Tmerr në Gazë, vritet një aktivist italian për të drejtat e njeriut
(15.04.2011 RV)Përfundoi me mbytjen e 36-vjeçarit italian Vitorio Arrigoni,
rrëmbimi i tij, kryer ditën e mërkurë, nga një grup fondamentalist salafit në Rripin
e Gazës. Aktivisti për të drejtat e njeriut, që bënte pjesë në Lëvizjen Ndërkombëtare
të Solidaritetit, u gjet në një apartament të Gaza City-t nga milicët e Hamasit, të
cilët, për herë të parë së bashku me Autoritetin Kombëtar Palestinez, e dënojnë haptas
këtë barbarizëm. Madje, që nga dita e rrëmbimit, Hamasi, që komandon në Gazë, filloi
një gjueti të vërtetë njerëzish për të kapur anëtarët e organizatës ultra-ekstremiste,
të lidhur me Al Kaidën. Vitorio Arrigoni u vra para se të skadonte ultimatumi, i parashikuar
për orën 16.00 të ditës së sotme, duke shkaktuar indinjatën të gjithë palestinezëve,
që e shihnin si njeri të sinqertë, ardhur në vend për t’i ndihmuar. “Unë nuk
besoj në kufij, në barriera, në flamuj, besoj se të gjithë i përkasim së njëjtës familje,
asaj njerëzore, pavarësisht nga gjatësia e nga gjerësia gjeografike”. Më këto
pak fjalë, të thëna nga vetë Vitorio Arrigoni, mund të përvijohet më së miri personaliteti
i tij, të cilin palestinezët e kishin kuptuar, siç dëshmohet edhe nga reagimi i Gjysmëhënës
së Kuqe, zyra italiane e së cilës, në një letër imagjinare me aktivistin italian,
shkruan: “Vranë një njeri të lirë, një dashurues të lirisë e të drejtësisë,
një mik të paqes e të popullit palestinez, që ti e ke mbrojtur, e ke dashur, çështjen
e të cilit e ke bërë motiv të jetës tënde. Nuk e dimë se kush janë e as ç’përfaqësojnë,
por dimë se NUK janë palestinezë e se janë vrasës të Palestinës, të kauzës së saj,
të popullit e të miqve të vërtetë e të sinqertë të saj”.