84 vjetori i lindjes së Benediktit XVI: Ad multos annos, Sancte Pater - urime Atë
i Shenjtë!
Gëzim” Kjo fjalë-shtyllë e magjisterit të Bariut universal Jozef Racinger ngazëllen
shumë zemra në këto ditë kaq të ngarkuara me ngjarje, me dhimbje po edhe me shpresë.
Në pragun e fillimit të Javës së Madhe e të Shenjtë të Pashkëve, fillon të ndjehet
fuqia e Lajmit të Mirë të ngadhënjimit të Jetës mbi vdekjen dhe fuqia jetëdhënëse
e Dritës së Krishtit të Gjallë bëhet edhe më e këndshme dhe na e mbush shpirtin plot
me atmosferën e kremtimit të ditëlindjes së Atit të Shenjtë. Është festë! Vatikani
ka festë! Mbarë bota katolike kremton e me të, edhe ne jemi në festë. Është festa
e bukurisë, e madhështisë dhe e qartësisë së Fesë. E asaj Feje, të cilën Papa Benedikti
XVI me sytë e qeshur e ëmbëlsisht atëror, e rindez në mendjet e në zemrat e besimtarëve
dhe të gjithë atyre që e shikojnë plot shpresë jetën dhe të ardhmen. Është festa
e Pjetrit. Festa e Bariut, që me fjalët, mësimet e shembullin e tij të freskon korpin
e shpirtin. Është festë! Festë që ka shijen e familjes, aromën e kemit të bashkësisë
famullitare, kufijtë e universalitetit ashtu siç është vet natyra e misionit dhe
e kumtimit të Lajmit të Mirë: Zoti është dashuri, Zoti është gurrë e jetës, Zoti të
do, Zoti të pret për të dhuruan Amshimin! Gëzuar Atë i Shenjtë! Urimi i shprehur
nga zërat tonë shqiptarë, ka aromat e krishterimit të lashtë të një vendi e popull
i vogël, martir e fisnik, që ju ka për zemër, sepse edhe ju e keni për zemër!