2011-04-15 14:26:24

Zëdhënësi i Vatikanit: zgjidhja e problemeve të Kishës në Kinë arrihet vetëm me dialog të sinqertë


(15.04.2011 RV)Bashkësi kishtare “e plagosur” nga diskriminimi e nga përpjekja për ta sunduar, thellësisht e shqetësuar për të ardhmen e vet. Por, edhe një bashkësi me “fe të gjallë”, që nuk e ka humbur vullnetin për dialog. Këto janë karakteristikat e Kishës në Kinë, të cilat vihen në dukje nga Komisioni i posaçëm, ngritur nga Benedikti XVI në vitin 2007, pikërisht për t’u marrë me katolikët kinezë. Ditët e kaluara, ky komision u mblodh për të shqyrtuar gjendjen aktuale e për t’u drejtuar një mesazh besimtarëve të vendit aziatik. Një mesazh i qartë, që denoncon dhunimin e lirive të katolikëve në Kinë, por që uron edhe fillimin e dialogut të sinqertë me autoritetet, siç shpjegon në një notë, drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi:
“S’ka dyshim se muajt e fundit kanë qenë veçanërisht të vështirë për katolikët kinezë. Një shugurim ipeshkvnor i paligjshëm dhe zhvillimi i së ashtuquajturës “Asembleja kombëtare e Përfaqësuesve katolikë”, organizuar nga shteti për të imponuar sundimin e tij mbi bashkësinë kishtare, shkaktuan reagimin e ashpër të Selisë së Shenjtë në mbrojtje të lirisë së Kishës për të jetuar sipas natyrës dhe misionit të saj, dhe krijuan një gjendje tensioni e çorientimi ndër besimtarët.
Prandaj, mesazhi i Komisionit për Kishën Katolike në Kinë, themeluar nga Papa e mbledhur në Vatikan ditët e kaluara, paraqitet si pikë referimi në një gjendje krize. Po përvijojmë orientimet e frymën e tij, me disa pika kryesore.
Para së gjithash, situatat e faktet kritike përshkruhen me qartësi dhe vlerësohen në dritën e doktrinës katolike: paligjshmëria e rëndë e shugurimit ipeshkvor të Chengde-së e të ministerit që rrjedh prej tij; nevoja për të ripohuar besnikërinë ndaj Papës dhe për të kapërcyer pasojat e shkandullit, që të shërohen plagët e hapura në bashkësinë kishtare; papranueshmëria, në këndvështrimin katolik, e organizmave të imponuara nga shteti për udhëheqjen e Kishës. Nuk mund të mohohet se këto fakte rëndojnë seriozisht edhe mbi shqetësimet për të ardhmen, me frikën se situata të ngjashme mund të përsëriten për dioqezat e shumta, sot për sot, vakante.
Megjithatë, mesazhi lë të duket një afërsi e sinqertë, që shoqëron domosdoshmërisht kërkesën për respektimin e ligjeve kanonike, por që tregon edhe vetëdijen për vështirësitë e vuajtjet e përjetuara dhe bën të ndjehet inkurajimi i vërtetë, rrënjosur në përvojën shpirtërore të bashkimit kishtar, ushqyer nga lutja e vazhdueshme.
Në këtë perspektivë, realiste, por jo çkurajuese, shprehet mëse një herë bindja se për zgjidhjen e problemeve të ndryshme të Kishës në Kinë – për shembull, emërimin e ipeshkvijve, ose ripërcaktimin e rretheve kishtare – do të ishte i çmuar dialogu “i sinqertë e plot respekt” me autoritetet civile. Kjo do të kontribuonte shumë në atë “harmoni të shoqërisë”, që të gjithë e dëshirojnë për të mirën e përbashkët, duke filluar nga katolikët. Gatishmëria e Selisë së Shenjtë për këtë dialog theksohet pra, edhe një herë, me shpresën që të jetë e njëjtë edhe nga pala tjetër.
Mesazhi karakterizohet nga citimet e shpeshta të Letrës së mirënjohur të Papës për Kishën në Kinë, të vitit 2007, e cila ripropozohet si dokument thelbësor dhe aktual referimi për të orientuar rrugën e bashkësisë kishtare në këto kohë shndërrimesh të mëdha shoqërore e sfidash të rëndësishme baritore.
Në sfond, përvijohen fenomenet epokale të urbanizimit e të çpopullimit të fshatrave, si edhe fatkeqësitë e fundit natyrore, që i kanë sprovuar rëndë popullsitë; por kujtohet qartë edhe impenjimi bujar i meshtarëve, rregulltarëve, rregulltareve, besimtarëve, që kanë nevojë për formimin e përshtatshëm që të dijnë të japin dëshminë e frytshme të krishterë, në lartësinë e kohëve.
Mesazhi përfundon me dy pika, që mund t’i shpëtojnë leximit sipërfaqësor, por që janë shumë të rëndësishme për atë që di të lexojë sipas perspektivës shpirtërore.
Së pari, Papa ngul këmbë fort mbi vlerën e lutjes për mbështetjen e bashkimit e të gjallërisë së Kishës në Kinë si edhe, për manifestimin e solidaritetit të bashkësisë katolike universale ndaj saj.
Së dyti, mesazhi jep lajmin, vërtet të gëzueshëm, të fillimit të çështjes së lumnimit për Paolo Xu Guangqi nga ana e dioqezës së Shangait. Laik, funksionar perandorak me kulturë të jashtëzakonshme, shërbëtor i madh e besnik i vendit dhe i popullit të vet, Xu Guangqi është njëri nga dishepujt e parë të atë Mateo Riçit, i cili vuri bazat e krishterimit në Kinë në epokën moderne, përmes një dialogu shumë të frytshëm me kulturën kineze. Duke parë Xu Guangqi dhe jetën e tij shembullore, kinezët – katolikë e jo – mund ta kuptojnë më mirë se nuk ka asnjë lloj kontradikte e asnjë rrezik në qenien kinezë e katolikë së bashku. Madje, mund të jenë kinezë të mëdhenj e katolikë të shkëlqyer. Nga e kaluara, një dritë e mrekullueshme shprese për Kinën e sotme e të nesërme”.







All the contents on this site are copyrighted ©.