Hyjin e gjallë, na thuaj, a je
ti Mesia, Biri i Hyjit?” Lexuesi: Jezusi i përgjigji: Jezusi:
“Ti the! E unë po ju them: Pas kësaj do ta shihni: Birin e njeriut duke ndenjur në
të djathtën e të Gjithëpushtetshmit dhe duke ardhur mbi retë e qiellit.’” Lexuesi:
Atëherë kryeprifti i shqeu petkat e veta e tha: Kryeprifti: “Shau Hyjin!
Ç’na duhen më dëshmitarët? Ja, pra, vetë e dëgjuat blasfeminë. Ç’ju thotë mendja?” Populli:
“Meriton të vdesë!” Lexuesi: - përgjigjën ata. Atëherë filluan ta pështyjnë
në fytyrë, t’i bien grushta e disa të tjerë shuplaka dhe i thoshin: Populli:
“Na trego, o Krisht, kush të ra?” Lexuesi: Ndërkaq Pjetri rrinte përjashta,
në oborr. Dhe ja, iu afrua një shërbëtore e i tha: Shërbëtorja I. “Edhe ti ishe
me Jezu Galileasin.” Lexuesi: Por ai, para të gjithëve, i ra mohit me këto
fjalë: Pjetri: “Nuk di ç’po thua!” 6 Lexuesi: Dhe, ndërsa po i
afrohej derës për të dalë jashtë, e vuri re një shërbëtore tjetër e u tha të pranishmëve: Shërbëtorja
II. “Ky ishte me Jezu Nazarenin.” Lexuesi: E ai prapë e mohoi me be: Pjetri:
“As që e njoh atë njeri!” Lexuesi: Pakëz më vonë, u afruan ata që ishin
aty e i thanë Pjetrit: Grupi: “Vërtet, edhe ti qenke një prej tyre! Ja,
edhe mënyra e të folurit tënd të zbulon!” Lexuesi: Atëherë Pjetri ia nisi
të lëshojë be e rrufe se nuk e njihte atë njeri. S’vonoi, këndoi gjeli! Atëherë
Pjetrit i ra në mend fjala që ia pati thënë Jezusi: “Para se të këndojë gjeli, tri
herë do të më biesh mohit.” Doli përjashta dhe qau me lot për faqe. Kur zbardhi
drita, të gjithë kryepriftërinjtë e Pleqësia e popullit u mblodhën në kuvend kundër Jezusit
për ta dënuar me vdekje. E, pasi e lidhën, e çuan dhe ia dorëzuan Pilatit, qeveritarit
të vendit. Atëherë Juda - ai që e tradhtoi, kur pa se e dënuan Jezusin, i brejtur
nga ndërgjegjja, ua ktheu kryepriftërinjve e pleqve të popullit tridhjetë siklat
e argjendta e tha: Juda: “Mëkatova që dorëzova gjakun e pafaj!” Grupi:
“Ç’na lypet neve! Punë për ty!” Lexuesi: i përgjigjën ata. Juda i hodhi
siklat e argjendta në Tempull, u largua dhe shkoi e u var në litar. Kryepriftërinjtë
i mblodhën siklat e argjendta e thanë: Grupi: “S’është e lejueshme të shtihen
në arkë të Tempullit, sepse janë çmim gjaku.” Lexuesi: Dhe, pasi u këshilluan,
blenë me to arën e një vorbëtari për varreza të shtegtarëve. Prandaj ajo arë quhet
deri më sot: ‘Ara e Gjakut’. Kështu shkoi në vend fjala e Jeremisë profet: ‘Morën
tridhjetë sikla argjendi, çmimin e të Çmuarit, që e çmuan bijtë e Izraelit dhe
e shpenzuan për arën e vorbëtarit, sikurse më urdhëroi vetë Zoti.’ E qitën, pra,
Jezusin para qeveritarit. Qeveritari e pyeti: Ponc Pilati: “A je ti mbreti
i judenjve?” Lexuesi: Jezusi iu përgjigj: Jezusi: “Vetë po thua!”7 Lexuesi:
E ndërsa kryepriftërinjtë e pleqtë e paditnin, - s’u përgjigj asnjë fjalë. Atëherë
e pyeti Pilati: Ponc Pilati: “A nuk po dëgjon sa rëndë po dëshmojnë kundër
teje?” Lexuesi: Jezusi nuk iu përgjigj në asnjë fjalë, kështu që qeveritari
