2011-04-15 18:37:23

Pakistan: gratë e krishtera detyrohen me forcë të ndërrojnë fenë


(15.04.2011 RV)Shtohet, në Pakistan, numri i grave që kthehen me detyrim në fenë islame. E njëkohësisht, edhe numri i martesave me dhunë ndërmjet tyre e burrave me fe myslimane. Viktimat janë kryesisht vajzat e krishtera e hinduiste, që u përkasin pakicave fetare në vend. Sipas njoftimit të agjensisë Fides, fenomeni po bëhet gjithnjë më shqetësues. Prandaj Kisha në Pakistan vijon ta denoncojë me forcë, duke kërkuar edhe bashkëpunimin e institucioneve, për t’i dhënë fund një dhune të tillë. Vajzat e krishtera janë më të ligështa e më të pambrojtura, sepse bashkësitë prej nga vijnë vijojnë t’u nënshtrohen prej kohe kërcënimeve, pa mundur të kundërshtojnë. Shpesh nuk e marrin fare guximin t’i denoncojnë aktet e dhunës, shpjegon një rregulltare, që punon për t’i ndihmuar gratë në situata të vështira. Në një shoqëri, që lejon diskriminimin e pakicave fetare, në mënyrë të posaçme, të grave, feja e shumicës dhe pozita shoqërore shërbejnë vetëm për të kryer akte dhune. Në një raport të Centre for Legal Assistence and Settlement (CLAAS), që merret me asistencën ligjore të të krishterëve të diskriminuar e të persekutuar në Pakistan, konfirmohet se situata është shumë kritike.










All the contents on this site are copyrighted ©.