u habit për së tepërmi. Për të kremten e Pashkëve qeveritari e kishte zakon
t’ia falë popullit atë të burgosur, që populli kërkonte. Tashti, asohere, ishte
i burgosur një njeri i përmendur për të keq, që quhej Baraba. Atëherë Pilati u
tha atyre që ishin mbledhur aty: Ponc Pilati: “Cilin dëshironi ta liroj:
Barabën, apo Jezusin që quhet Krisht?” Lexuesi: Sepse e dinte fare mirë
se Jezu Krishtin e kishin dorëzuar prej smire. Ndërsa qeveritari po rrinte në gjykatore,
gruaja e tij e porositi: Gruaja e Pilatit: “Mos u përziej assesi në çështje
të atij të drejti, sepse sonte pësova shumë në ëndërr për shkak të tij.” Lexuesi:
Por kryepriftërinjtë e pleqtë ia mbushën mendjen popullit të kërkonte çlirimin e Barabës
e Jezusin ta vriste. Atëherë qeveritari i pyeti: Ponc Pilati: “Cilin ndër
këta të dy doni t’jua liroj?” Populli: “Barabën” Lexuesi: – i
përgjigjën ata. E Pilati i pyeti: Ponc Pilati: “Ç’të bëj, pra, me Jezusin
që quhet Krisht?” Lexuesi: Të gjithë u përgjigjën: Populli: “Të
kryqëzohet!” Lexuesi: Por ai u tha: Ponc Pilati: “Ç’të keqe bëri?” Lexuesi:
Por ata bërtitnin edhe më fort: Populli: “Të kryqëzohet!” Lexuesi:
Kur Pilati pa se s’po arrinte asgjë e se pështjellimi shkonte duke u shtuar, mori
ujë dhe, në sy të popullit, i lau duart duke thënë: Ponc Pilati: “Unë jam
i pafajshëm për këtë gjak! E heqshi ju!” Lexuesi: Mbarë populli tha:8 Populli:
“Gjaku i tij rëftë mbi ne e mbi fëmijët tanë!” Lexuesi: Atëherë ua liroi
Barabën, kurse Jezusin, pasi e frushkulloi, ua dorëzoi të kryqëzohet. Atëherë ushtarët
e qeveritarit e shtinë Jezusin në pallatin e qeveritarit dhe mblodhën rreth tij tërë
kohortën. E zhveshën dhe i hodhën krahëve një mantel të kuq. Pastaj gërshetuan një
kurorë ferrash e ia vunë në kokë, ndërsa në dorën e djathtë i dhanë një kallam. Pastaj
binin në gjunj para tij për ta vënë në lojë dhe i thoshin: Grupi: “Të falemi,
mbreti i judenjve!” Lexuesi: E pështynin, ia morën kallamin e me të i binin
kokës. Pasi e vunë në lojë, ia hoqën mantelin e kuq, e veshën me petkat e tija dhe
e çuan për ta kryqëzuar. E ndërsa po dilnin në rrugë, takuan një njeri nga Cirena
që quhej Simon dhe e detyruan ta mbarte kryqin e tij. Kur arritën në vendin e quajtur
Golgotë - d.m.th. Vendi i Kafkës - i dhanë të pijë verë të përzier me tëmth e, pasi
e kërkoi, s’deshi ta pijë. Atëherë e gozhduan në kryq dhe me short i ndanë mes tyre
petkat e tij. Pastaj ndenjën dhe e ruanin. Mbi kokë ia vunë shkresën e arsyes së dënimit:
“Ky është Jezusi, mbreti i judenjve.” Bashkë me të kryqëzuan dy cuba, njërin në të
djathtë e tjetrin në të majtë. Kalimtarët, pastaj, e shanin duke luajtur me kokë në
shpoti dhe thoshin: Populli: “Ti që e rrënon Tempullin e për tri ditë e
rindërton, shpëto vetveten! Nëse je Biri i Hyjit, zbrit nga kryqi!” Lexuesi:
Po ashtu edhe kryepriftërinjtë me skribë e me pleq, duke e përqeshur, i thoshin: Grupi:
“Të tjerët i shpëtoi, vetveten s’po mundet ta shpëtojë! Është mbreti i Izraelit!
Le të zbresë tani prej kryqit e do t’i besojmë! Ka shpresuar në Hyjin, le ta lirojë
tani, nëse e do përnjëmend!’ Sepse vetë tha: ‘Jam Biri i Hyjit!’“ Lexuesi:
Po ashtu e fyenin edhe cubat që ishin të kryqëzuar me të. Që prej orës gjashtë deri
në orën nëntë errësira e mbuloi mbarë tokën. Rreth orës nëntë, Jezusi klithi me zë
të madh: Jezusi: “Eli, Eli! Lema sabakthani? Lexuesi: - që d.m.th: Jezusi:
Hyji im, Hyji im! Përse hoqe dorë prej meje!” Lexuesi: Disa prej të pranishmëve,
kur dëgjuan, thanë: Grupi: “Ky po thërret Elinë!”9 Lexuesi: Aty për aty
u turr njëri prej tyre, mori një shpuzë, e zhyti në uthull, e vari në kallam e ia
shtriu ta pinte. Të tjerët i thoshin: Populli: “Lëre të shohim pale a po
vjen Elia për ta shpëtuar!” Lexuesi: E Jezusi bërtiti edhe një herë me zë
të madh e - dha shpirt. Në këtë moment meshtari së bashku me mbarë popullin binen
në gjunj dhe qëndrojnë disa minuta në qetësi. Pastaj të gjithë ngriten në këmbë dhe
vazhdon leximi: Lexuesi: Dhe, ja, veli i Tempullit u shqye në dy pjesë,
prej majës e deri në fund; toka u lëkund e shkëmbinjtë plasën, varret u hapën e u ngjallën
shumë trupa të drejtësh që kishin vdekur. Pas ngjalljes së Jezusit dolën prej varreve,
erdhën në Qytetin e shenjtë dhe iu dëftuan shumëkujt. Një frikë e madhe e kapi centurionin
dhe ata që bashkë me të po e ruanin Jezusin, kur panë tërmetin dhe ngjarjet e tjera,
thanë: Grupi: “Me të vërtetë ky paska qenë Biri i Hyjit!” Lexuesi:
Aty ndodheshin e vërenin prej së largu shumë gra, të cilat Jezusin e kishin përcjellë
që prej Galilesë dhe i kishin shërbyer. Ndër to ishte Maria Magdalenë, Maria nëna
e Jakobit dhe e Jozefit edhe nëna e bijve të Zebedeut. Kur u bë natë, erdhi një pasanik
nga Arimateja, që quhej Jozef. Ishte edhe ky nxënës i Jezusit. Jozefi shkoi te Pilati
dhe ia lypi trupin e Jezusit. Pilati urdhëroi t’i jepej trupi. Jozefi mori trupin,
e mbështolli në pëlhurë të pastër dhe e vendosi në varrin e vet të ri, që e kishte
çelur në shkëmb. Pastaj rrokullisi në derë një gur të madh dhe shkoi. Aty ishin Maria
Magdalenë edhe Maria tjetër; rrinin kundruall varrit. Të nesërmen, që ishte dita pas
Përgatitjes - u bashkuan kryepriftërinjtë e farisenjtë te Pilati dhe i thanë: Grupi:
“Zotëri, na ra në mend se ai gënjeshtar, deri sa ishte ende gjallë, tha: ‘Pas tri
ditësh do të ngjallem.’ Prandaj urdhëro të ruhet varri deri të tretën ditë, që të
mos vijnë nxënësit e tij, ta vjedhin e t’i thonë popullit: ‘U ngjall së vdekuri.’
E gënjeshtra e fundit do të jetë më e zezë se e para.” Ponc Pilati: “Rojën
e keni! Shkoni e merrni masat e sigurimit si jua merr mendja.” Lexuesi:
- u përgjigji Pilati. Ata shkuan dhe e siguruan varrin: e vulosën gurin dhe vunë rojën.
10 Fjala e Zotit!
Po kujtojmë edhe personazhet e leximit të mundimit
të Krishtit: Lexuesi; Jezusi; Pjetri; Juda; Grupi; Gruaja e Pilatit; Kryeprifti; Shërbëtorja
I.; Shërbëtorja II.; Ponc Pilati; Dëshmitarë të rrejshëm; Populli; Nxënësit